Vargu i ditës: "Trishtimi sipas Perëndisë sjell në fakt pendim për shpëtim, për të cilin njeriut nuk i vjen keq, por trishtimi i botës shkakton vdekje." 2 Korintasve 7:10
A je penduar? Nëse po nga e di? Çfarë do të thotë të jesh i penduar? Si mendon se zbatohet kjo në jetën tënde sot? Ka kaq shumë pyetje që mund t'i bësh vetes sa i përket kësaj çështjeje delikate. Të pendohesh, do të thotë të ndryshosh mendje, të tërhiqesh nga rruga që je duke ecur për momentin, pra të marrësh një drejtim krejt tjetër.
Me siguri ka qenë ndonjë rast ku je penduar për një vend ku je nisur dhe je kthyer pas, apo për ndonjë veprim që ke bërë dhe je tërhequr menjëherë apo gjëra që mund t'i kesh lënë në mes për shkak se je penduar që i ke bërë apo je marrë.
Dikush ka thënë:
"Do të bësh patjetër gabime, por nëse mëson nga ato gabime, do të bëhesh njeri më i mirë!"
Trishtimi sipas Perëndisë është në fakt, të pendohesh për gjërat që ke bërë me kokën tënde dhe jo sipas Perëndisë. Pendimi sjell shpëtimin, kjo do të thotë se ti nuk bie dakord me gjërat që bën, me jetën që po bën por do që t'ja dorëzosh atë Perëndisë dhe të jetë Ai timonieri i jetës tënde. A do që ta marrësh këtë vendim sot?
Pëshpërit Një Lutje
O Atë më vjen keq për gjërat që kam bërë. E pranoj që jam mëkatar dhe kërkoj të dal nga ky batak. Perëndi faleminderit që e dërgove Jezusin në kryq duke u bërë mëkat për ne që të kemi jetë dhe të kalojmë përjetësinë me Ty. Lutem dhe të kërkoj sinqerisht në jetën time. Lutem në emrin Jezus, Amen.