6 Korrik

10 Mënyra Sesi Ta “VRASËSH” Kishën Tënde.

Këto gjëra nuk është se kanë lidhje të gjitha me kishën tënde. Në fakt mendoj shumë pak prej tyre mund të kenë lidhje. Por ama janë për t’i patur parasysh.

Kisha është shpresa e botës dhe kur je në dijeni të gjërave që e pengojnë rritjen është më e kollajtë për t'u marrë dhe për ta rregulluar dhe të fuqizohesh për të ecur përpara.
Mendoj se kur ta lexosh këtë shkrim do ta kuptosh pse një pjesë e kishave mbyllen ose kanë pak pjesëmarrje. Nuk janë vetëm këto, ka edhe shumë shkaqe të tjera, por këto janë ndër ato që e “vrasin” kishën tënde: 

1. Mos hajde fare në festimet—takimet—shërbesat e kishës.
Kjo është e para që e vret kishën, njerëzit nuk e gjejnë dot kohën për të ardhur një apo dy orë te shtëpia e Perëndisë, kisha dhe lehtësisht gjejmë justifikim pas justifikimi pse nuk mund të vijmë në festime.
Bibla na nxit shumë për të mbledhurit bashkë, sidomos te Hebrenjve 10:25. Nëse nuk shkojmë në kishë i japim më shumë mundësi të ligut të punojë për të fikur besimin tonë, pasi nuk po ushqehemi dhe nëse një numër i mirë i anëtarëve të kishës nuk do të vinte në festime, kisha do të shkojë drejt mbylljes, sepse me kishë nënkuptojmë njerëzit që shkojnë aty dhe jo ndërtesat boshe. 

2. Nëse ti vendos për të shkuar, sigurohu që çdo herë të shkosh me vonesë.
Shumë besimtarë sot kanë një qëndrim pak të çuditshëm për festimet--shërbesat: “Po nisem, por kur të arrij të arrij, nuk bëhet nami po shkova me vonesë”. Po mendoja, çfarë do të ndodhë nëse kemi të njëjtin qëndrim te puna apo te shkolla, nëse shkojmë aq “lente - lente” në punë dhe në shkollë sa ç’shkojnë besimtarët në kishë, nuk e di sesa gjatë do ta mbante pronari në punë një person të tillë apo sa shpejt do ta mbushë max e mungesave në shkollë.
Ky lloj qëndrimi tregon se ajo që po bënim para se të vinim në kishë, ishte më i rëndësishme, sepse Perëndia aty është, më pret mua. Kjo lloj neglizhence e vret kishën tënde gjithashtu.

3. Shkoj në kishë vetëm kur është kohë e mirë.

A ke shkuar ndonjëherë në kishë në pikun e vapës apo në mes të një furtunë? Ka njerëz që shkojnë në kishë vetëm kur është freskët ose nuk po bie shumë shi apo nuk kam çfarë të bëj sot. Me këtë lloj qëndrimi “prodhohen” të krishterë që shkojnë në kishë vetëm kur gjërat po shkojnë mirë në jetë. Në momentin kur fillon një “furtunë” në jetë ata mërziten me Perëndinë, inatosen me drejtuesit e kishës dhe nuk duan as të takojnë besimtarët e asaj kishe dhe as të vijnë në kishë.
Këto persona i kupton kollaj sesi po ja kalojnë, kur gjërat shkojnë mirë dhe kanë ca lek në xhep, vijnë në kishë të gëzuar, këndojnë me zë të lartë, janë më aktivë por sa të përplasen me ndonjë vështirësi janë gati ta “mallkojnë Perëndinë dhe të vdesin” (Jobi 2:9). Por në fakt e vetmja gjë që vdes nga ky lloj qëndrimi është kisha.

4. Do Të Gjej gabimet tek çdo gjë dhe tek çdo njeri. 
Hetuesit në një rast krimi fillojnë të intervistojnë personat që kanë folur keq për viktimën. E njëjta gjë me kishën, kur një kishë vdes, të parët që kanë gisht në këtë gjë janë personat që kanë qenë gjithë kohës duke folur keq për të, duke kërkuar për mangësitë dhe dobësitë e asaj kishe. Këto persona janë ata që “ulen bashkë me tallësin” (Psalmi 1:1) Gjetësit e gabimeve e DALLOJNË kollaj një problem, por ata kurrë nuk ZGJIDHIN ndonjë problem. Që i bie janë “vrasës” të kishës.

5. Nuk marrin përgjegjësi dhe s’duan të drejtojnë ndonjë shërbesë. 
Shumë njerëz kanë mentalitetin e “marrjes me qera” kur vjen puna te kisha dhe nuk duan të marrin “pronësinë” e saj. Kur ti je me qera, nëse të thyhet diçka merr në cel pronarin e shpisë që të vijë ta rregullojë. Por kur ti e ke shtëpinë tënde, nëse thyhet diçka është përgjegjësia jote për ta rregulluar. Ka shumë besimtarë që kanë marrë “me qera” një karrige te kisha.
Është shumë më e lehtë për të kritikuar sesa për t'u mobilizuar. Një citim thotë “Monumetet nuk u janë ndërtuar personave që kanë kritikuar gjithë jetës por për ata që kanë qënë të kritikuar gjithë jetës.” Nëse duam të sjellin ndryshim, duhet të marrim përgjegjësi, të drejtojmë, të bëjmë dhe të përfshihemi në familjen e madhe që quhet kishë.
Lidership në kishë nuk ka kuptimin e një pozite të fituar por sa produktiv je. Nëse një kishë ka vetëm ndjekës dhe asnjeri nuk po drejton ose nuk bën gjë, do të vijë një ditë që ajo kishë do të vdesë. 

6. Zemërohu nëse nuk të kanë caktuar drejtues aty ku doje ti.  
Shumë njerëz në kishë janë të fokusuar te titulli. Duan të jenë drejtues, duan të jenë diku në skenë, të jetë e dukshme ajo që po bëjnë, duan të jenë pastorë dhe kur nuk e marrin pozitën që duan fillojnë të bëjnë sherr dhe rremujë në kishë.
Kjo është shenjë dalluese e krenarisë së këtij personi që ka qënë në gjendje të fjetur por tani po e nxjerr kokën. Dhe krenaria është vrasësi më i madh i kishave.

7. Mendimin tënd mos e jep në takim diskutimi... prit kur të MBAROJË takimi  
Shenjë dalluese që një kishë është në “shtratin e vdekjes” është kur bëhen takime diskutimi njëri pas tjetrit. Dhe në takim kur janë të gjithë aty, asnjëri nuk e ngre zërin, por kur janë më vete, rrugës për shtëpi apo te kafja vetë për vetëm, aty hapin zemrën dhe i thonë njëri tjetrit: “Gjërat duhen bërë kështu e ashtu dhe jo siç i bën ky/kjo”. Kjo është e dëmshme, është “thikë” pas shpine për kishën. 

8. Bëj minimumin e mundshëm
Eja në kishë të dielën dhe ik në shtëpi, mos bëj asgjë, mos i jep muhabet asnjeriu, mos u lidh me asnjeri në kishë, jep monedha por jo të 1/10. Bëj sa më pak që të mundesh.
Dhe e keqja më e madhe e kësaj është se atë që bejmë më pak gjithmonë kritikojnë ata që po bëhen copash për kishën. Ankohen sesa pak po bëjnë ata, por vetë nuk lëvizin as majën e gishtit për të sjellë ndryshim. Thjesht rrinë si spektatorë ndërsa kisha shkon drejt fikjes.

9. Kur vjen puna te paratë, jep vetëm bakshish
Që shërbesat të bëhen duhen para, nga ana administrative deri te çdo shërbesë që bën kisha. Kur nuk japim nga paratë tona për shërbesat e kishës, financat do të jenë të pakta. Nëse japin vetëm kur ndihemi mirë, vetëm atë të diel kur na shijon është sikur të lësh baksish pasi ke ngrënë një drekë të mirë në restorant. Kisha është familje, dhënia në familje është përkushtim, nuk është sipas asaj që ndihesh për momentin.
Dhe për shkak se kisha duhet të paguajë qera, drita, ujë, internet, qerasje dhe gjëra të tilla, nëse njerëzit nuk japin do të thotë që s'i bën dot pagesat, që do të thotë se duhet të mbyllet.
Ka njerëz që thonë “kisha gjithmonë të kërkon para”. Po të njëjtën gjë mund thuash për çdo qendër tregëtare ose dyqan, sa herë që shkon atje të harxhohen lekët dhe përsëri njerëzit shkojnë. Nëse nuk janë paratë shërbesat që mund të bëjë kisha do të jenë minimale.
Kur ti ndalon së dhëni ndikim që përhapet, kisha jote do jetë duke u zvogëluar çdo ditë.  E fundit…

10. Mos i trego askujt për besimin tënd
Qëllimi kryesor i kishës është t'u tregojë të tjerëve për dashurinë e Perëndisë. Kur anëtarët e marrin seriozisht këtë gjë, ata bëhen “mini-kisha” aty ku janë, në jetën e përditshme dhe njerëzit dëgjojnë, pranojnë dhe besojnë te Perëndia. Në fundjavë mblidhen në shtëpinë e Zotit për t'u rritur më shumë në besim.
Kisha ka nevojë të rregullt për “transfusion”, kur njerëzit e rinj vijnë në kishë sjellin gjallëri dhe gëzim. Të rinjtë e lëvizin kishën që të mos ngelet në traditat e vjetra por të synojë përpara. Sjellin perspektivë të re dhe e mbajnë të gjallë kishën. Kështu që mos e vrit kishën tënde por shko dhe sill persona të rinj duke filluar nga kjo javë.  

Këto janë 10 mënyrat që e “vrasin” kishën tënde. Mund të ketë dhe të tjera por këto janë si më të rrezikshmet.
Një ditë, shumë shpejt, ndikimi i Perëndisë në këtë vend do të jetë shumë i madh, dhe e di si do të ndodhë? Kisha e Tij do të jetë “dritë dhe kripë” për atë qytet/fshat/lagje. Dhe që ajo ditë te vijë sa më shpejt le të bëjmë gjërat e vogla mirë. Kur kujdesemi, kur jemi besnik për gjërat e vogla Perëndia do të na bësojë gjëra të mëdha.

Nëse ke diçka tjetër që duhet shtuar në këtë listë shtoje te komentet.
Paç një ditë super! 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>