Ti je në këtë tokë për një qëllim
Nëse beson që ka një krijues dhe ti nuk je aksident në këtë botë, i bie që je për një qëllim, për një arsye dhe kur e gjen atë qëllim, jeta jote është e plotë, e ngopur, e plotësuar.
Beyoncé në vitin 2012, në "Ditën Botërore Humanitare", këndoi një këngë shumë frymëzuese, "I Was Here" pra, Unë Isha Këtu. Dua të lë gjurmën time, të lë diçka me kuptim pas meje, të mos kem keqardhje. Të thuhet që Unë Isha Këtu; jetova, dashurova, bëra ato që doja, lashë gjurmën time që të gjithë ta dinë që unë isha këtu. I solla dikujt pak lumturi, e lashë botën më të mirë se ç’e gjeta, lashë gjurmën time, që të gjithë ta dinë që unë isha këtu dhe në fund, në ekran del një pyetje: "Po ti, çfarë do të bësh?"
Zemrat që preka do të jenë prova që unë jetova.
Është shumë e lehtë të përshtatesh me turmën, me shumicën dhe të shikosh që nuk arrin dot gjë, të gjithë kështu mendojnë, të gjithë kështu po bëjnë, të gjithë… të gjithë… ti nuk je të gjithë. Ti je unik! Ti je unike!
Trazojmë ide:
Nëse do të shkonim shumë vite përpara, pra ti je 90-të e ca vjeç, apo 100 e ca dhe po jeton ditën e fundit. Dhe do të të pyesnin: "Çfarë bëre me jetën tënde? Si do t'i përgjigjeshe?" Shkruaji idetë, ëndërro, ëndrrat falas janë.
"E kundërta e guximit nuk është frika, është përshtatja, rehatia." - Gale Forman Collins