"Unë besoj, o Zot, ndihmo mosbesimin tim." Marku 9:24
A mund t'i besosh Perëndisë në ditë të vështira? A mund t'i besosh Perëndisë në kohë të pasigurta? A mund të qëndrosh në besim kur nuk shikon asnjë shenjë nga Perëndia në jetën tënde? Këto janë pyetje shumë të mira që një shumicë e madhe prej nesh ia kanë bërë vetes.
Imagjino dishepujt e Jezusit, nëse do të kishe mundësi t'i pyesje...Djema, kur ka qenë më e vështirë për ju në këto 3 vite e gjysëm me Jezusin? Kur ishte momenti më i errët, më i vështirë? Kur ishte momenti më i pashpresë? Kur ishte momenti që filluat të mendonit se ndoshta nuk ishte ide shumë e mirë që e ndoqët Jezusin. A ishte ky Mesia që prisnim? A mos kemi harxhuar kohën kot gjithë këto vite... Me shumë gjasë do të thonin se ishte në Darkën e Fundit, kur kuptuan se gjërat do të merrnin tatëpjetën pas asaj nate.
E di cilat janë ditët tona më të vështira? Kur mendojmë se kemi humbur kohën, se e kemi harxhuar jetën kot duke ndjekur Perëndinë sepse Ai nuk duket fare në jetën tonë.
Po mund t'i besosh Perëndisë sepse nëse do t'i pyesje dishepujt për mrekullitë dhe gjërat e mëdha që përjetuan me Jezusin, me siguri do të kishin shumë për të thënë. Kur ringjalli Llazarin, kur ktheu ujin në verë, kur eci mbi ujë, kur shëroi një të verbër, një të çalë, kur shëroi lebrozin etj...
Pëshpërit një lutje:
Perëndi faleminderit që je aty edhe kur unë nuk të shoh. Perëndi lutja ime le të jetë ajo te vargu më sipër, që Ti ta ndihmosh mosbesimin tim... Lutem dhe besoj në emrin Jezus, Amen.
19 Janar