17 Maj

Faza 2 e Kishëmbjelljes—Ndërtimi i Skuadrës!

Jemi në pjesën e tretë të detajeve në lidhje me fillimin e një kishe të re. Pjesa e parë ishte si një përmbledhje e të 5 fazave të fillimit të një kishe. Pjesa e dytë pamë fazën e parë të fillimit të kishës: vizioni, ëndrra, thirrja për kishën e re, si ta dallosh, si ta gjesh.
Sot le të shikojmë fazën e dytë dhe për disa të mërkura do të ndaj me ty fazat e tjera. 

Faza e 2-të, NDËRTIMI I SKUADRËS
Kjo kohë këshillohet të zgjasë 6-12 muaj. Jo më herët se gjashtë muaj, duhet kohë e mjaftueshme për të ndërtuar dhe testuar një skuadër të mirë. Por nga ana tjetër jo më shumë se 18 muaj. Nëse kalon më shumë se 18 muaj, bie besueshmëria e vizionit që po ndan për aq muaj. Sepse nuk po ndodh gjë dhe fillon dyshimi, a do të ndodhë me të vërtetë, a do të fillojë kisha e re? Ideale do të ishte 12 muaj. 

Siç e filloi dhe Jezusi shërbesën e Tij. Ai e filloi me 12 dishepuj që nga fillimi.
Le të shohim ky duhet të jetë fokusi në fazën e ndërtimit të skuadrës:  

1-Cilët janë personat e duhur për skuadrën tënde. 
Para se te fillosh ndërtimin e skuadrës sigurohu a e ke të qartë vizionin sepse në bazë të vizioni do të ndërtosh skuadrën sepse ty të duhen persona që e duan atë vizion dhe duan që ta çojnë përpara, ta shikojnë të ndodhë.
Në një kishë, 5 janë qëllimet e saj: Adhurimi, Miqësia, Dishepullimi, Shërbimi dhe Ungjillëzimi. Sigurohu që personat që do të bëhen pjesë e skuadrës tënde të kenë dhunti në një nga këto qëllime.  

2-Kërko përkushtim të lartë që në fillim. Po shikoja një foto që shpesh përshkruan situatën e shumë personave. Në foto lideri thotë: “Kush e do ndryshimin të ngrejë dorën” dhe të gjithë e kanë ngritur dorën, të gjithë e duan ndryshimin, të bëjnë diçka me jetët e tyre. Te fotoja e dytë, i njëjti lider thotë: “Kush e do ndryshimin dhe do të bëjë diçka për ta sjellë atë le të më ndjekë mua” dhe asnjë nuk po e ndjek atë. Ose si është ajo fjala e urtë popullore: “Nga e thëna në të bërë është në mes një det i tërë.” Prandaj, kur ke ndarë me një person vizionin e kishës dhe ai/ajo ka dëshirë të bashkohet kërkoji që të përkushtohet në këto 5 gjëra. 

a - Do të takohemi cdo javë si skuadër, në filan ditë, në filan orë, në filan vend. Sepse fillon të takohet skuadra dhe ti po i kërkon atij personi të investojë kohën e tij në këtë ëndërr të re. Nëse dikush nuk pranon të përkushtohet, s’ka gjë. Thuaji: "Bashkohu me ne në filan datë e pas, pasi ta kemi filluar kishën por tani po kërkoj njerëz me përkushtim në këtë gjë".

b - Do të japë të 1/10 që tani. Kishat e reja, rrallë kanë financa që nga fillimi, më vonë mund të afrohet ndonjë donator dhe kjo nuk ndodh gjithmonë. Por ama, çdo anëtar i skuadrës fillon të japë për këtë ëndërr të re. Jo vetëm që mund të duhen financa për gjërat që do të bëjë skuadra, por kjo tregon që ai person beson te kjo gjë aq sa është gati të investojë me financat e veta. Pastorët herë pas here akuzohen që kanë abuzuar me financat e kishës, kështu që ji i mençur në menaxhimin e tyre, më e mira do të ishte që pastori të mos i mbajë paratë që nga vendimi, sigurisht që është vendimmarrës në lidhje me to, por nuk i menaxhon ai. Nëse dikush nuk pranon të përkushtohet, s’ka gjë. Thuaji: "Bashkohu me ne në filan datë e pas, pasi ta kemi filluar kishën por tani po kërkoj njerëz me përkushtim në këtë gjë".

c - Do të përgatitem për të shërbyer në një nga 5 qëllimet e kishës. Ti po i kërkon atij personi, ne nuk do të themi vetëm fjalë të bukura, por secili do të bëjë pjesën e tij në këtë skuadër dhe kishën e re që do të fillojë së shpejti. Dhe secili përkushtohet që është gati të investojë me energjitë e veta sipas dhuntive për kishën e re. Nëse dikush nuk pranon të përkushtohet, s’ka gjë. Thuaji: "Bashkohu me ne në filan datë e pas, pasi ta kemi filluar kishën por tani po kërkoj njerëz me përkushtim në këtë gjë".

d - Do të sjell 5+ miq të mi jobesimtarë në ditën e hapjes së kishës. Kur ua kërkon këtë gjë që në fillim secili ka kohë të lutet për ta, t’i takojë, nëse krijohet mundësia të ndajë lajmin e mirë me ta dhe ndërsa është miqësuar do ta ketë të lehtë për t’i ftuar ata në ditën e hapjes së kishës së re. Dhe cdo person përkushtohet që do të investojë me lidhjet, miqësitë e veta për kishën e re. Nëse dikush nuk pranon të përkushtohet, s’ka gjë. Thuaji: "Bashkohu me ne në filan datë e pas, pasi ta kemi filluar kishën por tani po kërkoj njerëz me përkushtim në këtë gjë".

e - Do të përkushtohet që s’do e çajë kokën se çfarë thonë kishat e tjera, të krishterët e tjerë, pastorët e tjerë për kishën e re. E vërteta e hidhur është se kisha e re do të paragjykohet, do të përflitet për të. Por ti përgatite skuadrën që më përpara që kur të ndodhë, ata ta dinë dhe si të veprojmë. Herë pas here kishat e reja shikohen si kërcënim për kishat “e vjetra” dhe sulmohet pastori i ri: “Ai s'ka përvojë, ai nuk di, ai po bën kompromise ndaj ungjillit etj etj…” Një nga gjërat që thuhej për kishën ICF Tirana në fillimet e saj, i vu nofka: “Kisha e Bllokut” ngaqë muzika në kishën tonë ishte me ritëm dhe festive. Tani, nuk e dija si ta merrja, si kompliment apo si paragjykim, por të gjithë e dinim që kjo do të ndodhte dhe shume nofka të tjera na janë thënë ndër vite. Por ama ti e nxit personin që të përkushtohet të investojë emocionet e tij/saj në këtë kishë të re. Nëse dikush nuk pranon të përkushtohet, s’ka gjë. Thuaji: "Bashkohu me ne në filan datë e pas, pasi ta kemi filluar kishën por tani po kërkoj njerëz me përkushtim në këtë gjë".

Mund të ketë dhe ndonjë pikë tjetër që duhet shtuar por për mua këto të 5-ta kanë qenë shumë ndihmë. 

3-Trajtoje skuadrën si repart ushtarak, si forcat speciale, brisku; jo si spital. Që në kohën e reformimit është folur dhe reformatorët kanë debatuar për këtë gjë: Kisha Është Spital, për njerëzit që vijnë të dielën të plagosur nga jeta dhe vijnë për të mjekuar plagët dhe për t'u shëruar. Kisha Është Repart, ne jemi të thirrur që të durojmë pjesën tonë si ushtarë të mirë të Jezu Krishtit. Ne vijmë të dielën në kishë, në “repartin” tonë për t'u pajisur, fuqizuar për të bërë luftën që kemi para gjithë javës. Mendimi im është: kisha i ka të dyja, edhe spital edhe repart. Ka njerëz që janë të lënduar nga java dhe kanë nevojë për lutje, për përkujdesje, për një fjalë, për t'i dëgjuar. Ka njerëz që jane top fare, janë gati për të luftuar, thjesht duhen pajisur me “armatimin” e duhur.
Tani, skuadrën që po përgatit për të filluar kishën e re trajtoje që nga fillimi si repart. Sa herë që mblidheni bashkë fokusohuni si ta fuqizoni njëri - tjetrin, si ta ndihmoni njëri - tjetrin për të zbuluar dhuntitë tuaja dhe si t'i përdorni ato gjatë javës. Për ty që po e drejton këtë skuadër sigurohu që mesazhet janë me këtë fokus, si t’i pajisësh ata më mirë. Mesazhet të kenë lidhje dhe me vlerat e kishës, vizionin e saj, përgatitjet që keni përpara për hapin e radhës të kësaj kishe. E fundit për sot… 

 4- Tre elementë. Sigurohu që sa herë mblidheni bashkë si skuadër takimi të ketë të paktën këto tre elemente: Si Je, Mesazh, Strategji. Ngaqë ti je lideri dhe e ke mendjen te kisha e re, gjërat që janë për t'u bërë, do që të fillosh shpejt takimin dhe të fillosh direkt me punët. Çfarë do të bëjmë, kur do të fillojmë, çfarë do të bëjë secili … Por ka gjasa që grupi do të ndihet i përdorur nga ty për vizionin tënd. Sepse ti nuk po interesohesh për ta, po interesohesh vetëm për punët që duhen bërë.
Kështu që sigurohu që çdo takim fillon me njerëzit, si je, si po kalon, çfarë sfide ke, si janë gjërat nga jeta personale, familja… Pastaj ndaj një mesazh, mësim. Sigurohu që ka lidhje me fuqizimin dhe pajisjen e njerezve, jo mesazh ngushëllues: “Zoti është i mirë, mos u mërzit, do t'ia dalim…” Sigurisht që Zoti është i mirë por ky grup është repart, nuk është spital. Kanë nevojë për kalitje, jo për fërkim shpatullash. E fundit është strategjia. Që nënkupon çfarë do të bëjmë këto kohë, cila është ngjarja e radhës, cila është përgjegjësia e secilit, kur, kush, si, qysh, tek… dhe vendosen disa synime për javën që është përpara. 

Këto janë si katër hapa kryesorë në ndërtimin e skuadrës. E sigurtë që mund të ketë edhe gjëra të tjera. 

Ide: një herë të jetë takim lutje, nje herë tjetër të jetë lutje në ecje rreth zonës së synuar, herë të tjera skuadra mblidhet thjesh për qejf, një zgarë, një ditë në plazh, pishina …. Ndërsa po lexoje Fazën e dytë të kishës, ndërtimin e skuadrës, çfarë t'u kujtua, çfarë është një gjë ose disa gjëra të tjera që duhen theksuar në këtë fazë të kishës? 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>