15 Mars

Si T’i Nxitësh Ata Që Po Vijnë Rrallë Në Kishë?

Dua të ndaj shtatë ide praktike, uroj që njëra prej tyre të jetë ndihmë për ty që shërben në kishën tënde lokale. Si t’i nxitësh njerëzit që po vijnë rrallë që të rrikthehen në kishë? 

1. Sigurohu Që Ke Prezencë Të Mirë Online. Disa persona nuk e kanë mundësinë të vijnë çdo të diel, janë në punë me turne, nëse janë prindër të rinj fëmijët kalojnë viroza, udhëtojnë jashtë për te kushurinjtë… e plot arsyeje të tjera. Por shumica duan të rrinë në kontakt me kishën e tyre. Kështu që, kur poston gjëra në media sociale, sigurohu që t’i mash në korent këto personat që nuk po vijnë në kishë por që duan të qëndrojnë të lidhur me kishën e tyre. 

2. Përmirësoji Marrdhëniet Me Njerëzit. Disa herë mjafton një telefonatë, një mesazh: si mund të lutem për ty sot? A do e pime një kafe sot? Vlerësoi marrdhëniet me njerëzit. Njerëzit kanë nevojë për njerëz gjithë kohës sepse jeta është plot me ulje e me ngritje. Mund të mos e ndjejnë nevojën sot por nesër e sigurtë që po. Kështu është secili prej nesh, kemi nevojë për dikë, për disa madje që na duan dhe i duam, gjejnë kohë për ne, qoftë edhe për një kafe 10 minuta.

3. Duaji Njerëzit Fort. Si mund ta duash? A mund ta duash dikë pa e takuar? Këto kohë kam dëgjuar dhe parë për shumë çifte që janë njohur online. Edhe pse ata u njohën online një ditë u takuan dhe u martuan. Dashuria mund të shprehet në distancë por e prekshme bëhet kur je përballë me personin. E njëjta gjë, gjej mënyra praktike për t’i treguar dikujt që e do fort. 

4. Bëji Festimet Super. Sado që mund ta ndjekësh online një festim/shërbesë është tjetër ndjesi të jesh vete aty. Nuk ështe e njëjta ndjesi të jesh në një koncert live me një video të youtube edhe pse është i njëjti grup. Kështu që kur të vijnë prezentë në kishë, jepu rëndësi detajeve. Njerëz të ndryshëm preken nga gjëra të ndryshme. Dikujt Perëndia i flet me anë të mesazhit, një tjetri me anë të muzikës, elementeve artistike sepse takoi një shok/shoqe sepse dikush u lut për të… por ndodhi diçka e bukur, përjetim që mori me vete. Prandaj jepu rëndësi çdo detaji të festimit/shërbesës.  

5. Bëj Ndonjë Surprizë. Në fund të festimit/shërbesës: kemi bollokume ose zgarë ose do ikim diku… Ose diçka në oborr, volejboll direkt pas kishe, do i çojmë fëmijët për një ditë në fshat, do shkojmë të gjithë për drekë në plazh, do bëjmë këtë, atë… 

6. Krijo Mundësi Për Të Shërbyer. Jepu mundësi njerëzve të bëjnë diçka. Shumica duan të bëjnë diçka. Të jenë te mikpritja, të bëjnë diçka te koha e kafes (ëmbëlsira, kafe/çaj) të ndihmojmë te multimedia, të ndihmojmë me sistemin e gjërave, te banda e muzikës, të bëjnë ndonjë gjë praktike. Shumica kënaqen kur bëjnë diçka praktike për kishën e tyre, jepua këtë kënaqësi. 

7. Jepi Rëndësi Shërbesës Së Fëmijëve Dhe Adoleshëntëve. Prindërit mund ta ndjekin dhe online ose dhe më vonë festimin e kishës por nëse fëmijët nuk erdhën atë ditë në kishë ka pak shanse që të dëgjojnë diçka online. Drejtuesi i fëmijëve dhe skuadra e tyre sigurohuni që lidheni shume me ta. Mësojua emrin, ushqimin e preferuar, çfarë shkolle janë, çfarë klase, me cilën skuadër janë, rryma e preferuar e muzikës… . Sepse kur prindërit nuk vijnë në kishë, më shumë po humbasin fëmijët sesa ata. Jepu rëndësi në rritje shërbesës së fëmijëve dhe adoleshëntëve. 

Njerëzit po lëvizin shumë këto kohë. Sapo të kenë një ditë pushim duan të dalin dhe të shkojnë në det, në mal, në një vend, në një fshat, në një restorant. Në këto kohë që po jetojmë nxitja ime është: mos ji pasiv duke pritur që një ditë do të vijnë vetë. Ti bëj atë që varen nga ty, nëse vijnë ose jo është mes tyre dhe Perëndisë. 

Cila nga këto të 7-ta ishte më e lehta, cila më e vështira?


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>