Fjalët e urta janë xhevahirë.
Sa domethënëse është kjo: "Kur dikush të tregon hënën mos i shiko gishtat". Sa krijueshmëri dhe nxitje ka te fjalët e urta.
Njerëzit me imagjinatë të gjallë janë zakonisht shumë kureshtarë. Një mënyrë e re imagjinate mund të jetë t'i kthesh mbrapsht disa fjalë të urta.
Një fjalë e urtë perëndimore është: “Bari duket më jeshil nga ana tjetër". Kurse kur e kthen ndryshe: “Bari është jeshil aty ku e vadit” i jep ngjyra të reja thënies dhe bëhet me motivuese si thënie. Thjesht iu hoqën disa fjalë dhe iu shtua një folje, veprim që mund të bësh ti.
Sa shumë fjalë të urta kemi në vete si shqiptarë por shumë prej tyre janë negative, sigurisht me qëllimin e mirë për t'u ruajtur nga diçka e keqe, të jesh më i kujdesshëm. Por përdore imagjinatën dhe jepu ngjyra të reja, mënyra të reja sesi mund t'i thuash, guxo dhe shiko sesa bukur ngjajnë.
Dhe mund të sjellësh ndikim, sepse kanë shumë fuqi, fjalët e urta kthehen në të vërteta të fuqishme. Shiko, nuk ka lidhje me atdhetarinë, mos u ndje sikur po ofendon autorin, ti thjesht do që të kenë ndikim pozitiv dhe të fuqishëm.
Trazojmë ide:
Cila është një nga fjalët e urta të preferuara për ty? Ose a ke ndonjë që ta kanë fiksuar prindërit, po sikur ta ndryshosh dhe ta bësh më pozitive? Bëjmë një provë dhe ndryshoje një nga këto 10-të fjalë të urta në pozitive:
Si është fjala e urtë origjinale: "Ruhu nga thëngjilli i mbuluar". Si mund ta kthesh në pozitive: "Me një thëngjill ndez një zjarr".
"Përmend qenin bëj gati shkopin".
"Mos ki frikë nga hasmi, po nga miku i rremë".
"Ku do të dijë hëna se lehin qentë".
"Guri i rrumbullakët nuk zë vend".
"Derri do plumbin, nuk zihet me duar".
"Të shef bojën sa ta ka nevojën".
"Lype se s'ta jep, merre se nuk thotë gjë".
"Kam qeshur të tjerë, më mbiu në derë".
"Çezma i lan të gjithë, veten nuk e lan".
"Nuk është ar gjithçka që ndrit".