31 Maj

Cili Është Hapi 4 Në KishëMbjellje?

Përshëndetje miq, gëzohem që po i ndjek këto artikuj në lidhje me kishëmbjelljen. Ky është hapi i katërt ose i parafundit për fazat e një kishe. Hapi i parë ishte vizioni, 7 hapa si ta dallosh atë. Hapi i dytë ishte ndërtimi i skuadrës, pse ka rëndësi dhe cilët janë personat e duhur në skuadrën tënde. Hapi i tretë ishte fillimi i kishës, hapja e madhe, çfarë të bësh para hapjes së madhe dhe si të jetë hapja e madhe.

Sot vijmë të hapi i katërt që është: Rritja e Kishës! Filloi kisha e re, kaluan, i bëmë të gjithë hapat. Perëndia të ka dhënë favor dhe filloi tani. Nuk është më ide, ka ndodhur dhe nga kjo e diel janë festimet/shërbesat javore.

Ja disa sugjerime: Filloje me shërbesa që mund t’i bësh mirë. Mos fillo me shumë shërbesa direkt, ka kisha që fillojnë direkt me takim lutje, takim për të rinjtë, për fëmijët, për gratë, për burrat, për… Dëshira është e mirë, uroj që kisha të vijë në këtë pikë që të keni një shërbesë për çdo grupmoshë. Por kjo varet sa skuadër ke. Nëse skuadra është e vogël çdo gjë e re që hapet pritet që ta drejtosh ti si kishëmbjelles/pastor i kishës së re. Që është qejf në fillim, disa javë por do të rraskapitesh shpejt dhe do të fillosh t’i mbyllësh po aq shpejt sa ç’i hape.

Prandaj, filloje me aq sa ç’mund të bësh. Ndoshta në muajt e parë vetëm dy takime në javë, e diela dhe e mërkura (studim bible/lutje). Dhe ndërkohë që rritet skuadra shto një shërbesë/festim të ri duke parë nevojën. Duke parë ku po rritet kisha më shumë. Nëse po vijnë më shumë adoleshentë ajo mund të jetë një shenjë që kjo grupmoshë e do një festim/shërbese të dedikuar për ta.

Zakonisht njerëz të kishës do të vijnë tek ty dhe do të japin ide:“Pastor na duhet një takim për këtë, për atë, duhet të bëjmë këtë e atë…” që në shumicën e rasteve janë ide super. Por mos bjer pre e çdo ideje të mirë. Që të sigurohesh që nuk po fik çdo ide të mirë dhe po ndjek atë që po të thotë Perëndia, se pari këshilla ime për këtë personin që vjen me ide do të ishte: “Ti ke idenë, kam përshtypjen që ke vajosjen, ke dhuntitë për këtë gjë, pse nuk e mendova unë ose dikush tjetër, pse e mendove vetëm ti, mos ka të bëjë me mënyrën sesi të formuar Perëndia ty? A do të lutemi dhe ta fillosh ti këtë shërbesë me mbështetjen dhe ndihmën e gjithë kishës?”

Nëse personi thotë jo, me dashamirësi përgjigju që je plot me shërbesa në këtë moment, le të lutemi që Perëndia do të ngrejë drejtues për këtë grupmoshë, ide, gjë e bukur, por unë nuk mundem ta filloj.
Nëse personi thotë po, uluni bashkë me skuadrën dhe personin dhe bëni një “skicë” të kësaj shërbese të re dhe përgjigjuni 3 pyetjeve:

-A e çon përpara mbretërinë e Perëndisë kjo shërbesë e re? A do të ketë ndikim, a do të ndikojë dikë apo thjesht diçka e bukur që edhe mund të ndikojë? A shkon me atë që po synojmë?
-A mund ta nisim siç duhet? Ashtu bukur dhe mirë siç kemi nisur kishën e re?
-A është e përballueshme me vullnetarë dhe financiarisht? 

Duke kaluar një lloj procesi të tillë tregon seriozitet për skuadrën dhe për drejtuesin e ri. Që është gjë e bukur por edhe serioze, nuk mund ta nisësh këtë javë dhe ta lëri javës tjetër se ashtu doli një punë. 

Një gjë tjetër që dua të ndaj është shërbesa sociale. Shumë kisha në Shqipëri kanë një shërbesë sociale plus shërbesave të grupmoshave që bëjnë në kishë, unë po radhis disa:
-shërbesa me komunitetin rom, të vejat, jetimët, fëmijët e rrugës, nevojat e vecanta, pensionistët, gjakmarrja, sporte, nevojtarë (paketa ushqimore) etj etj… e sigurtë që ka më shumë. Dhe shumica e kishave po bëjnë një punë super në komunitet.
Një ide se cila mund të jetë shërbesa sociale fiks për kishën tuaj, shiko se çfarë keni kaluar ose po kaloni. 

Siç thotë Shkrimi “ngushëlloni të tjerët me ngushëllimin që morët nga Perëndia”. Dikush kaloi një lloj sfide, kisha iu gjen afer apo Zoti siguroi në forma të ndryshme ai person u shërua, u bekua, kaloi situatën e vështirë… Kjo mund të jetë një nga shërbesat sociale për ju. 

Për ne janë fëmijët me nevoja të veçanta. Sepse motra ime lindi një djalë me Sindromën Down që është 19 vjeç sot dhe quhet Xhoni, Xhonatan. Ada, gruaja ime ishte personi që e ndihmoi në atë kohë pasi nuk po e dinim çfarë është tamam--tamam Sindroma Down? Dhe kur filluam kishën donim që të bënim një shërbesë sociale, ndoshta me fëmijët e rrugës (kjo ishte një dëshirë e imja, më dhimbte zemra kur i shikoja në rrugë dhe akoma më dhemb dhe bëjmë gjëra herë pas here për ta por nuk është shërbesë e mirë—organizuar) ose fëmijët jetimë; kishim një vajzë në kishë që e kishte për zemër sepse ajo vetë kishte kaluar një situatë të sikletshme në jetë. Ndërsa po luteshim besuam që Zoti i foli Adës, vazhdo atë që po bën, rrit atë që po bën. Dhe kështu lindi Qendra Xhonatan, qendra e fëmijëve dhe të rinjve me nevoja të veçanta që sot ofron shërbimet e saj për 183 familje që kanë një person me nevoja të veçanta. Dhe në atë kohë ishte nevojë e madhe nuk kishte një qendër terapie për fëmijët e vegjël vetëm qendra ditore për moshat 10+ vjec. 

Ky është modeli që dua të sugjeroj kur vjen puna për shërbesat sociale, që janë të bukura por edhe delikate sepse kanë përgjegjësitë e veta dhe duan përgatitje të veçantë, jo thjesht pasion, i mbledhim dhe hamë dy biskota dhe pimë koka-kola, këndojmë dy këngë dhe një predikim, lutje. Pas vizionit duhen persona që janë të fushës për ta ofruar shërbimin tamam sipas nevojës që ka ajo grupmoshë. 

Ndërsa kisha rritet dhe skuadra shtohet, ideale do ishte që një ditë të vijë në pikën që të ketë një shërbesë zinxhir. Sepse ka kisha që kanë vetëm shërbesë fëmijësh, por kur ata nuk janë më fëmijë? Epo të rrinë me zor te takimi për të mëdhenjtë .
Shërbesa zinxhir si: fillon me fëmijët, adoleshentët, studentët, beqarët, çiftet. Dhe cdo person që vjen në kishë e ka një grupmoshë si vetja e tij që mund të rrijë dhe rritet në Zotin me ta, të lutet me ta, kalojnë kohë bashkë. 

Shiko, kjo punë nuk ka fund  sepse do ta shikosh që do të dalin shumë gjëra, ide që mund t'i shikosh tek një kishë tjetër: Kampe verore, dimërore për grupmosha, nata e çifteve, nata e vullnetarëve, Krishtlindje, Pashkë, festa e nënës, fëmijëve, konferenca, workshops, skuadra misioni …. 

Një këshillë të fundit. Ndërsa rritesh në Zotin, i ligu nuk do të tundojë më të zgjedhësh mes mirës dhe të keqes sepse ti e dallon lehtë se çfarë është mëkat dhe i rri larg atij, tashti shpresoj që je pjekur, se ska lezet   
Ajo që nuk dallohet lehtë në këtë fazë është, të bësh dallimin nga një gjë e Mirë dhe një gjë Shumë e Mirë. 

Çdo gjë që shikon se po bëjnë kishat e tjera është e mirë, çdo ide që të jep dikush është e mirë, çdo ide që pe në 'reels' apo social media apo kudo janë të mira. POR shko pas gjërave shumë të mira për ty dhe kishën tënde. Gjërat që shkojnë me vizionin e kishës tënde, pas gjërave ku ke njerëz për t’i ndjekur dhe për t’i bërë siç duhet. 

Prit se kam dhe një të fundit  Struktura drejtuese e kishës. Zgjidh si do ta drejtosh kishën sepse bëhet më e lehtë puna dhe lëviz më shpejt kisha kur e ndan barrën e drejtimit të saj. 

Do ta drejtosh me pleqësi, me drejtues që shërbejnë, me bordin e fondacionit? Si do të merren vendimet? Si do të ndiqen vendimet? Kur është koha për të punësuar dikë, për të pushuar dikë, për të filluar diçka, për ta ndaluar diçka? Fakti që pastori gjen shumicën e fondeve a është ai automatikisht vendimarrësi? Nëse po, a është e qartë për pjesën tjetër? E përmenda këtë sepse kështu ndodhë në 90% të rasteve që di unë. 

Ideale do të ishte që këta drejtues/pleq të takohen një herë në javë apo çdo dy javë por jo më larg se një herë në muaj. Sepse është e nevojshme për të vlerësuar ku jemi, çfarë po bëjmë mirë, çfarë duhet të përmirësojmë, çfarë sfidash po hasim, si do të zgjidhen? 

Dhe dhe shuuuuumë gjëra të tjera. Prandaj dua të nxis, mos ngurroni të më kontaktoni me mesazhe, telefonata ose për kafe, që të ndaj me ju detaje që kanë të bëjnë me këtë fazë të kishës ose edhe fazat e tjera.
Jemi në të njëjtën arë, në arën e Perëndisë. Uniteti dhe ndihma që mund t’i japim njëri tjetrit i sjell kënaqësi Perëndisë. Jezusi u lut për këtë para se të ikte: “lutem që do të jenë një.” 

Zoti të bekoftë në këtë shërbesë të bukur që të ka besuar Ai. Ti po bën punën më të rëndësishme në atë qytet. Po sjell njerëz nga mbretëria e errësirës në atë të dritës. Projektet e bashkisë ose qeverisë e ndihmojnë njeriun për një farë kohe. Kurse shërbesa që bën ti, ndihmon dikë të zgjedhë përjetësinë dhe kjo është shërbesa më e bukur, puna më e bukur në botë. Shijoje, falendero Zotin që të ka zgjedhur dhe qëndro fort i lidhur me Të. 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>