6 Mars

Lum ju kur do t’ju përndjekin, shajnë, sulmojnë, gënjejnë…

Jezusi tha: Lum ju kur do t’ju përndjekin, shajnë, sulmojnë, gënjejnë… Dua ta nis me një pyetje: Në gjithë botën, kush është grupi më i përndjekur? Me shumë gjasa nuk do të shkojë mendja. Sepse janë të Krishterët. Mund të habisë por habia vjen sepse nuk pasqyrohet nëpër lajme, e kalojnë lehtë vuajtjen që kalojnë të krishterët vit pas viti. Mund të ndjekësh këtë faqe për detaje: opendoors.org por edhe organizata e të drejtave të njeriut, që është laike thotë se 80% e dhunimit të drejtave në botë janë ndaj të krishterëve. 

Tashti që në fillimin e saj para 2.000 Kisha ka kaluar persekutime. Madje në 300vitet e para të saj konsiderohej ilegale në Perandorinë Romake. Të krishterët iu hidheshin luanëve. Perandori Nero, u mundua t’i shkatërronte, i kryqëzonte dhe i digjte për të ndriçuar arenat. Në atë kohë ku paganizmi ishte besimi kryesor, ishte kundra ligjit të ishe i krishterë. Por vuajtjen e kishës dhe të krishterëve nuk kanë ndaluar gjatë gjithë këtyre 2 mijë viteve. 

Ajo që shumica nuk e di është se persekutimi më i madh i të krishterëve vazhdon të ndodhë në këto vite. Në ditë vdesin rreth 15 të krishterë në botë. Gati çdo dy orë vdes një. Vitin e shkuar u vranë 5,621. Vetëm vjet 2,110 kisha dhe ndërtesa të krishtera janë sulmuar ose dëmtuar. Mendohet që diku te 70-80 mijë të krishterë janë akoma të burgosur në Korenë e Veriut. 

Po ne, çfarë të bëjmë ne në lidhje me vellëzërit dhe motrat e krishterë që persekutohen nëpër botë?
Së pari, të informohemi, ke këtë faqen që të sugjerova dhe disa të tjera. Sepse nuk do i gjesh nëpër lajme se çfarë po kalojnë të krishterët nëpër botë. Së dyti, të lutemi për ata që kalojnë persekutim. Së treti, të japim diçka për ata që kalojnë momente të tilla. Ja si thotë Shkrimi: Hebrenjve 13:3 Kujtoni të burgosurit si të ishit të lidhur bashkë me ta, dhe ata që keqtrajtohen, sepse edhe ju vetë jeni në trup.

Nëse dikush mendon që të ndjekësh Krishti është fushë me lule, e ka gabim. Të ndjekësh Jezusin nuk është per qullashë, frikacakë, ngordhalaqë apo ata që kanë merak mos e shajnë apo mos e tallin. Nëse do të ndjekësh Jezusin duhet të jesh i gatshëm të përballesh me kritika, me përqeshje, me injorime, me tallje dhe ironi. 

Ja ku e ke paralajmërimin nga Shkrimi 2 Timoteut 3:12 Të gjithë ata që duan të rrojnë me perëndishmëri në Krishtin Jezus do të përndiqen. Do të, nuk thotë mbase, por do të… Nëse thua atë që është e vërtetë, atë që është e duhur, nëse ti këmbëngul për të bërë drejtësinë dhe për të përcjell standartin e Shkrimit, do të përndiqesh.

Jezusi tha tek 9-të lumturitë nëse doni një jetë të lumtur nga Perëndia, një jetë të bekuar nga Ai. Mateu 5:10-12 Lum ata që janë përndjekur për hir të drejtësisë, sepse e tyre është mbretëria e qiejveLum ju kur do t'ju shajnë dhe do t'ju përndjekin dhe, duke gënjyer, do të thonë të gjitha të zezat kundër jush, për shkakun tim. Gëzohuni dhe ngazëllohuni, sepse shpërblimi juaj është i madh në qiej, sepse kështu i kanë përndjekur profetët që qenë para jush.

Shiko ta themi troç që nga fillimi: Në Shqipëri ti nuk je i persekutuar. Unë mbaj mend kur shërbeja në fshatrat e Tiranës para viteve 2.000 na kanë thyer xhamat, na kanë qëlluar me gurë, na kanë çmuar gomat, më kanë thyer tjegullat e shtëpisë me gurë, madje në 97’ më kanë kërcënuar me grantë sepse po na ndryshon besimin e fshatit. Por pas viteve 2.000 shumë rrallë dëgjon për ndonjë formë përsekutimi të tillë. Ajo që kalojmë në këtë kohë, persekutimi vjen në forma presioni. Që të mos jesh ndryshe nga shumica, të bësh siç bëjnë gjithë të tjerët. Presioni s’do jetë i jashtëm aq sa duket tani të paktën. Por presioni do të jetë i brendshëm. Mos e thuaj atë që mendon se është e vërteta. Mos e trego besimin që ke, mos e trego se përse je ndryshe, por sillu si të gjithë. 

Mund të jetë në forma: Shefi të kërkon të bësh marifet me letrat, me faturat, me oraret. Në shkollë presioni është të kopjosh si të gjithë, të paguash lek si të gjithë. Të mos respektosh ligjin si të gjithë. Të gjesh mënyra për të mos paguar diçka. Madje lavdërohet si zotësi nëse mund ta bësh një gjë të tillë dhe përqeshesh nëse i bën gjërat siç duhen bërë. Je mes një grupi shokësh që po thonë shaka me fjalor të pisët ose po flasin për dikë që nuk është aty ose po mburret sesi ia kanë hedhur dikujt. Apo ftohesh nëpër ca festa që kanë shthurje në fund, zgjedhja më e mirë do ishte mos të shkoje fare sepse e sigurtë që do jesh nën presion për ta provuar një pompë apo një vizë apo edhe këtë edhe atë. Nëse ti thua, nuk e provoj sepse jam i Krishterë. Bëhu gati për të marrë përbuzje, të qeshur dhe tallje.

Ose do jesh nën presion kur grupi do të përgëzojë ca vlera morale që Bibla nuk i mbështet. Seksi para martese, bashkëjetesa, martesat gay dhe shumë kompromise që po bëhen përditë. Mund të tallin që po e ruan virgjërinë për martesë, madje do të akuzojnë, që ke diçka që s’të punon mire, ti nuk je me kohën, ti nuk je me shumicën. 

Prit pak: Shumica ia fut kot. A e di se Hitleri ka dalë në cover të revistave më prestigjoze të kohës dhe doli që ishte ndryshe. Madje dhe Putini ka dalë në cover të revistave si Man of the Year dhe doli ndryshe. Shumica ia fut kot. Fakti që shumë thonë që është ashtu nuk do të thotë që ashtu është. Nuk është puna të jesh me shumicën, puna është çfarë e nderon Perëndinë. 

Tai, çfarë duhet TË MBAJMË MEND dhe çfarë duhet TË BËJMË kur kalojmë forma presioni, persekutimi… Të nxis të ndjekësh ndarjet e kësaj jave sepse do të kenë këtë fokus. Do të ndaj 3 gjëra për të mbajtur mend dhe 6 gjëra çfarë të bëjmë apo mos bëjmë. 

Për të ndjekur të plotë mesazhin po ndaj këtu linkun me ty: https://www.youtube.com/watch?v=mCH0_VKmKx4 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>