31 Gusht

Adhurimi Mund Të Jetë Një Dëshmi E Fuqishme

Perëndia është frymë dhe ata që e adhurojnë duhet
ta adhurojnë në frymë dhe në të vërtetë.  Gjoni 4:24

Arsyet Bbilike dhe Teologjike për adhurimin në festimin e kishës. Ja 12 bindje Biblike për adhurimin.

1. Vetëm besimtarët mund ta adhurojnë Perëndinë me të vërtetë. Drejtimi i adhurimit vjen nga besimtari dhe shkon drejt Perëndisë. Ne lavdërojmë emrin e Perëndisë në adhurim duke shprehur dashurinë tonë dhe përkushtimin tonë ndaj tij. Jobesimtari nuk e bën dot këtë gjë. Adhurim është: "Të shprehësh dashurinë ndaj Perëndisë për atë që Ai është, atë që Ai ka thënë dhe atë që Ai po bën".  Ka shumë mënyra për ta shprehur dashurinë tonë ndaj Perëndisë si: Lutja, kënga, falënderimi, dëgjimi, dhënia, dëshmia, besimi, bindja ndaj Fjalës etj... Perëndia, jo njeriu, duhet të jetë fokusi dhe qendra e adhurimit tonë.

2. Nuk të duhet patjetër ndërtesë për të adhuruar Perëndinë. Mungesa e ndërtesës ose pasja e saj nuk duhet lejuar të kontrollojë, kufizojë apo t’i shpërqendrojë njerëzit nga adhurimi. Nuk ka asgjë të keqe të kesh ndërtesë, e keqja vjen nëse ti e adhuron ndërtesën në vend të Krijuesit. Jezusi tha: “Sepse kudo që dy a tre janë bashkuar në emrin tim, unë jam në mes të tyre.” Mat.18:20

3. Nuk ka një “stil” të vetëm adhurimi. Për adhurimin Jezusi dha dy kërkesa: "Të bëhen 'në frymë' dhe 'në të vërtetë'". Çdo kishë beson se stili i tyre i adhurimit është më i miri dhe afër biblës. Pavarësisht nga stili, adhurimi i vërtetë përfshin emocionet, logjikën, zemrën dhe mendjen. Ne duhet të adhurojmë në frymë dhe në të vërtetë; kjo është kryesorja. 

4. Jobesimtarët mund të shikojnë si adhurojnë besimtarët. Ata mund ta shohin gëzimin që ndjejnë besimtarët, si e vlerësojnë Fjalën e Perëndisë, si reagojnë ndaj saj, si i përgjigjet Bibla problemeve dhe pyetjeve të jetës. Ata mund të shohin si adhurimi na inkurajon, forcon dhe na ndryshon. Madje ata edhe mund ta ndjejnë kur Perëndia po lëviz me fuqinë e Tij të mbinatyrshme në festime/shërbesa, megjithëse ata nuk do të jenë në gjendje ta shpjegojnë. 

5. Adhurimi është dëshmi e fuqishme për jobesimtarët nëse prania e Perëndisë ndihet dhe nëse mesazhi është i kuptueshëm. Shumica e njerëzve fitohen për Krishtin duke ndjerë praninë e Perëndisë sesa nga kombinimi i argumentave tona të zgjuara.  Është ndjesia e pranisë së Perëndisë që i shkrin zemrat dhe thyen barrierat e mendjes. Në një adhurim të sinqertë prania e Perëndisë ndihet, Falja e Perëndisë flitet qartë, qëllimet e Perëndisë shfaqen dhe fuqia e Perëndisë shpjegohet.

6. Perëndia pret që ne të jemi të ndjeshëm ndaj frikrave, dyshimeve dhe nevojave të jobesimtarëve kur ata janë të pranishëm në festimin/shërbesën e adhurimit.  A sillemi ndryshe kur kemi miq në shtëpi? Sigurisht! Kështu duhet të sillemi kur vijnë të rinj në kishë. Të jemi të ndjeshëm ndaj tyre, ndaj dyshimeve që kanë për kishën, frikërat, hamendësimet negative që kanë krijuar duke dëgjuar për kishat “tradicionale” për sektet e ndryshme...

7. Një festim/sherbesë s’duhet të jetë e cekët që të jetë për jobesimtarët. Mesazhi nuk duhet përshtatur por të jetë i kuptueshëm. Ta bësh një festim “të rehatshëm” për jobesimtarët nuk do të thotë të ndryshosh teologjinë por do të thotë të ndryshosh kushtet e festimit, mënyrën e përshëndetjes, stilin e muzikës, lajmërimet.  Mesazhi nuk është gjithmonë i rehatshëm, në fakt disa herë e vërteta e Perëndisë është shumë e parehatshme por prapë duhet ta mësojmë siç është. Rëndësi ka si e thua. Jobesimtarët duan të dëgjojnë si lidhet Bibla me jetën e tyre. Ata hasin të njëjtat pyetje si besimtarët: Kush jam? Nga kam ardhur? Ku po shkoj? A ka kuptim jeta? Përse ka vuajtje dhe të keqija në botë? Cili është qëllimi i jetës time? Si të merrem me njerëzit? Këto s’janë tema të cekëta. Kështu që Bibla s’duhet mësuar atyre në mënyrë të cekët.  

8. Nevojat e besimtarëve dhe jobesimtarëve shpesh përputhen. Ato janë të ndryshme në disa zona por janë shumë të ngjashme në shumë zona. Të dy duan të dinë si është Perëndia, të dy duan të dinë cili është qëllimi i jetës, të dy duan të dinë si dhe përse të falin të tjerët, të dy duan ndihmë në forcimin e martesës dhe familjes, të dy duan të dinë si të merren me vuajtjen, të dy duan të dinë si të merren me dëshpërimin dhe dhimbjen, të dy duan të dinë përse materializmi është kaq shkatërrues. Nevojat e të njerëzve nuk mbarojnë kur ata pranojnë Jezusin dhe shpëtohen sepse jemi akoma në këtë botë. 

9. Më e mira është që ta bësh festimin/shërbesën sipas qëllimeve të saj. Kur dërgon sinjale të përziera merr rezultate të përziera. Të përpiqesh të marrësh në shenjë dy tabela me një pushkë rezultati është acarues. Grupet e vogla le të kenë synim rritjen dhe pjekurinë e besimtareve. Kurse festimi/shërbese e fundjavës duhet të ketë elemente festive dhe gjithmonë duke patur në mendje jobesimtarët. 

10. Një festim/shërbesë me qëllim jobesimtarët, bëhet për të plotësuar ungjillizimin personal, jo për ta zëvendësuar atë.Njerëzit e kanë më të lehtë të marrin vendimin për Krishtin kur ka dhe të tjerë që po e bëjnë këtë gjë. Sa më i madh që është festimi/shërbesa për jobesimtarët aq më shumë kthehet në një mjet ungjillizimi. Por s’do të thotë që të ndalojë ungjillizimi. 

11. Nuk ka mënyra standarte për të modeluar një festim/shërbesë për jobesimtarët. Sepse ato s’janë njëlloj. Disa duan një festim që të ndihen pjesë e saj, të bëjnë diçka. Të tjerë duan të ulen, janë pasivë dhe vetëm të shikojnë, disa duan qetësi (në formë medituese), të tjerë duan festime/shërbesa energjike (të kërcejnë), të tjerë duan festime/shërbesa analitike, mesazhi dhe gjërat të kenë shumë detaje.

Por ama ka 3 elementë të pandryshueshëm për shërbesën e jobesimtarëve: 

     A.Trajtoji jobesimtarët me dashuri dhe respekt. 

     B.Përshtate festimin/shërbesën sipas nevojës së tyre.

     C. Ndaje mesazhin në një mënyrë praktike dhe të kuptueshme.

Nëse mendon që jobesimtarët vijnë vetëm që të shohin një prodhim cilësor në kishë ata do rrijnë në shtëpi duke parë TV ku investohen miliona për të prodhuar programe ½ orëshe dhe janë super cilësore. Nëse mendon kështu e ke gabim.

Ajo që i tërheq ata se pari janë jetët e ndryshuara. Njerëzit duan të shkojnë atje ku jetët po ndryshohen, ku lëndimet po shërohen dhe ku shpresa po ringjallet. Aty ku jetët ndyshohen, problemet, që në një vend tjetër do të dukeshin shumë të mëdha, në atë kishë do të dukeshin si diçka normale. Në një vend ku njerëzit e marrin jetën lehtë, por e marrin Zotin shumë seriozisht. 

12. Duhen besimtarë të pjekur dhe jo egoistë për të bërë festime/shërbesa për jobesimtarët. Pali thotë kur në adhurim ne mendojmë vetëm për nevojat tona, çfarë na pëlqen ne, si na shkon ne, kjo apo ajo gjë, ne po sillemi si fëmijë dhe të papjekur. Në çdo kishë ka tension të vazhdushëm mes konceptit “shërbesë” dhe “më-shërbe-mua”. Jezusi tha, “Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer.” Mat.20:28

Nëse ky lloj qëndrimi shërbyes, pra, jam për t’u shërbyer të tjerëve dhe jo qëndrimi egoist, nuk arrin të depërtojë në mendjet dhe zemrat e atyre që ndihmojnë dhe anëtarëve të kishës, kisha nuk është gati për të bërë një festim/shërbesë me jobesimtarët në mendje. 

Vendosi një notë secilës nga 1-10, sa praktikohen këto bindje në festimet/shërbesat e fundjavës! 

Ku je më mirë? Çfarë është 1 max dy gjëra që do t’i përmirësosh? 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>