A i shikojmë festimet/shërbesat e kishës me syrin e dikujt që nuk është i krishterë?
Nuk jam i krishterë, por këtë të diel dua të vij te kisha jote. Dhe mos ki shumë pritje nga unë. Sepse po më doli ndonjë gjë edhe mund të mos vij, por me qejf e kam. Ndjej që duhet të vij, por akoma s’e di pse. Ndoshta ngaqë më lutet shoku im pafund, ndoshta është diçka tjetër.
Por ama ja se çfarë duhet të dish kur të vij atje:
1. Unë s’do të kuptoj gjë nëse përdor terma biblikë. Unë nuk i kuptoj shprehjet: Perëndia po lëviz brenda meje, jam mbuluar me gjak, vetja duhet të vdesë, vajosur, ji me Fjalën, gjaku i Qengjit... Nëse biseda do të jetë me terma të ngjashme, unë s’do të kuptoj gjë, madje do të mendoj që ti ke shkarë pak nga mendorja.
2. Kur do të më pyesësh si jam, mos prit ndonjë përgjigje kushedi, se unë s’të njoh. Me shumë gjasa do të gënjej dhe do të them, jam mirë, jam mirë. Unë kam 100 gjëra për të thënë por akoma s’kam besim që mund të hap zemrën me ty. Po sikur të tregosh ti gjëra nga jeta jote? Nëse më pëlqen muhabeti me ty mund të tregoj dhe unë pak nga jeta ime.
3. Shiko, unë mund të them ndonjë fjalë të pahijshme ose ndonjë ironi. Dhe po më bëre si shumë kompetent, unë ika. Nëse ti mezi po pret të flasësh dhe nuk po më degjon fare mua, as unë s’do ta var ty, që ta dish. Mos prit që unë të jem si ty.
4. Se mos më prezanton mua para të gjithëve. Se do të më vësh në siklet nëse më thua, të çohet në këmbë kush është i ri dhe të thotë sesi e ka emrin dhe nga ka ardhur. Sepse unë kam ardhur sa për parë, nuk e di a do të vij përsëri. Kam nevojë që të jem i tërhequr dhe do të ulem në fund, afër derës.
5. Unë do të jem duke të parë, a do të tregoni interes të sinqertë ndaj meje ose jo. Nuk dua të më shikosh si synimin tënd, personi që do të pranojë Jezusin sot prej teje. Nëse ky Jezusi është kaq i mirë sa më thua ti, po pres ta shikoj një herë sesi po e reflekton ti Atë. Pastaj do të bëj zgjedhjen time. A e lemë kështu apo jo?
6. Mund të më dalin pyetje. Më duhet e vërteta, jo çfarë mendon ti apo çfarë mendon kisha jote, por çfarë thotë Bibla për këtë gjë.
7. Kam dëshirë të ndihem i mirëpritur. Sepse kam qenë në një vend tjetër jo vetëm që s’më foli njeri që kur hyra e deri kur dola por më kërkonin të hidhja lek te një shportë, hodha nja 20 lek sa për të kaluar radhën. Por para se të më kërkoni diçka dua së pari të ndihem i mirëpritur.
Faleminderit që më dëgjove. Ka shumë gjasa që do të vij këtë të diel te kisha jote por edhe mund të mos vij.