Ka shumë gjëra që bën pastori i një kishe, që nuk shikohen në një javë normale. Madje ka persona që e dëshirojnë rolin e pastorit sepse duket sikur ai nuk bën asgjë tjetër veçse predikon të dielën dhe do të ishte mirë të kishe një punë të tillë që punon një ditë në javë.
Mua vetë më kanë thënë persona disa herë dhe në formë shakaje: “Ti po që ke punë të mirë, një ditë në javë punon.” Ose në forma të tjera: “Po po, ti e ke në terezi, se nuk punon si unë 6 ditë në javë”. Disa herë lëndohesh sepse në realiteti ti bën shumë gjëra, mbush role dhe shumë përgjegjësi dhe kuptohet sikur nuk po bën asgjë gjithë javës.
Po çfarë bën pastori përveç të dielës?
Nuk po i them këto gjëra për t'u ankuar por më shumë për të informuar. Sepse unë për shembull nuk e di se çfarë bën një doktor ose një trajner gjithë javës kur s’ka pacientë ose nuk ka ndeshje. Çdo profesion ka përgjegjësitë e veta që nuk i di nëse nuk pyet ose nuk je duke e bërë vetë atë punë. Nëse më pyet mua për pastorët, ata bëjnë shumë gjëra njëherësh dhe nuk ka dy ditë që bëjnë gjëra të njëjta. Ja t'i radhis disa.
1. Këshillues. Gati të gjithë pastorët bëjnë këshillim dhe shumica e kanë të vështirë sepse nuk janë këshillues të kualifikuar për atë rol. Dhe përsëri pritet që kur dikush të fton për kafe shumica e bisedës është këshillim për një situatë të caktuar. Këshilla për punën, shkollën, lidhjen, fejesën, martësën… Disa kanë vështirësi në punë, duan ta lenë punën, duan të fillojnë punë ose për t’iu gjetur punë dhe e vlerësojnë mendimin e pastorit në situatën ku ndodhen.
2. Trajnues. Shumicën e herëve pastori po trajnon dikë për një pozicion shërbese. Sepse në kisha ka role të ndryshme dhe njerëzit kanë dëshirë të ndihmojnë por kanë nevojë për t'u bërë gati për atë gjë që duan të bëjnë. Dhe pastori është duke i mësuar si t'i bëjnë gjërat nëse do të bëjnë diçka të lehtë apo më teknike. Dhe nuk ndalon aty; do të sigurohesh që po përmirësohen rrugës.
3. Pastrues. Sigurisht që pastrimi dhe systemin e ndërtesës ndihmojnë edhe të tjerë. Por nëse shikoj rrëmujë, koshat e pazbrazur, banjo pa letra higjenike, pa sapun, salla rrëmujë. Madje ka pastorë që bëjnë të gjithë pastrimin dhe sistemimin e ambjentit sepse kisha është e vogël në numër dhe nuk ka kush të ndihmojë.
4. Albitër. Gjendesh shpesh mes tensioneve ose mosmarrveshjeve që kanë dy njerëz ose dy pale dhe kërkohet nga pastori që t’i pajtojë ose t'i bashkojë. Disa herë janë dhe tensione në lidhje, martesë ose tensione në punë, në shkollë. Njerëzit duan një palë të tretë që është objektive dhe shpesh i kërkojnë pastorit ndihmë: “Po ti pastor, çfarë mendon?”.
5. Punë Sociale. Punë sociale do të thotë: të përmirësosh cilësinë e jetës së një personi, familje, çifti, grupi, komuniteti me burimet, aktivitet, ngjarje, gjëra praktike, në kohë krize ose kohë tensionesh. Pastori është duke bërë një nga këto gjëra herë pas here.
6. Kordinimi i vullnetarëve. Çdo pastor duhet të mësojë dhe të dijë si të kordinojë njerëzit që duan të ndihmojnë dhe bëjnë diçka. Por çdo njeri është ndryshe, ka kohë të lirë në ditë të ndryshme, ka dhunti dhe aftësi të ndryshme.
7. Menaxher Eventesh. Edhe nëse nuk merret me të gjitha detajet e eventit pastori ka përgjegjesi në çdo event. Unë nuk ia them shumë për detajet dhe sa mirë që kam njerëz në skuadër që janë të zotë për detaje që mund ta plotësojnë këtë rol më mirë. Por nuk ka ngjarje që të mos jem duke bërë diçka, disa herë më shumë disa herë më pak.
8. CEO. Shiko, CEO, koka e kishës është Krishti Jezus. Ai është pronari i saj dhe ne sigurojmë drejtim të përditshëm ndaj kishës së Tij nën drejtimin dhe parimet e Tij. Por ama pastori pritet të drejtojë shumë aspekte të kishës. Të marrë vendime, të ndjekë vendimet. Të sigurojë njerëz dhe burime për ta plotësuar atë vendim. Dhe kjo të merr një pjesë të mirë të javës dhe jo çdo pastor mund ta bëjë siç duhet këtë rol. Sepse është diçka shumë e vështirë sepse duhet marrë disa herë vendime të vështira dhe pastori është me zemër të butë ndaj njerëzve.
9. Gjetja e fondeve. E di që asnjeri s'e ka qejf muhabetin e parave në kishë. Por pasi ke marrë thirrjen nga Zoti për ta filluar kishën, dy gjëra kanë shumë rëndësi, menaxhimi i njerezve dhe gjetja dhe menaxhimi i parave. Dhe pastori pritet të jetë siguruesi dhe ai që gjen paratë për qeranë, shpenzimet, pagesat, taksat… Dhe jo çdo pastor është i aftë në gjetjen e fondeve, kjo është punë e vështirë.
10. Rekrutues. Nuk ndodh kisha nëse nuk ka drejtues dhe vullnetarë. Pastorët janë gjithë kohës duke kërkuar njerëz të rinj për t'i përfshirë në shërbesa dhe gjërat e kishës. Dhe nuk është e lehtë, aq më shumë që nga vendi ynë largohen shumë të rinj dhe ata janë shumica e vullnetarëve dhe drejtuesve në kishë.
11. Studiues. Unë nuk jam më i mençuri në kishën time. Por kisha ka pritje që ajo që do të ngjajë, do jetë diçka e re, e kuptueshme. Presin që unë të marr vesh nga historia, ta njoh mirë Biblën dhe gjërat që po ndodhin përditë në Shqipëri dhe në botë. Shumë presin që pastori të jetë dhe orator i mirë, që lexon shumë dhe është i kuruar nga mënyra sesi komunikon.
12. Shkrues. Gjatë javës më duhet të shkruaj mbi 10 shkrime plus mesazhit të dielën. Të shkruaj te kjo faqe, të bëj postime nëpër media sociale, nëpër grupe. Ti shkruaj e-maile me të rejat e fundit kishës apo të mbaj komunikim të mirë me donatorët.
13. Manaxher. Çdo pastor menaxhon dikë edhe nëse ai është vullnetar. Madje menaxhimi i vullnetarëve mund të jetë më i vështirë.
14. Sekretar. Nuk ka më, thuaj diçka të dielën dhe njerëzit do ta mbajnë mend. Njerëzit janë të shpërqendruar dhe duan t'ua kujtosh gjërat shpesh. T'i marrësh në telefon, t'u shkruash e-mail, sms, messenger, Instagram, Whatsapp, viber, telegram, zoom…. Mbajtja e komunikimit të vazhdueshëm me njerëzit po bëhet ngarkesë e madhe dhe në rritje për pastorët.
Dhe akoma nuk i kam radhitur të gjitha. Por ajo që dua të them është se, pastori nuk bën vetëm predikimin të dielën. Vetem predikimi do nga 8 orë deri në 20 orë në varësi të temës, të gjërave që ke gati ose jo. Një deri në tre ditë kërkon përgatitja e një mesazhi të mirë.
Nuk kam përmendur përgjegjesinë ligjore sepse pastori është drejtori ekzekutiv i fondacionit në shumicën e rasteve, sigurohet që janë bërë pagesat në kohë. Pa permendur pasojat e pandemisë, tensionin e largimit të njerëzve, duket të sjelle novacion, ide të reja, disa herë pritet që të jetë edhe kitarist dhe këngëtar i mirë, humorist dhe gjuhëtar i mirë….
Kjo nuk është për të dekurajuar pastorët e rinj. Nëse Perëndia të ka thirrur Ai do të të pajisë dhe do të sigurojë njerëzit, burimet dhe çdo gjë të duhet.
Një nxitje të vogël, kur luteni përmendeni herë pas here pastorin tuaj në lutje, që Zoti do ta fuqizojë, do t'i japë urtësi dhe gjërat që i duhen që të ketë sukses në shërbesën që i ka besuar Zoti.
Jam shumë kurioz, çfarë është një ose disa që kam lënë pa thënë, e sigurtë që ka më shumë.