26 Shtator

Ruaje Fjalën e Tij!

Vargu i ditës: "E kam ruajtur fjalën tënde në zemrën time, që të mos mëkatoj kundër teje. Psalmet 119:11

Besoj e ke dëgjuar atë shprehjen e vjetër tonën: "Mbaje vëth në vesh!". Kjo ishte kur dikush të linte një porosi apo një fjalë që do të të shërbente për jetën dhe ishte shumë e rëndësishme, saqë ti do të duhet ta mbaje me vete, si vathët që mbaheshin në vesh që edhe pse ndoshta mund t'i harroje që mund t'i kishe, sërish ato ishin aty për të të kujtuar.

Ndoshta jo të gjitha gjërat kanë qenë aq të rëndësishme sa për t'i mbajtur mend, por jam i bindur se disa prej tyre shpesh të kalojnë nëpër mend në situata të caktuara. Nëse mund të të bëj një pyetje sot: "Çfarë je duke ruajtur në zemrën tënde?" A janë këto fjalë ndërtuese apo je duke mbledhur hidhërim dhe gjëra që të dëmtojnë? 

Dikush ka thënë: "Sigurohu të ruash gjërat e duhura për të jetuar jetën e duhur!"

Ky Psalm është shkruar nga Mbreti David dhe në shumë mënyra ky Psalm është si një letër dashurie nga fjala e Perëndisë. Është gjithashtu Psalmi më i gjatë në Bibël dhe jep pamjen e madhe si mbreti David e shpreh dashurinë dhe mirënjohjen ndaj Perëndisë për Fjalën e Tij. Kjo na tregon se Davidi në këtë varg nuk është vetëm duke thënë se e lexon dhe e studion Fjalën e Perëndisë, por gjithashtu e ruan në zemrën e tij. Tani ajo fjala "ruaj" në Hebraisht do të thotë ta fshehësh, ta ruash, ta mbrosh si thesar... Kjo na ngre pyetjen: "A e kam unë të njëjtën ndjesi dhe mirënjohje si Davidi për Fjalën e Perëndisë? A po e ruaj unë atë në zemrën time?" Sepse jeta ka ulje - ngritje dhe tundime të ndryshme prandaj, a jam duke e mbrojtur Fjalën e Perëndisë si prioritet në jetën time? A jam duke iu afruar Biblës me minimumin tim, thjesht e lexoj atë dhe kaq? Ky varg mund të jetë sfidues dhe inkurajues në të njëjtën kohë sepse ajo që ruajmë në zemrën tonë është Fjala e Perëndisë dhe kjo na bën të kemi një lidhje, një marrëdhënie të afërt me Perëndinë. Prandaj, cili është hapi i rradhës për ta përqafuar Fjalën e Perëndisë dhe për t'u përkushtuar për ta lexuar përditë dhe për të marrë nga Fjala e Tij.

Pëshpërit një lutje:
Perëndi të falënderoj që më ke dhënë Fjalën tënde që të shërbejë si llampë në rrugën time dhe që unë ta ruaj atë që të mos mëkatoj kundër teje. Zot më bëj që ta reflektoj me jetën time atë që Ti do për mua. Lutem dhe bësoj në emrin Jezus, Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>