8 Shtator

Çfarë Sjell Hapi I Duhur?

Ja PSE të hedhësh hapin e ri është e rëndësishme: Që të mos jemi më foshnja, të hedhur andej-këtej, që i vërtit era e çdo mësimi njerëzor dhe që e lënë veten të mashtrohen nga dinakëria e dredhia e njerëzve. (AL) Efesianëve 4:14 Ja çfarë ndodh kur ti zgjedh të hedhësh hapat e duhur… Kur hedh hapin e duhur = Sjell forcë shpirtërore. 

Jetojmë në një kohë ku bota është e trazuar, si anija që e vërtit era. Një botë që thotë se ky është modeli i duhur. Pastaj thotë: Jo, jo se ka diçka më të re, ky është modeli i duhur dhe kjo ndryshon herë pas here. Dhe të duket jeta si anije, si barkë që e vërtit era një herë këtej, një herë andej dhe na trullos kjo vërtitja. Por kur hedh hapat e duhur, nuk ke pse bëhesh palë me botën. Sepse ti e zgjedh vetë sesi do ta ndërtosh jetën. Dhe zgjedh vetë për të qenë i fortë në Zotin. Dhe për ta theksuar këtë, Pali thotë: hiqni dorë nga papjekuria, nga gjërat fëminore.

Nëse do të pyesja, nga çfarë duhet të ruhen më shumë të krishterët? Si do të përgjigjeshe? Shumica do të thonë se duhet të ruhen nga mëkati, të mos mëkatojnë! Para se të njihje Krishtin po, por pasi njohe Krishtin, ai na jep fuqi për t’i thënë jo mëkatit. 

Sepse sipas Palit, rreziku më i madh nuk vjen nga mëkati, më shumë duhet t’i ruhemi papjekurisë. Rreziku më i madh vjen nga papjekuria. Ne mëkatojmë, në atë zonë të jetës ku nuk i kemi lënë kontroll të plotë Perëndisë. Nëse ia kemi dorëzuar atij, do të krijojmë maturi dhe gjasat për të mëkatuar do të jenë të pakta. Sepse aty ku jemi të dobët, kemi mundësinë të forcohemi. 

Pali thotë: Le te forcohemi! Dhe s’do të vijë forcimi, bam—bam brenda ditës! Jooo, do të vijë hap pas hapi, pas hapi. Siç rriten fëmijët, hap pas hapi. Ditë pas dite. Edhe fëmijët, prit pak, edhe fëmijët, që duken aq të çiltër, që duket sikur po kalojnë super. Veç luajnë, hanë, s'kanë pikë përgjegjësie. Edhe ata, kur i pyet, çfarë do të bëhesh kur të rritesh? Asnjeri nuk thotë "Nuk dua të rritem." Asnjeri nuk thotë: "Dua të rri kështu gjithë jetës." Kur të rritem dua të jem bebe dhe fëmijë i vogël. Sepse e dinë, që ka më shumë se kaq jeta. Duan të bëhen doktorë, shoferë autobusi, policë, mesues, këngëtarë, modelë, futbollistë … Shumë çuna duan të bëhen Spiderman-ë, kur të rriten, duan të bëjnë diçka të madhe me jetët e tyre. Tani, unë u thoja çunave të mi se nuk e kemi n’gjak si fis Spiderman, gjej ndonjë i zanat tjetër  Po mirë, Batman. Ironman. 

Kur janë fëmijë, sa gjasa kanë ata të bëhen direkt ashtu siç duan? Zero! Shiko, nëse një fëmijë 5 - vjeçar që ka dëshirë të bëhet doktor dhe ti je sëmurë. A thua është gati ai që të të operojë, vetëm sepse ëndërron të bëhet doktor? Ai nuk pret dot një kokërr molle, jo më të të operojë ty. Por, a ka potencial ky fëmijë 5 - vjeçar që një ditë të bëhet doktor? Sigurisht që PO! 

Opaa, Kështu thotë edhe Pali, ka potencial të madh brenda teje për t'u rritur në Zotin, për t'u bërë në ngjasim me të. Kështu që mos e dëno veten, nëse nuk je aty ku do të doje të ishe. Thjesh bëj dicka, hidh një hap të ri sot. Dhe hap pas hapi ke për t'u bërë siç do Perëndia të bëhesh. Ja të shohim një varg… çfarë ndodh kur hedh një hap. Por, duke thënë të vërtetën me dashuri, të rritemi në çdo gjë drejt atij që është kreu, KrishtiEfesianëve 4:15 

Kur hedh hapin e duhur = Bëhem më shumë si Krishti

Është premtim i bukur. Dhe kur kujtoj veten time, Zoti bëri shumë ndryshime në jetën time, por shumica kanë qenë me hapa të ngadaltë. Dhe ndërsa ecim me Jezusin në këtë udhëtim, le të dëshirojmë, që Ai të zmadhohet dhe ne të zvogëlohemi. Që bota të shikojë, fuqinë e Tij në jetën time, dashurinë e tij në jetën time, të shikojë atë në mua! 

Ja, si e thotë Pali te… Galatasve 2:20 Unë u kryqëzova bashkë me Krishtin dhe nuk rroj më unë, por Krishti rron në mua; dhe ajo jetë që tani jetoj në mish, e jetoj në besimin e Birit të Perëndisë, që më deshi dhe dha veten për mua. Sa varg i bukur, çdo ditë e kryqëzoj veten time, sa herë që hedh një hap të ri për t'u rritur, sa herë që rritet besimi im, e kryqëzoj një dëshirë timen dhe Krishti rritet në mua. Dhe befas njerëzit e shikojnë ndryshmin, se    çfarë ke diçka ndryshe ti? Jeta jote e predikon Krishtin pa fjalë.

Sepse e di çfarë ndodh? Ato dëshirat e mira që kishe atëherë, për shkak se hodhe hapa, ato janë kthyer në fryte të mira. Ja si thuhet te… Galatasve 5:22-23 Por fryti i Frymës është: dashuria, gëzimi, paqja, durimi, mirëdashja, mirësia, besimi, zemërbutësia, vetëkontrolli. Kundër këtyre gjërave nuk ka ligj. Sa më shumë që bëhesh si Krishti, aq më shumë do të prodhosh këto fryte.

Ja pse-ja e trete: Prej të cilit gjithë trupi, i lidhur mirë dhe i bashkuar, me anë të kontributit që jep çdo gjymtyrë dhe sipas forcës së çdo pjese të veçantë, shkakton rritjen e trupit, për ndërtimin e vetes së tij në dashuriEfesianëve 4:16 Ajo pjesa me të zeza, secili jep kontributin e vet, shkon me atë që e nisa ditën e parë: Secili nga ne ka një thirrje nga Perëndia, një qëllim, një arsye dhe këtë e zbulon... duhet hedhur një hap sot. 

Kur hedh hapin e duhur = Sjell jetë të plotë dhe me qëllim. Me qëllim, me kuptim. 

Ju kam thënë që e mbarova librin, po shkruaj një libër, për ata që nuk e kanë dëgjuar dhe quhet: Ai Të Njeh. Dhe është në një lloj forme si një udhëtim për të gjetur kuptimin e jetës, hap pas hapi. Po punoj që të dalë në fillim të tetorit dhe uroj që Perëndia do ta përdorë për të sjellë një person më shumë te Krishti, dhe jo vetëm kaq, të gjejnë qëllimin e tyre. 

Nëse do që të jesh ndër të parët për ta marrë këtë libër, pronotoje te ky linku. Që del në ekran.
I ligu, do që të na ngaterrohet nëpër këmbë. Do që të na hutojë, të na mbushë me frikëra dhe dyshime dhe të na largojë sa më larg qëllimit që ka Perëndia për ne. 

Dhe ashtu sic rritja në Zotin ndodh hap pas hapi dhe zbulimi i qëllimit të Perëndisë për jetën tonë do të ndodhë hap pa hapi. Dhe do të shikojmë dorën e Perëndisë të punojë dhe të sjellë çdo gjë për të plotësuar qëllimin e tij me anë të jetës sonë. Si një skulpturë, që duke e gdhendur, copë pas cope do të marrë formën e saj. Dhe ashtu siç nuk mbarohet ajo punë artistike menjëherë, nuk formohemi as ne për një ditë. Ndodh hap pas hapi, hap pas hapi. 

Mbyllet ditën tjetër…


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>