4 Janar

7 Risi Në Kishë Gjatë 2023

Edhe pse u bë kohë që ka kaluar pandemia, shumë kisha akoma nuk e kanë marrë veten dhe të kenë atë vrullin që kishin para saj. Duke shtuar dhe faktin që shumica e kishave kanë të rinj në kishë POR ama shumë të rinj po largohen nga Shqipëria. Këtë vit na duhet të merremi më shtruar me problemin e rënies së pjesmarrjes në kishë, si të kthehemi në ritmet “normale” të saj, nëse ka diçka që mund ta quajmë normale. 

Së pari, edhe pse duken grupmosha më e vështirë, duhet të jemi më të gatshëm për të arritur të rinjtë me ungjillin. Për të arritur, plotësuar vizionin që Perëndia të ka vendosur në zemër duhen njerëz për të shërbyer bashkë me ty si dhe financa (nga e dhjeta e kishës, projekte, donatorë..) Dhe të rinjtë janë ata që do të bëjnë punën e madhe bashkë me ty. Kështu që syno fort t’i arrish ata me ungjillin këtë vit.

Së dyti, për të arritur një brez të ri, pastorët, drejtuesit duhet të jenë më mendje hapur. Brezi i ri është kurioz për gjërat e mbinatyrshme, po vendosin besimin te kristalet, horoskopët, besytni të ndryshme, do të thotë se ata e kanë dëshirë për t'u lidhur me një gjë më të madhe se vetja dhe kapen pas diçka që po bëjnë moshatarët e tyre. Ti ke mundësinë t’ju prezantosh lidhen e drejtpërdrejtë me Krijuesin nëpërmjet Krishtit. Ndryshimi që duhet bërë është mënyra sesi u afrohemi atyre dhe si ua prezantojmë lajmin e mirë dhe mesazhet të dielave. Këtu na duhet urtësi nga Perëndia sesi t’i lexojmë të rinjtë dhe t'ua sjellim ungjillin në formë që ata e kuptojnë më mirë. 

Së treti, nevoja për shërbesën online nuk do të mbarojë. Madje prezantimi i bukur online i shërbesave, festimeve do t'u nxisë dëshirën që ata të vijnë fizikisht te kisha. Sugjerimi më i duhur do të ishte; personi që merret me shërbesat online të jetë sa më afër me moshën e të rinjve që do të arrish. Të rinjtë para se të vijnë për ta parë nga afër do të donin të kishin një ndjesi online së pari, si është, a ia vlen, pse të shkoj…. Kështu që këtë vit, nëse ke shërbesë online, multimedia …. zgjerojë një çik më shumë, nëse nuk e ke, filloje që këtë vit, madje që këtë muaj. 

Së katërti, mesazhet, predikimet e të dielës në kishën lokale nuk e kanë fuqinë që kishin më parë. Sepse njerëzit hyjnë në youtube dhe ndjekin predikuesët më të mirë në botë. Të kërkoj ndjesë nëse kjo të bezdis, predikimet e tua janë të veçantë dhe ti ke punuar shumë orë për atë mesazh. Thjesht dua të jesh i vetëdijshëm për mesazhet pafund që janë online. Jepi rëndësi mesazhit, predikimit, puno fort për një super mesazh POR… mos nënvlerëso gjërat e tjera, koha para dhe pas festimit, sigurohu që njerëzit rrinë më gjatë bashkë, ambjenti i fëmijëve, vendi ku mblidhen të rinjtë, gjej mënyra sesi njerëzit të lidhen sa më shumë bashkë. Krijo përjetime që dikush nuk mund t’i gjejë online. 

Së pesti, rrite grupin e personave që mund të predikojnë, sidomos me të rinj që kanë atë dhunti. Disa herë, pse jo, mesazhi të jetë në video nga një predikues i njohur që e njeh ti dhe kisha. Sigurisht që fuqia e zërit tënd nuk do të bjerë sepse ti je vizionari i asaj shërbese dhe njerëzit natyrshëm do të jenë të lidhur me ty si vizionari dhe pastori i kishës.

Së gjashti, vështirësia për vullnetarë do të rritet. Ashtu siç po bëhet vështirë për të gjetur punëtorë. Kjo mund të ndryshojë te kisha jonë, nëse ti ndryshon pyetjet. Mos e ki mendjen se çfarë mund të bëjë vullnetari te kisha jote, por çfarë mund të bëjë kisha për të. Ajo që mund të bëjë kisha është të nxjerrë në pah dhuntitë që i ka dhënë Perëndia atij personi dhe si ta fuqizojë në ato dhunti. Mos ta shikojë vetëm si dikush që do të shërbejë në një vend, se nuk kemi njerëz sot aty. Ata duan vlerësim, që dikush po i shikon, po i vlerëson çfarë po bëjnë ata. Nuk është puna më si të mbushim sallat e kishave por si t’i fuqizojmë njerëzit. Mos I thuaj, a do rrish te mikpritja sot, se s’kemi njeri, por, duket që ti ke dëshirë të mirëpresësh njerëz dhe të jep gëzim kjo gjë, a do e përcjellësh gëzimin tënd te mikpritja sot? 

E fundit, pastorët do të qetësohen më shumë këtë vit. Sepse niveli i stresit të atyre në drejtim ka qënë shumë i lartë. Por do të qetësohen sepse do të kuptojnë që tani do të merrem me kishën që kam, jo me ato që kam patur në kishë atëherë, jo me atë lloj kishe që kam dashur të kem gjithmonë, por me njerëzit realë që janë aty sot. 

Këto janë thjesht vëzhgime dhe ide, nëse nuk shkojmë me kontekstin ku je, e kuptoj. Uroj që një ose dy prej tyre do të bëjnë punë. Të lutem, lexoje këtë shkrim me mëndje të hapur, jo për ta analizuar çfarë kam thënë gabim. Të dua të mirën, lutem për ty, uroj dhe të bekoj me zemër që ky vit do jetë ndryshe për ty dhe kishën tënde. Ndryshe nënkuptoj: Plot me njerëz të rinj që rrinë dhe stabilizohen në familjen e re, në kishën e tyre lokale. 

Ndërkohë që po lexoje këto 7 ide, çfarë do shtoje ti vetë një ose dy ide të tjera, çfarë duhet të bëjmë ndryshe këtë vit? 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>