Vargu i Ditës: "Sepse të gjitha gjërat që u shkruan në të kaluarën u shkruan për mësimin tonë, që me anë të këmbënguljes dhe të ngushëllimit të Shkrimeve, të kemi shpresë." Romakëve 15:4
Historia e një vendi është shkruar në të kaluarën për mësimin tonë, që të informohemi, që të mësojmë prej saj dhe sigurisht të mos biem në lakun e zakonshëm ku historia përsërit veten dhe ne jemi komplet të pavëmendshëm për t'i paraprirë kësaj.
Historia nuk është e vetme në gjithë këtë. Historinë nuk e bëjnë tullat, parqet, trotuaret, ndërtesat e bukura. Ato e mbartin historinë që bëjnë njerëzit. Ato shkrime janë pak a shumë bëmat e disa njerëzve, që kalojnë në bëma të disa popujve dhe më pas kalojnë në nivel global. Por personazhet kryesorë të historisë janë njerëzit.
Dikush ka thënë: "Ndoshta historia nuk do ta përsëriste veten nëse ne do e dëgjonim atë ndonjëherë!"
Të gjitha gjërat u shkruan për mësimin tonë, që me anë të Shkrimit të kemi shpresë. Bibla është mbushur me histori, alegori, shëmbëlltyra që në një mënyrë të kuptojmë dhe të mësojmë, të bëjmë dhe të mos bëjmë gjëra të caktuara. Shkrimi u bë për ty, u Frymëzua nga Perëndia, u shkrua nga njerëzit dhe është bërë për ty. Që ti të mësosh prej tij dhe të kesh shpresë nëpërmjet tij.
Pëshpërit një lutje
Perëndi falëminderit që na jep mundësinë të njohim ty më shumë nëpërmjet Shkrimit, Fjalës tënde. Zot ne kemi shpresë me anë të Fjalës Tënde dhe lutem sot që do të mësojmë sa më shumë për Ty dhe nga Ty. Lutem dhe i kërkoj gjërat në emrin Jezus, Amen.