Vargu i ditës: "Unë po ju lë paqen, po ju jap paqen time: unë po jua jap, po jo si e jep bota; dhe zemra juaj mos u trondittë dhe mos u frikësoftë." Gjoni 14:27
E sigurt që ti të paktën një herë në jetë ke ndjerë paqe. Edhe mendoj se po të mbyllësh sytë dhe të kthesh kohën pas, do të shohësh që ke patur shumë momente që ke ndjerë paqe pas furtunave të ndryshme...
Puna nuk është të kesh paqe pasi gjithçka zgjidhet; paqja që na duhet është kur jemi në mes të vështirësisë dhe jemi duke u përballur me situatat e ndryshme që na sjell jeta... Kjo ndoshta është e vështirë për ta arritur dhe për këtë na flet edhe vargu më lart.
Dikush ka thënë:"Ata njerëz që e shohin paqen si një pëllumb, janë po ata që e burgosin..."
Jezusi këtu është duke bërë dallimin mes paqes që vjen nga Ai dhe paqes që vjen nga bota. Pra ka shumë lloje paqesh. Një nga ato është kur jemi shumë shqetësuar për diçka dhe ajo gjë zgjidhet, kjo na jep paqe. Kur fëmija merr rrugë të keqe apo kur martesa merr tatëpjetën, kur këto gjëra zgjidhen ne kemi paqe. Pra është diçka që po të rëndon dhe është dikush që i heq këto gjëra nga shpatullat e tua dhe kjo lloj paqeje është shumë e mirë. Por Jezusi thotë se paqja që do të na japë, është nga ajo lloj paqeje që nuk ka shumë kuptim në pamjen e parë. Është ajo lloj paqeje që do të të mbajë kur je në mes të dhimbjes dhe Jezusi na thotë që zemra tonë të mos tronditet dhe të mos frikësohemi edhe pse kjo nuk duket shumë e lehtë. Por, paqja e Jezusit është paqja që na duhet për të kaluar vështirësitë që na sjell jeta...
Pëshpërit një lutje:
Perëndi faleminderit që je me mua në kohë të mirë dhe të keqe, në ditë me diell edhe në ditë me shi. Perëndi, paqja jote është ajo lloj paqe që më duhet kur jam në mes të vështirësive dhe është ajo që më mban me shpresë se Ti do ta rregullosh këtë gjë. Faleminderit Jezus që më jep atë që bota kurrë nuk mund të ma japë. Lutem këtë ditë që do të kem paqen tënde që më mbush dhe më jep shpresë për të ardhmen. Amen.