Klonimi mund të jetë I mirë në disa gjëra por jo në kishë. Shumë kisha predikojnë të njëjtët mesazhe, të njëjtat këngë, i njëjti stil në çdo gjë. Dhe krijohet ideja që të kesh një shërbesë efektive duhet të jesh si filan kishë por harrojmë të kërkojmë cili është modeli unik, modeli i veçantë për kishën tonë. Disa mundohet të imtojnë edhe zërin e pastorit të preferuar, mënyrën si vishet ai, të ecurën e tij…
Kishat duhet të jenë ndryshe nga njëra tjetra sepse i shërbejnë njerëzve të ndryshem, janë në qytete, lagje, fshatra të ndryshëm. Po, të gjithë jemi pjesë e Mbretërisë së madhe të Perëndisë por kjo s’do të thotë që të ngjajmë në çdo gjë që bëjmë. Mbretëria e Perëndisë nuk është me idenë që të gjithë të klonojmë njëri tjetrin. Por të ngjajmë me grupmoshën, njerëzit që po përpiqemi të arrijmë. Njerëzit janë të ndryshëm dhe duhen kisha të ndryshme që të arrijmë gjithë llojet e njerëzve. Nëse jemi të gjithë njëlloj po arrijmë të gjithë vetëm një lloj kategorie njerëzish. Prandaj është me shumë rëndësi që çdo kishë të gjejë vizionin unik, modelin unik të saj.
Nëse imitojmë njëri tjetrin po ngjajmë më shumë me të krishterët e tjerë por ama po largohemi nga komuniteti që duam të arrijmë. Që të thyhet kjo, secili duhet ta kërkojë nga Perëndia, cili është vizioni, modeli ynë unik? Përse duhen shumë kisha njëlloj kur mund të bëhen një bashkë dhe të zgjerojmë ndikimin? Ama kur janë unike dhe synojnë të arrijnë grupe të ndryshme njerëzish atëherë na duhen sa më shumë kisha. Si bëhet kjo?
Përshtate modelin e kishës grupit që do të arrish. Njihe mirë grupin që do të arrish. Për kishën që po drejtoj, para se të fillonim ndërtova dy profile, Arbëri dhe Arbana nga Tirana, mosha 18-25 vjeç. Dhe duke patur ketë grupmoshë në mendje çdo gjë që bëja e mendoja me sytë e tyre. Nëse Arbëri dhe Arbana vijnë në kishën ICF Tirana a e gjejnë veten aty? Të njëjtën mëndësi po ndaja me një kishëmbjellës të ri në Korcë. Ai prototipet e tij i quajti, Kristi dhe Kristina nga Korca. Caktoi grupmoshën që do të synojë dhe po e mbush profilin e tyre me detaje. Çfarë pëlqejnë, ku e kalojnë kohën e lirë, çfarë ëndërrash kanë, çfarë synimesh kanë. Që kur të fillojë ungjillizimin në qytet e di se çfarë lloj ungjillizimi do të bëjë dhe për këtë target group.
Pastori, kishëmbjellësi duhet të bëjë “detyrat e shtëpisë” që vetëm ai mund t’i bëjë. Duke studuar kontekstin e grupmoshës së synuar.
Disa herë ngecim tek ideja se duke qenë të hapur ndaj ndryshimeve kulturore do të ndryshojmë Shkrimin. Por metoda është gjë tjetër, mesazhi është një gjë tjetër. Mesazhi nuk ndryshon, metoda duhet të ndryshojë gjithmonë. Pa harruar se Shkrimi është i kohës me çfarëdo brezi dhe ka qenë i tillë ndër 20 shekuj. Konteksti është ndryshe në Tiranë, ndryshe në një qytet të vogël, ndryshe në një fshat. Ndryshe fare në një shtët tjetër, Kosovë ose përtej Shqiptarise.
Sa herë që kisha e shikon kulturën dhe kontekstin si problem madhor ose si kërcënim përfundon duke u fokusuar tek ajo se çfarë duan ato 15-20 njerëz që ka në grup dhe jo si të arrijmë të rinj. Do mundohet si të mbrojë atë lloj kulture që ka ndërtuar tashmë dhe duke thënë me të madhe, “kisha duhet të jetë kështu, s’duhet të jetë ashtu”. Kjo lloj mëndësie do i japë kënaqësi një grupi të vogël në kishë, “ne s’jemi si ata, ne jemi më të mirët”, por ama nuk po fitojnë të rinj për Krishtin. Dhe do harrohet misioni, të shkojmë dhe të fitojmë të rinj për Krishtin dhe kthehet në një format “fetar” dhe në një far tradite që nuk i shërben misionit afatgjatë.
Një kishë që nuk e vlerëson rregullisht gjendjen e saj të brendshme do të përfundojë me një lloj kulture të pashkruar që shprehet me fjalët, “kështu i kemi bërë gjërat gjithmonë”. Dhe do e vëresh nga shprehje që tregojnë se po mbyllet kisha ndaj jo-besimtarëve, “vëllai, motra, të bekoj, o i bekuar” një lloj fjalori që vetëm të krishterët e kuptojnë. Dhe do të ngelë mes sfidave për ta çuar ungjillin më tej tek brezi tjetër që po ndryshon kaq shpejt. Por ama nga ana tjetër harrojnë se kultura që po përpiqen të mbrojnë ishte e re dikur por nuk do të vazhdojë shumë gjatë. Në vend të kësaj duhet të pyesim veten rregullisht, a po e ndajmë ungjillin, a po ndikojmë komunitetin. Sepse një kishë besnike ndaj Perëndisë është ajo që është besnike ndaj urdhërimeve të Perëndisë, jo ndaj traditave. Ndaj misionin, jo ndaj kulturës së vetë-ndërtuar.
Së fundmi. Gjeje vizionin unik të kishës tënde, nuk është e lehtë por është thelbësore. Një përkushtim i madh ndaj Shkrimit i bashkuar me pasionin për të të fituar një më shumë për Krishtin, e paketuar me lutje do të sjellë një vizion dhe model të qartë dhe unik për kishën tënde. Perëndia do të japë një plan, një lloj strategjie për të arritur komunitetin tënd sepse është kisha e tij, janë njerëzit e tij, e do Ai më shumë kishën tënde sesa ti. Puna jonë është t’iu japim njerëzve Fjalën e Perëndisë të pastër dhe të qartë dhe t’iu kujtojmë herë pas herë që jemi në mision. Dhe të jemi me sy hapur kush është konteksti ynë, kë grupmoshë po përpiqemi të arrijmë, si mund ta arrijmë, si të lidhemi me njerëzit ku ndodhemi. Nuk vjen duke imituar një kishë tjetër edhe pse mund të mësojmë shumë nga njëri tjetri por ta përshtasim atë që po mësojmë nga kishat e tjera në kontekstin që po përpiqemi të arrijmë ne vetë.
Si ishte ky shkrim për ty? A të trazoi apo të acaroi më shumë? Nëse ti je pastori ose do ishe ti, çfarë do të ndryshoje te kisha jote që të arrish një më shumë për Jezusin?