28 Shtator

Perëndia është me TY!

Vargu i ditës: "Çfarë të themi, pra, për këto gjëra? Në qoftë se Perëndia është me ne, kush mund të jetë kundër nesh?" Romakëve 8:31

Mendoj se të ka ndodhur që të mendosh se nëse e kam shok filan njeri me pushtet apo ndonjë boksier, me siguri kur të jetë ai në krahun tënd, ti fillon të ndihesh i pathyeshëm dhe shokët te lagjja do t'ja mbathin me të katra kur të të shohin... 

Pra ti dhe unë kemi gjithnjë nevojë të kemi një vend ku të mbështetemi dhe ai vend duhet të jetë themel i fortë, që askush nuk mund ta thyejë, askush nuk mund ta dyshojë madje që mund ta thyejë. Ne ndihemi të fortë, të pathyeshëm, të paprekshëm sepse e dimë kë kemi në krah... 


Dikush ka thënë:"Premtimi më i gjallë dhe më i vështirë që një njeri mund të bëjë është t'i thotë dikujt: 'Po, unë do të jem ty, pavarësisht si shkojnë gjërat!'"

Pra, nëse Perëndia është në anën tonë, nuk ka asnjë njeri në tokë, asnjë qenie që mund të jetë kundër nesh. Kjo mund të jetë në mendjet tona dhe të na bëjë të ndjehemi mirë por ndoshta shumica prej nesh nuk e besojnë këtë në zemrat e tyre. Kjo mund të jetë se ne ndoshta i shohim njerëzit e tjerë si kërcënim ndaj ambicieve, ëndrrave dhe madje edhe ndaj qëllimeve tona. Dhe kemi këtë historinë e bukur mes Davidit dhe Saulit dhe ky është shembulli i duhur për këtë. Nga historia dimë se Sauli u bë mbreti i parë në Izrael dhe ishte Perëndia që e vuri mbret dhe Izraeli nuk kishte patur mbret më parë dhe profeti Samuel e shpalli mbret Saulin sepse Perëndia kishte vendosur ashtu. Më pas del në skenë Davidi, ky bari i vogël dhe ai bëhet pjesë e ushtrisë së Saulit dhe bëhet shumë i rëndësishëm dhe po fitonte shumë beteja për Saulin. Por kur po kthehej një ditë në qytet, njerëzit ishin të lumtur ngaqë kishin korrur fitore mbi armiqtë dhe Sauli në një moment dëgjoi njerëzit duke thënë se Sauli kishte vrarë një mijë ndërsa Davidi dhjetë mijë. Pra në momentin që Sauli i dëgjoi këto gjëra nga njerëzit, Ai filloi ta urrente Davidin dhe ta shikonte atë si kërcënim. Sauli debatoi me Jonathanin, birin e tij duke i thënë se mbretëria që i kishte dhënë Perëndia, po kërcënohej nga Davidi. Atë që harroi Sauli e harrojmë edhe ne shumë shpesh. Ai qëllim që Perëndia vendos për jetën tënde, nuk ka njeri që mund ta përmbysë apo ta kundërshtojë, sepse kur Perëndia është me ty, nuk ka njeri që mund të jetë kundër teje. Prandaj pusho së krahasuari veten me të tjerët në bazë të aftësive apo arritjeve që mund të kesh ti apo të tjerët. Në qoftë se Perëndia është me ty, kush mund të jetë kundër teje? 


Pëshpërit një lutje: 

Perëndi të falënderoj dhe të jam mirënjohës që je me mua... Ti je më i madh se çdo gjë që njohim dhe nuk njohim. Perëndi, më ndihmo ta ngulit në zemrën time që Ti je me mua dhe askush nuk mund të jetë kundër meje, për shkak se unë jam në anën e fitimtarit, jam në anën tënde Perëndi. Zot lutem që kjo ditë të jetë plot me guxim dhe me shpresë se kur Ti je me mua, askush nuk mund të jetë kundër meje. 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>