Problemi në kisha shpesh del ndryshe. Ka vizitorë, ka pjesëmarrje, vijnë të rinj, nuk është problemi te dera kryesore, problemi është te dera e pasme. Njerëzit nuk rrinë gjatë në kishë. Nëse vetëm ½ e atyre që vizitojnë kishën në vit qëndrojnë, i bie që kisha të paktën do të dyfishohet. Prandaj pyetja del: "Si ta mbyllim derën e pasme? Çfarë të bëjmë që njerëzit jo vetëm të mos ikin nga kisha, por të jenë pjestarë aktivë në kishë?"
Në një kërkim të bërë në mijëra kisha, janë gjetur 4 karakteristika të përbashkëta që kanë kishat me pjesëmarrës aktivë dhe sesi i përfshijnë njerëzit në kishë. Por këto kisha që e kanë mbyllur derën e pasme, janë të pakta në numër, sepse zgjidhja është e lehtë në teori por jo aq e lehtë në praktikë. Ja t'i shohim këto 4 mënyra që në shumicën e kishave kanë dalë efektive.
E para: Kërkesë e lartë ndaj anetarëve. Kishat që kanë përfshirje të lartë, janë ato që kanë pritje të larta ndaj anëtarëve. Madje kanë edhe disiplina në kishat e tyre. Këto kisha kanë forma anëtarësimi për t'u bërë pjesë e kishës. Nuk bëhet fjalë vetëm për plotësimin e kartonit të vizitorit por një formë më e lartë përkushtimi. Anëtarëve u kërkohet që të përfshihen dhe të qëndrojnë të përfshirë. Të mbjellë në kishën ICF, familja jonë... terma të tillë përsëriten shpesh.
E dyta: Përfshirja në grupe të vogla. Një përqendrim tjetër i përpjekjeve të kishës është përfshirja e anëtarëve nëpër grupe të vogla. Mund të jetë para festimeve, në tavolina, nëpër shtëpi apo grupe që takohen diku. Thelbi është lidhja e njerëzve me njëri - tjetrin, janë grupe që takohen një herë në javë dhe shumica e grupeve studiojnë Biblën ose materiale që lidhen me Biblën.
E treta: Përfshirja në shërbesa dhe mision. Kishat me njerëz të përkushtuar, i nxisin njerëzit të përfshihen nëpër shërbesa. Madje disa u kërkojnë të përfshihen në shërbesa si pjesë e anëtarësimit; konsiderohesh anëtar nëse je përfshirë këtu ose atje. Ata që përfshihen më shumë në shërbesa dhe misione të kishës janë më shumë të lidhur me të. Brezi i ri, me shumë gjasa nuk e llogarit veten anëtar i kishës, nëse nuk është i përfshirë; anëtarësimin e llogarisin në bazë të përfshirjes në atë kishë.
E katërta: Lidhjet miqësore. Në çfarëdolloj grupimi, jo vetëm kishë, njerëzit janë pjesë sepse kanë shokë aty. Sepse jemi krijuar për të patur miqësi. Edhe kishat nuk bëjnë përjashtim. Njerëzit do të lidhen më shumë me kishën nëse ata kanë lidhje të forta me njerëzit aty.
Nëse janë vetëm këto katër gjëra, atëherë pse kisha nuk i praktikon ato? E thënë troç, secila nga këto kërkon shumë punë. Është më e lehtë për t'i sjellë njerëzit te dera kryesore, por është më e vështirë t'i mbash brenda pa të ikur nga dera e pasme.
Tjetra, disa kisha kanë stabilizuar një traditë me pritje të pakta ndaj anëtarëve. Anëtarët që vijnë në kishë me pritje të ulta, në momentin që ka ndryshime në kishë, i rezistojnë atyre dhe bëhet shkak për largimin nga ajo. Rehatia e tyre bëhet më e madhe sesa dëshira për të mirën e kishës. Po bëhet gjithnjë e më e lehtë mundësia që dikush ta vizitojë kishën, sepse dëgjoi për një projekt, pa diçka në "Social Media", e ftoi një shok... por pjesa sfiduese do të ngelet mbyllja e derës së pasme.
Prandaj shikoji me nge këto të katërta dhe shiko nëse ka ndonjë gjë tjetër. Por nëse do që të mbyllet dera e pasme, duhet diçka përtej dëshirës, duhet një lloj pune, organizimi, ndryshimi në të bërit të gjërave.