10 Maj

Cili Është Hapi i Parë Në Kishëmbjellje?

Siç e thashë javës së shkuar, fillimi dhe rritja e kishës ka 5 hapa, janë me detaje aty por çdo të mërkurë do të shkuaj më shumë për secilin nga këto hapa që janë: 1-Ëndërra, vizioni. 2-Ndërtimi i skuadrës. 3-Fillimi i kishës. 4-Rritja e kishës. 5-Shumëfishimi i saj.   

Shtatë Hapa Në Zbulimin e Vizionit! Le të shikojmë me nge sesi ta zbulosh vizionin tënd për kishën apo shërbesën e re.

Ta them nga fillimi: Sigurohu Që Kjo Është Thirrja Jote dhe që s’ka gjëra të tjera nëpër mendje. Kam 30 vite që njoh Krishtin, këtë javë bëra 28 vite shërbesë, që nga 3 maj 1995. Kam parë shumë, kam provuar shumë, kam dëgjuar shumë, që nga 1996 kam qenë nëpër takimet e VUSH dhe konferenca. Dhe kam dalluar plot arsye të gabuara për të filluar një kishë.
Ja disa… 
a-kur nuk të pëlqen autoriteti, të pëlqen më shumë koka jote dhe idetë e tua. Nuk ndjek dot dikë. Krenaria dhe arroganca nuk janë aryse të mira për të filluar një kishë të re. 
b-do t’i bësh gjërat siç do ti, kontrolli. S’po bën gjë ky pastori ku jam, di më mirë unë sesi t’i bëj gjërat.
c-po bëjnë të gjithë kishë dhe nuk janë më të mirë se unë. Kishat e reja janë trend tani, është cool me fillu një kishë të re. Tredi i radhës është bërë shërbesa online. Po e bën filani që s’di me lidh dy fjalë mos të nis unë kaq i zoti sa jam. Mund të jesh shumë i zoti, por të duhet thirrja jote personale, jo thirrja e të tjerëve. 
e-del nga varfëria, tha njëri: -shikoj që disa pastorë kanë bërë hajër, kanë makina, shtëpi, gjendje të mirë. Ata ishin “pabuksa” më përpara, tani janë bërë bosa. Do e filloj dhe unë një kishë
f-për inatdo bëj një kishë më të mirë se ai, ta shofi ai sa i zoti jam, nuk më vlerësoi, ja ta shikojë kur t’ia marr në kthesë. Po mirë, ja ia kalove, çfarë do të bësh pastaj, por po nuk ia kalove dot, po nëse ajo kisha që po krahasohesh mbyllet, çfarë do të bësh pastaj?
Nëse nuk e ke të qartë thirrjen, nxitjen për të filluar një kishë të re, mos u ngut, sigurohu që është thirrja jote personale. Le të vazhdojmë te hapi tjetër.

PSE të fillosh një kishë të re?
Pasi e ke të qartë vizionin, fillo t’ju japësh përgjigje pyetjeve të tjera: Ku do ta fillosh, zona, lagja, qyteti, fshati. Cili ëhstë vizioni, vlerat, skuadra, financat? 

Filloje me këtë pyetje së pari: Cili është motivi im? A ke zemër për të humburit? A të dhemb zemra për ta. A e ke thënë ose menduar këtë gjë, dua që çdo njeri të njohë Krishtin që njoh une.?!
A e ke mendjen tek të humburit? Apo do ta fillosh për  prestigj, për të qenë dikushi, për të përfituar… 

Në disa qytete është e lehtë të grumbullosh një dorë të krishterësh bashkë, por a po fiton ndonjë që se njeh Krishtin? Jezusi ishte me të humburit, e kishte mendjen tek ata, bënte për ta, nuk mblodhi fetaret, ata që thonin se e njihnin Perëndinë. Nëse nuk e ke zemrën tek të humburit do të zbulohet gradualisht që nuk kishe merakun e tyre dhe do të dalë se ku e kishe mendjen.  

Vizion nga Perëndia. A kam një vision të qartë nga Perëndia që është specifik vetëm për mua, nuk ngjan me kishat e tjera. Ore, a është nevoja të bësh një kishë të ngjashme si ajo kisha tjetër?
Pyete veten: Pse duhet kisha ime, kujt do i shërbejnë? A mund ta thuash vizionin me pak fjalë? Si e imagjinon kishën tënde? Nëse nuk ke një pamje të qartë sesi do të jetë, ka gjasa nuk është nga Zoti. 

P.sh. ëndrroj një kishë për brezin e ri, për familjet, për studentët, për të rinjtë, për lagjen, për familjet në nevojë, për të rinjtë në punë, për të papunët, për emigrantet e kthyer neëShqiperi, online, për ata që janë në punë kyçe në shoqëri…
Kur e pëlqen një model kishe, ke deshirë ta kopjosh atë, por modeli yt duhet të jetë unik, të ketë ngjyrat e veta, që si ka njeri tjetër. Nuk duhen dy kisha njëlloj në një vend. Zgjidh një vend ku nuk është njeri nëse modeli është njëlloj. Siç tha Pali, nuk mbolla mbi themelin e dikujt tjetër. Por disa herë kapim ato frytat që janë të kollajta, s’na e mban të hipim në pemë, të kërkojmë Zotin me ditë, me javë, me muaj: Çfarë është unike për mua, çfarë ke ti për mua. Kërko Zotin për një gjë shumë specifike. 

Targeti, kush është grupi që do të synosh të arrish, grupmosha, me kë lidhem më kollaj. Ka disa që lidhen kollaj me të gjithë, por nuk iu vjen natyrshëm të gjithëve. Një ide, audienca që të dëgjon dhe e vlerëson atë që po thua ti janë 10 vite më të rinj se ty. Por ama gjeje grupin që do të arrish. Sepse në bazë të tyre do të bësh ungjizimin, formën e kishës, nëse janë çiftet duhet një vend i mirë për fëmijët. Nëse janë studentë, të ngjajë më rinore…. bëj profile, mbushi me fjalë, bëj detyrat e shtëpisë.

Profilet që bëra për kishën e re quheshin, Arbëri dhe Arbana dhe e mbusha me detaje duke i takuar dhe pyetur shumë prej tyre. Ku e kalojnë kohë, çfarë pëlqejnë, çfarë po synojnë, çfarë mendojnë për jetën, të ardhmen, Zotin, muzikën, kishën… Mosha mesatare për targetin tim ishte 25 vjeç.
Kishim një organizatë që na tha, “kemi 200 pako ushqimore, dëgjuam që po filloni kishë të re, ty dhe Adën ju respektojmë dhe duan t’ju ndihmojmë në projektin e kishës së re.” Ne thame, a e do këtë Arbëri dhe Arbana? A ndihen të vlerësuar nëse iu japim një pako ushqimore? Jo! Arberi dhe Arbana nuk do i marrin. Atëherë bëmë diçka ndryshe, bëmë mbrëmje Xhazi nga një Super bandë. Nxitën skuadrën, fto një shok, ka një pije falas. Dhe anëtarët e Xhazin ndanin dëshminë e tyre pas çdo 3 këngësh. Ishte “nona” fare. PSE, sepse targeti e përcakton, çfarë lloj ungjillizimi do të bësh. Vendos te grepi, atë që “ha peshku” sepse jemi peshkatarë njerëzish. Peshku te liqeni i fshatit tim, bie vetëm me grurë të mufatur, gruri lihet gjithë natën në ujë të ngrohtë, e ushqen pellgun me të dhe grepit i vë grurë. Peshku te ky liqen nuk bie me krimba, insekte, jooo, do grurë. Njihe mirë grupmoshën, targetin që do të arrish! 

Si Të Ka formuar Zoti ty? A jam unë personi i duhur për të mbjellë këtë kishë? Shiko si të ka formuar Perëndia ty, cilat janë dhuntite e tua frymërore, aftësitë, pasioni, personaliti, përvojat (çfarë ke bërë në të shkuarën, ku ke patur sukses) sepse ti ke dhunti që s’i ka njeri, por a shkojnë me kishëmbjelljen. Kishëmbjellja do dhunti të veçanta si: lider (fillon gjëra të reja), predikues (e njeh Shkrimin dhe di ta predikosh), pastor (kujdesesh për njerëzit).
 
A ke përvoja në fillimet e reja? A fillove ndonjë gjë nga zero kur ishe në shkollë të mesme… nese s’ia ke haberin fare për të filluar diçka të re, je në vështirësi. Mund të jesh pjesë e skuadrës por jo personi që e fillon. Nëse s’ke përvojë fare me fillimit e reja dhe do e fillosh kishën gjithësesi, sigurohu që po afron të tjerë në skuadër me ato aftësi, që dinë të fillojnë gjëra të reja.
Kur isha i vogël doja të bëja gardhe të reja, rrugë të reja për të shkuar te ujëvara, modele portash të reja, ide sesi të ndanim kasollen e kafshëve sepse kishim 4 dele, 5 dhi, 2 gomarë, 2 lopë, keca, qingja në një vend.
Fillova një kishë të re në fshatin më të vështirë, projekte të reja në fshat. Provova të filloja kishë me filmin Jesus në bashkëpunim me IJR-në (ishte dështim total). Provova një anketë me pagesë, Pagova 100$ ua dergova emailin 150 mijë adresave emailin dhe 1.200 kthyen përgjigje. Akoma provoj gjëra të reja gjithë kohës. Kisha që po drejtoj ishte risi, fillova kishën online para 8 vitesh, (5 vite para pandemisë), program me intervista të VIP, shërbesa, kampe, ëorkshops, qendra Xhonatan, Night to shine etj…  

A ke një kishë që po të nis, suporton, një rrjet? A ke mbështetjen e një kishe që të mbeshtet, një rrjet, ca miq. Si martesa, shkon më mirë kur vjerri me vjerrën të duan, shkon më lehtë martesa ashtu. Të mbulojnë shpatullat kur ke nevojë, të japin ndonjë lek në fillimet e para, të gatuajnë ndonjë herë. Por kur nis një kishë dhe s’të mbështet njeri, merre si shenjë: Kujdes mund të ketë rreziqe, mos po e nis për ndonjë arsye të gabuar, hetoje zemrën. Është një thenie: Aty ku Zoti mbjell një kishë, djalli mbjell një kishëz”. Kur fillon shërbesë të re, kishë të re, po pushton territore të reja dhe po hyn në luftë frymërore, të duhet mbeshtetje si në lutje dhe mbështetje emocionale. 

Nëse ka ndodhur që je ndarë keq nga kisha mëmë, prit mos fillo direkt, rregullo zemrën tënde një herë. 60-80% e kishave të reja në botë, nisin nga ndarje kishash, pak nisin të dërguar nga kisha mëmë ose nga studentë të shkollave biblike. Nëse ky është rasti yt, sigurohu që e ke zemrën në rregull, të qetë, ke falur, me aq sa varet nga ty, jeton në paqe me te gjithe.
Nese fillon me mosfalje, do hidhërosh skuadrën dhe të tjerët. Ka kisha në tiranë që çdo 3-4 vjet iu ikin grupe dhe ata fillojnë kisha të reja. Disa ecin, disa mbyllen. Por sido që të jetë, kurrë mos flisni keq për ish-pastorët tuaj, po le model për skuadrën tënde, si duhet të sillen ata me ty, me nderim apo duke bërë thashetheme pas shpine. 

A ështe thirrja jote e vetme? Nëse është thirrja jote, nuk rri dot pa e bërë atë gjë nuk ke rehati pa e filluar. Është thirrja jote, po se bëre nuk ndihesh i plotësuar si Ester, Perëndia e thirri për një kohë të tillë.
Kur u përpoqa me filmin Jezus për të filluar kishë, verë 2007, ishte dështim komplet. Pastaj doja të bëhesha palë me një kishë ekzistuese. Në ato kohë dyshova thirrjen, mos nuk jam për këtë punë, mos nuk e kam dëgjuar Zotin mirë. Por te ajo kisha tjetër nuk e gjeja veten. Nuk kisha rehati, Zoti më ka thirrur që të nis një kishë të re dhe jo për tu ulur në një kishë tjetër. 

Sepse kur has vështirësi, si thashë kur has? Jo, jo troç fare, do të hasësh vështirësi. Kishëmbjellja është si sport extrem, adrenalina në kulm. Zoti hap ca dyer që ti nuk e mendoje se ekzistonin. Pastaj, të tradhëton shoku me i ngushtë, ai që ke besuar më shumë. Një nga donatorët kryesor të thotë, jo. Sfida me shëndetin, me familjen, aksidente të çuditshme. Je në luftë frymërore. POR, ajo që të mban në këmbë është THIRRJA jote.
Ti kthehesh te thirrja që të ka dhënë Zoti. Ai që me solli deri këtu do të më ndihmojë edhe më. Do të kesh momente kur do të jesh vetëm, s’të kupton njeri. Je ti dhe kompjuteri yt, kaq. Thirrja të mban lidhur me Perëndinë. 

Kishëmbjellësi i mirë është ai që: Nuk bën dot asgjë tjetër më mirë se kjo. Nëse mund të bësh një punë, një gjë tjetër më mirë se kjo, mos e fillo kishën por bëj atë gjënë tjetër. Si Romakët, kur shkonin për të pushtuar territore të reja, shkonin me anije dhe pastaj i digjnin anijet. Nuk ka me kthim mbrapa. Kur has vështirësi do të kesh dyshime: Ah ta kisha filluar një biznes, po të kisha filluar filan punë, po të kisha ik në Gjermani, po të kisha, po të isha. Nëse di të bësh diçka tjetër më mirë, shko bëj atë gjë.
Sepse kur ti+Perëndia+thirrja jote janë bashkë pasionin e ke brenda teje, s’ke nevojë të frymëzojë njeri. Ti zgjohesh në pikë të mëngjesit gjithë gëzim. Kjo është gjëja e jetës time, unë s’di gjë tjetër!

Një gjë të fundit: Metodat ndryshojnë gjithmonë, mesazhi nuk ndryshon asnjëherë. Ka njerëz që i ngatërrojnë. Mendojë që nëse ndryshon metodat, mendojnë që po ndryshon mesazhin.

Kjo që lexove është 20% e përgatitjes për kishën e re. Për disa të mërkura do të vazhdoj të shkruaj për 4 hapat e tjerë. Por jam i gatshëm për tu ulur me ty dhe skuadrën tënde sepse ka edhe plot gjëra të tjera:
Ngritja e fondeve. Kur është koha për tu rregjistruar në shtet si fondacion, po në vush, detajet e ndërtimit të skuadrës, çfarë të bësh në takimet e skuadrës. (miqësi, mesazh, strategji), si të bësh disa ngjarje para se të fillojë kisha. Si të bësh një super Grand Openning që gjithë zona e synuar ta marrë vesh që ka filluar dicka aty. Si ta ndikosh komunitetin, cila do të ishte shërbesa e duhur jashtë kishës për ju? (për ne është sindroma doën, pse kjo dhe jo nje tjeter?). Media sociale, ku ta fillosh, si ta përdoresh, si ta rritesh
etj etj … 

Uroj shumë që po trazohesh dhe kjo që po lexon është më shumë si hapje oreksi për tu përgatitur për atë që Zoti të ka vënë në zemër. Ki uri për të lexuar, për tu përgatitur sa më mirë për atë që Ai të ka thirrur.  


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>