Vargu i ditës: "Ti je streha ime dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde." Psalmet 119:114
Me siguri të kujtohet kur ke qenë i vogël që ke luajtur "symbyllazi" apo siç e thoshim në ato kohë: "Hapa Dollapa". Ka qenë kohë e bukur dhe ti, nëse të kujtohet, e piketoje vendin ku do të fshiheshe dhe do të kujdeseshe që ai vend të ishte perfekt, që nuk do të gjente njeri, që do të ishte i pastër (nuk do të kishte hithra se do të gjenin direkt nga të bërtiturat) dhe do të ishte fiks vendi i duhur për lojën.
Pra për ty ishte gjithnjë e rëndësishme që të gjeje vendin e duhur pavarësisht sa herë mund ta ndryshoje, ai vend duhet të ishte vendi ku ti ndiheshe i sigurt dhe gati... A nuk të ndodh edhe tani që je i rritur? Gjithnjë do që të zgjedhësh atë vendin perfekt pa zhurmë, të qetë ku do të meditosh apo të çlodhesh nga përditshmëria e vrullshme.
Dikush ka thënë: "Vendet më të mira janë ato vende që janë të mbushura me dashuri dhe paqe!
Zoti nuk është vetëm mbrojtja dhe streha jonë por Ai është gjithashtu vendi ynë më i lumtur. Ai është vendi ku shkojmë menjëherë dhe ndjehemi të mbrojtur dhe të sigurt. Mund të provosh miqtë, familjarët apo edhe median sociale si vend yt më i lumtur por ka shumë gjasa që do të zhgënjehesh shumë shpejt. A është situata jote tani e qetë dhe a do ta identifikoje vendin ku je tani si vend i mbushur me dashuri dhe paqe? Mos ndoshta je duke luajtur "Hapa - Dollapa" me Zotin? Nëse je duke e bërë këtë lojë, kujtohu se nuk është Zoti Ai që po fshihet... Ai je ti! Dua të inkurajoj të bësh "Anullim loje!" dhe të zgjedhësh të luash një lojë të re, një fillim të ri, ku shoku yt i skuadrës është Zoti dhe automatikisht do të jesh në anën e fituesit... Shko tek ai vendi yt i sigurt, te Perëndia, tek ajo streha që të duhet në vapë dhe në shi... Shko në krahët e Krijuesit të gjithësisë, tek Perëndia... Thuaja vetes sot me zë të lartë: "Ti Zot, Ti je streha dhe mburoja ime; unë shpresoj në fjalën tënde...
Pëshpërit një lutje:
Perëndi, faleminderit për ditën sot... Faleminderit që më jep një ditë të re, një fillim të ri, një zemër të re... Zot unë nuk do të fshihem më nga prania jote... Jezus, ti je streha dhe mburoja ime, Ti je vendi ku unë pushoj i sigurt nga situatat dhe furtunat e jetës... Në emrin tënd lutem dhe shpresoj... Amen!