8 Shkurt

Mos Duhet Të Ndërrosh Menunë?

Jezusi tha, lum ata që janë të uritur dhe të etur për drejtësi sepse ata do të ngopen. Kjo është grimca 2 nga 5 që ka lidhje me këtë lumturi. 

Si mund të ngopesh? Ti shkon te “frigoriferi” i jetës tënde dhe po kërkon të shuash urinë, të ngopesh. Dhe Jezusi të thotë, ki etje dhe uri për DREJTËSINË. Madje ka një super premtim te: Fjalët e Urta 21:21 Kush ndjek drejtësinë dhe dhembshurinë ka për të gjetur jetën, drejtësinë dhe lavdinë (nder).

Kur qenka kaq e mirë, përse nuk e ndjekim? I bie që Perendia paska shumë gjëra për ne dhe ne marrim ca thërrime nga ato që ai ka për ne. Ja të ndaj me ty dy gjëra që na pengojnë dhe dy gjëra sesi ta kemi drejtësinë. Do të ndaj sot një gjë që na pengon dhe në ditët në vazhdim pjesën tjetër. Nuk e ndjekim sepse…  

Ngopemi Me Gjëra Të Tjera. Është sikur të kesh përballë një vakt të mirë por ti je ngopur me patatina nuk të hahet më. Imagjino, po shkon për shpi dhe thua, se di a ka gatuar gjë gruaja/mami, kështu që po ha ndonjë byrek me dhallë dhe ble nja dy-tre, i ha dhe me ngut se të ka marrë uria dhe sa shkon në shpi, e gjen tavolinën të shtruar plot me gjëra të mira, aroma e gatimit e ka mbush shtëpinë, super ushqim ndërkohë që ti u ngope me byrek me gjizë. 

Pyetje personale: Çfarë është një gjë që po bën në jetë, që duket sikur po të ngop por eheee, prap bosh je. Bota, natyra jonë e vjetër, i ligu na fton, na shtyn të mbushemi, të ngopemi me qefet e përkohshme, që në dukje janë premtuese për të na ngopur por në fund e shikon që ishte kotësi edhe ajo gjë. 

Shiko, shpesh mëkati të jep shije të mirë në fillim është qef, duket sikur të ngop në fillim, por në fund të le me boshllëk. Shiko çfarë thuhet te Hebrenjve 11:25 “Ai (Moisiu) zgjodhi që më mirë të vuante me popullin e Perëndisë, sesa të shijonte përkohësisht dëfrimet e mëkatit. Qejfi i mëkatit është përkohësisht… 

Dua t’ju lexoj dy varge, por dua vëmendjen e plotë sepse dua ta mbyll me një pyetje sfiduese. Ja i lexojme bashke: Isaia 55:1-2 “O ju të gjithë që keni etje, ejani tek ujërat dhe ju që nuk keni para ejani, blini dhe hani! Ejani, blini pa para dhe pa paguar verë dhe qumësht! Pse shpenzoni para për atë që nuk është bukë dhe fryt i mundit tuaj, për atë që nuk të ngop?” Dëgjomëni me kujdes dhe do të hani atë që është e mirë dhe shpirti juaj do të shijojë ushqime të shijshme.

Dua ta mbyll me dicka që shkon me situatën e dikujt sot? A ka ardhë koha të ndryshosh llojin ushqimit që po ha, a ka ardhë koha të ndryshosh menunë që po përdor për tu ngopur?
Çfarë duhet të ndryshosh konkretisht, çfarë duhet të bësh ndryshe për t’i treguar Perëndisë që po ndjek atë që është e drejtë. Për t’i treguar Atij, që dëshira jotë është të ngopesh me Të së pari? 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>