Si ta shikosh situatën me një palë sy të tjerë?
Zgjidhja vjen kur e shikon situatën me sy të tjerë. Jo, "Çfarë" ka, por "Si" mund të jetë.
Bashkë me Rubin, djalin tim 10 - vjeçar ikëm në fshat dhe ndaluam afër një lumi për të parë. Po nuk kaloje dot më tej sepse kishte shumë ujë dhe nuk kishte urë.
I thashë Rubit: “Eja, kalojmë në anën tjetër.” Rubi më shikoi me shumë habi dhe me sy të hapur fort pyeti: “Po si do të kalojmë?Jooo nuk mund të kalojmë nga ana tjetër.”
Mendova ky është rast i artë për mua, që t'i jap një mësim që mund t'i vlejë më vonë, kur has pengesa mos ndalo, shiko për mënyra sesi mund t'i kthesh pengesat në platforma për të kaluar në nivelin tjetër.
Kështu që fillova duke hedhur gurë të mëdhenj në lumë për të krijuar vende për të vënë këmbët dhe arrita të bëj tre vende me gurë të stabilizuar që mund të kërcejë nga njeri vend në tjetrin dhe të kalojë nga ana tjetër.
Por ishin pak larg dhe Rubi kishte frikë për ta provuar. Kështu që m'u desh që në një degë të lumit të bëja të njëjtën gjë, një kalim nga njëra anë te tjetra por me tre vende me gurë por më afër dhe më të kollajtë. Rubi e kaloi lehtësisht të ketëherë sepse gurët ishin afër dhe kjo i dha guxim për të provuar të kalonte mes për mes lumit të madh me tre vende. Dhe ia doli lehtësisht edhe pse mund të dallohej frika, meraku mos binte në lumë. Kjo i dha aq shumë gëzim saqë filloi vetë tëkrijonte vende të reja me katër grupe gurësh, si të kalonte lumin. Rubi mësoi një gjë që uroj t'i ngeli në mendje gjatë, mos shiko problemin që të del përpara, zbulo mënyra sesi mund të kalosh në anën tjetër.
Trazojmë ide:
Imagjino një situatë problematike dhe krijo zgjidhje qoftë edhe imagjinare. P.sh. si do të shkoje në shtëpi nga puna/shkolla por në një ditë me shumë shi dhe erë, s'ka autobus, makinë, taksi. Shtëpinë e ke larg, çfarë do të bëje të shkoje në shtëpi shpejt dhe pa u lagur?
Je në një piknik dhe të duhet zjarr për të pjekur diçka, të duhet diçka për të lidhur pantallonat se të është këputur rripi?
Sa ide të tilla mund të krijosh? Krijo situata dhe zgjidhje për to.
"Fillo duke bërë si fillim atë që është e nevojshme, pastaj atë që është e mundur pastaj do të shikosh që mund të arrish të pamundurën." - Shën Franci i Azizit