“Dhe ne e dimë se të gjitha gjërat bashkëveprojnë për mirë për ata që e duan Perëndinë, për ata që janë thirrur sipas qëllimit të tij.” Romakëve 8:28
Ky shkrim na inkurajon të besojmë se Perëndia do të bëjë që gjithçka të bashkëveprojë për mirë pavarësisht situatave apo rrethanave në të cilat ndodhemi. Kjo është për ata që e duan Perëndinë dhe që janë thirru sipas qëllimit të Tij.
Kjo, nga ana tjetër nuk do të thotë se jeta do të na shkojë vaj dhe se gjithçka do të jetë e lehtë. Jo! Por kjo do të thotë se Perëndia do të përdorë çdo situatë të bashkëveprojë për mirë. Si? Këtë nuk e dimë dhe kjo lë vend për diskutim, ama Shkrimi na siguron se gjërat do të bashkëveprojnë për mirë, edhe për ty edhe për mua sepse ne e duam Perëndinë dhe Perëndia ynë është më i madh se situatat apo rrethanat e jetës.
Ky varg na inkurajon të vazhdojmë të besojmë në Perëndinë, në kohën e tij, në planin e Tij sepse Ai është duke punuar në të mirën tonë duke përdorur vështirësitë për të përmbushur qëllimin e Tij në jetën tonë. Ndërsa jemi duke ndjekur Perëndinë ai do të bëjë që çdo gjë, pra të gjitha gjërat, të bashkëveprojnë për mirë në jetët tona.
Pëshpërit një lutje:
Perëndi, faleminderit që punon në jetën time edhe pse në mënyrë që shpesh nuk i kuptoj. Ti e di më mirë Zot! Ti ke një plan për jetën tonë dhe Ti mund t’i japësh drejtim edhe situatave që duken të pamundura dhe t’i kthesh në favorin tonë. Zot të lutem merre situatën, barrën që kam sot dhe më jep ngushëllimin se diçka e mirë do të dalë prej kësaj. Zot të dua dhe lutem në emrin tënd, Amen.