"Sepse unë jam Zoti, Perëndia yt, që tund detin dhe bën të gjëmojnë valët." Isaia 51:15.
Sërfi është sport që praktikohet nga vendet ku brigjet e tyre lagen nga oqeane sepse vijnë dallgë të larta dhe të gjera. Sërfi është rrëshqitje mbi dallgë me një copë dërrasë vezake.
Për të janë hapur kurse si të bësh sërf sa më mirë. Nëse do të shkoje në një kurs të tillë do të mësoje çdo gjë në lidhje me të: "Si të zgjedhës dërrasën më të mirë, si ta dallosh që po vjen një dallgë në të cilën mund të bësh sërf, si të rrëshqasësh në këtë dallgë, si ta kapësh një dallgë dhe të qëndrosh sa më gjatë në të dhe më e rëndësishmja, si t’ia dalësh dallgës deri në fund dhe të mos rrëzohesh."
POR kurrë nuk ke për ta gjetur kursin me temë: “Si të Ndërtosh një Dallgë.”
Sërfi është arti i rrëshqitjes mbi dallgët që krijon Perëndia. Ai i bën dallgët, sërfistët vetëm rrëshqasin mbi to. Asnjë nuk përpiqet të krijojë dallgë. Nëse s’ka dallgë nuk bëjnë sërf atë ditë. Por, kur sërfistët shikojnë një dallgë të mirë, bëjnë të pamundurën për të qenë aty madje dhe nëse është ditë me mot të keq.
E njëjta gjë me kishën. Ne nuk prodhojmë dot dallgë të Frymës së Perëndisë, sepse rritja nuk prodhohet nga njeriu. Vetëm Perëndia e rrit kishën. Vetëm Perëndia e bën kishën të rritet, vetëm Perëndia mund të fryjë, frymë jete në luginën me kocka të thata, vetëm Perëndia krijon dallgë në Tiranë, në Shqipëri dhe në botë; dallgë ringjallje, rritje dhe hapje zemrash nga njerëzit e pashpëtuar.
Ashtu siç tha Pali për kishën në Korint: “Unë mbolla, Apolli ujiti, por Perëndia bëri të rriten.” 1 Kor. 3:6 Bashkëpunimi ishte i tillë: Pali dhe Apolli bënë pjesën e tyre, por Perëndia e shkaktoi rritjen.
Puna jonë si “sërfistë me përvojë” tashmë, është të zbulojmë një dallgë të Frymës së Perëndisë dhe të bëjmë serf mbi të. Nuk është përgjegjësia jonë të prodhojmë dallgë por të zbulojmë si dhe ku po punon Perëndia dhe të bashkohemi me Të.
Kur rri në breg dhe shikon sërfistët duke kapur dallgët, duket shumë e lehtë. Por në fakt, është goxha e vështirë dhe kërkon aftësi të mëdha dhe balancë. Të kapësh një dallgë s'është e lehtë nuk duhet vetëm dëshirë dhe përkushtim; por duhet dhe durim, ide, besim, aftësi dhe shuuuumë balancë.
Të fillosh apo të drejtosh një kishë në rritje është si sërfi; mund të duket e lehtë për ata që s’janë të përfshirë por nuk është. Sepse kërkon mjeshtëri mbi disa aftësi të caktuara, kërkon durim, ide të reja, besim, balancë ... Sot, Perëndia po krijon dallgë pas dallge me njerëz që janë të hapur për ungjillin.
Le të përkushtohemi që kurrë s’do të përpiqemi të ndërtojmë dallgë. Ajo është puna e Perëndisë. Por le të përpiqemi të zbulojmë dallgët që Perëndia po dërgon në drejtimin tonë, të mësojmë si t’i kapim, të mësojmë si të përdorim mjetet e duhura për të rrëshkitur mbi këto dallgë, të mësojmë rëndësinë e balancës. Le të mësojmë si të zbresim nga dallgët e vdekura kur e kuptojmë që Perëndia do që ne të bëjmë diçka të re.
Dhe më e bukura është kjo: "Sa më i aftë bëhesh ti si sërfist i dallgëve të rritjes, aq më shumë dallgë do të dërgojë Perëndia në drejtimin tënd."
Njerëzit sot janë më të hapur për ungjillin se më parë. Para 30 vitesh s’e kishin idenë kush është Zoti, as Jezusi, as besimi, akoma dhe sot e ngatërrojnë besimin me përfitimin por ama janë të hapur për të dëgjuar.
Fryma e Perëndisë po lëviz fuqishëm në formë dallgësh në Tiranë e kudo. Le të jetë kjo lutja jonë çdo ditë: "Atë, unë e di që ti do të bësh gjëra të mrekullueshme në Tiranë, ne Shqipërinë tënde sot. Të lutem më lejo që të kem privilegjin të marr pjesë në atë që Ti do të bësh sot."
Le të mos lutemi, “Zot, bekoje këtë që jam duke bërë unë” por të lutemi,“Zot, më ndihmo të bëj atë që je duke bekuar Ti.”
Unë besoj që Perëndia po dërgon dallgë rritje drejt kishës së Tij, Ai do që të përgatitemi për të rrëshqitur në to. Kishat më të mëdha në historinë e Krishtërimit janë tani në ekzistencë edhe pse historitë e tyre janë shumë të bukura kur i dëgjon, unë besoj që kishat më të mëdha se ato janë për t'u ndërtuar. Ti je, kisha jote është tamam kisha që Perëndia ka zgjedhur për ta përdorur për këtë gjë.
Le të përgatitemi për sërf, dallgët shpirtërore duken në horizont.
Rrëmbeni dërrasat e sërfit miq, erdhi koha për të rrëshkitur mbi dallgët që ka krijuar dhe po sjell drejt nesh Perëndia, Zoti i gjithë Tiranës, Shqipërisë dhe botës, Jezu Krishti!