24 Prill

A Ka Familje Të Përsosur?

Në fakt është e kundërta, i gjithë njerëzimi erdhi nga një familje e dëmtuar dhe çdo familje është akoma e dëmtuar. Edhe nëse ti je pjesë e një familje super, përsëri prindërit e tu e kanë origjinën nga një familje e dëmtuar. Sepse të gjithë kemi ardhur nga Adami dhe Eva, që u krijuan të përsosur, por u dëmtuan nga mëkati. Ajo që bëri Adami dhe Eva, dy njerëzit e parë, efekti i tyre na ndikon edhe neve sot. Ne kemi ADN-në e tyre, cilësimet e tyre në trupin fizik. Por kemi edhe ADN-në frymërore nga ata që na shtyn të sillemi në një lloj forme të caktuar; e kemi marrë prej tyre. 

Le të shikojmë gjërat që morëm nga rënia e tyre dhe përse na duhet Jezusi dhe si ajo që bëri Ai në kryq na ndihmon ta rikuperojmë këtë trashëgimi të dëmtuar. Dy njerëzit e parë kishin një marrëdhënie perfekte, 

të përsosur me Perëndinë dhe me njëri - tjetrin. Dhe kur mekatuan, u prish marrëdhënia e përsosur që kishin me Perëndinë dhe me njëri - tjetrin. Ja ta shikojmë më nga afër. Zanafilla 3:1 Por gjarpri ishte më dinaku ndër të gjitha bishat e fushave që Zoti Perëndi kishte krijuar, dhe i tha gruas: "A ka thënë me të vërtetë Perëndia: "Mos hani nga të gjitha pemët e kopshtit?"". Gjëja e parë që gjejmë në Shkrim, ajo që ka thënë Djalli është: Të hedhë dyshime mbi atë që ka thënë Perëndia. Që i bie, para se dikush të mëkatojë, së pari duhet të dyshojë atë që ka thënë Perëndia. Si vazhdon… 

Zanafilla 3:2-4 Dhe gruaja iu përgjigj gjarprit: "Nga fruta e pemëve të kopshtit mund të hamë por nga frutat e pemës që është në mes të kopshtit Perëndia ka thënë: "Mos hani dhe mos e prekni, ndryshe do të vdisni". Atëherë gjarpri i tha gruas: "Ju s'keni për të vdekur aspak… . Ja, si luan i ligu me fjalët që ka thënë Perëndia. Por Shkrimi thotë keshtu; jojo, nuk i di të gjitha ti. 

Zanafilla 3:5 por Perëndia e di që ditën që do t'i hani, sytë tuaj do të hapen dhe do të jeni në gjendje si Perëndia të njihni të mirën dhe të keqen". Pastaj vjen momenti kur bëhet dëmi; gruaja pa 3 gjëra tek ajo pemë e ndaluar. Zanafilla 3:6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë, që ishte e këndshme për sytë dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë; dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.

Meqë jemi te ky varg, shohim një gjë interesante; burri ishte afër gruas, ndërkohë që djalli po bënte muhabet me gruan e tij dhe nuk i tha gjë. Kështu që çuna, mos ia vini fajin vetëm gruas që mëkatoi sepse edhe burri aty ishte dhe rrinte si “qyp” apo shkon më mirë: “rrinte si pemë” afër pemës. Dhe nuk e hapi gojën kur djalli bënte muhabet me gruan e tij.

Le të shohim TRE gjëra që pa Eva te pema por që i gjejmë edhe në vende të tjera në Bibël.
1 Gjonit 2:16 Sepse gjithçka që është në botë, lakmia e mishit, lakmia e syve dhe krenaria e jetës, nuk vjen nga Ati, por nga bota. Lakmia e mishit, lakmia e syve, krenaria… Ja ta shikojmë edhe një herë v.6 me këtë gjë në mendje:

Zanafilla 3:6 Dhe gruaja pa që pema ishte e mirë për t'u ngrënë (lakmia e mishit), që ishte e këndshme për sytë (lakmia e syve) dhe që pema ishte e dëshirueshme për ta bërë të zgjuar dikë (krenaria) dhe ajo mori nga fruta e saj, e hëngri dhe i dha edhe burrit të saj që ishte me të, dhe hëngri edhe ai.
Satani nuk ka hile të reja; çdo mëkat që na fton ai, ka lidhje me një nga këto tre kategori. Të njëjtat hile nga Zanafilla, te Gjoni deri te Zbulesa në fund. Doja ta theksoja këtë! Hajde vazhdojmë.
Çfare ndodhi kur mëkatoi Adami dhe Eva? Tre gjëra hynë në botë që nuk ekzistonin deri në atë moment dhe na ndikojnë sot e kësaj dite, personalisht, në familje…  Na ndiq nesër për më shumë… 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>