Vargu i Ditës: "Sepse kush lyp merr, kush kërkon gjen dhe do t'i çelet atij që troket." Mateu 7:8
Ne si kulturë nuk para kërkojmë, e kam fjalën për ne shqipëtarët. Ndoshta me raste ndjehemi më rehat duke na lutur dikush më shumë se një herë, si në rastin kur na bëhet një pyetje p.sh. A je i uritur? Dhe ti përgjigjesh me "jo" me të parën duke shpresuar që do të pyesin përsëri.
Gjithashtu edhe si njerëz na pëlqejnë gjërat gati. Ta gjejme shtëpinë gati, të rregullt të pastruar, ta gjejme gati ushqimin…. Gjithçka gati dhe nuk është se mundohemi shumë për të kërkuar. Kemi shumicën e kohës tendencën për t'u dorëzuar dhe për të nxjerrë justfikime por jo për të insistuar dhe për të kërkuar që ta arrijmë atë që po synojmë.
Dikush ka thënë: "E lypmja faqen e zezë e ka, por pa gja s'tla!"
Shkrimi thotë, kush kërkon gjen. A je duke kërkuar një jetë me influencë, me qëllim. Një jetë me bollëk dhe me kuptim? A e di si ta gjesh? Kërko Jezusin. Nëse e kërkon, me siguri do ta gjesh dhe ajo derë që kërkon të hapet për një jetë të re, do të hapet dhe jeta jote do të ndryshojë. Kjo nuk është filozofi. Kjo ka qenë e vërtetë dje dhe është po aq e vërtetë sot, pyetja është: "A po e kërkon këtë jete?" Dhe pasi e ke gjetur Jezusin, ec me të përditë duke lexuar Shkrimin, Biblën dhe duke jetuar sipas saj.
Pëshpërit një lutje:
Perëndi faleminderit që hap dyer edhe atje ku duket sikur nuk ka. Faleminderit Zot që ke bërë të mundur që të gjejmë shumë shpejt. Lutem sot që shumë persona që janë duke të kërkuar në një mënyrë apo në një tjetër do të të gjejnë. Lutem në emrin Jezus, Amen!