Dua shumë që këtë javë të ndaj me ju Grimca që kanë lidhje me Familjen e Perëndisë! Këtë familje që Perëndia e ka mbledhur dhe e ka blerë me gjakun e Krishtit Jezus.
Dhe para se të bëheshim pjesë e familjes së Perëndisë, u rritëm në një familje tjetër, nuk po them për familjen biologjike, ne u lindëm si pjesë e familjes së Adamit dhe Evës, ata mëkatuan, mëkati u pasua brez pas brezi deri tek ne. Por tani, kur zgjodhëm Krishtin, u rilindëm dhe u bëmë pjesë e familjes së Perëndisë.
Si Moisiu, ai u rrit në pallatin e Faronit, por pastaj kuptoi që ai nuk i përkiste asaj familje, i përkiste popullit të Perëndisë dhe iu desh ca kohë si të përshtatej në këtë familjen e re. Unë isha 18 vjeç kur u rilinda, por deri në atë moshë isha pjesë e ndikimit të kësaj bote derisa u rilindja dhe u bëra pjesë e familjes së Perëndisë. Ja dhe 2 javë bëhem 30 vjeç në besim, qershor 1993 zgjodha Krishtin dhe hyra në familjen e Perëndisë.
Lexojmë disa vargje që flasin për familjen e Perëndisë. Te Efesianëve 2:19 Ju, pra, nuk jeni më të huaj, as bujtës, por bashkëqytetarë të shenjtorëve dhe pjesëtarë të familjes së Perëndisë. Kur zgjedh Krishtin, ti je pjestar, anëtar familje, i familjes së Perëndisë. Uroj shumë që gjatë kësaj jave të dalë sa më qartë çfarë do të thotë të jesh pjestar në familjen e Perëndisë.
Ja nje varg tjetër… Efesianëve 3:14-15 Për këtë arsye unë po i ul gjunjët e mi përpara Atit të Zotit tonë Jezu Krisht, nga i cili merr emër çdo familje në qiejt dhe mbi tokë.
Çdo familje, në qiell, ata që kanë shkuar tashmë të jenë me Zotin dhe në tokë, ne që jemi akoma këtu, të gjithë kemi marrë emër nga Krishti. Quhemi të krishterë, të Krishtit, jemi të Tijët, jemi pjesë e familjes së tij. Sa e veçantë që është, prej Krishtit ke marrë emër të ri dhe je pjesë e familjes së Tij tani.
Siç kur martohet një vajzë që merr emrin e familjes së re dhe njihet me atë emër. Çunat e mi për shkak të mbiemrit tonë disa herë llastohen, disa herë sulmohen. Një herë, kur Rubi shkoi për të marrë diçka te një mjek që është i krishterë, i thashë thuaj që je çuni im që të mbarosh punë shpejt. Jo, jo, kam siklet. Ok, e takoi doktorin për të marrë diçka, dhe e pyeti: “Si e ke emrin? – e pyeti, Rubin Kita. “Po pse nuk thua, ti qenke çuni i Altinit. S’po dija ç’të bëja! – tha Rubi. Të isha në siklet apo falënderues se mbarova punë shpejt prej teje.
Kurse Martin e kanë bezdisur disa herë për shkakun tim dhe një nga ato që e bëri të qante ishte kur një grup tallej dhe e ngacmonin, babai yt, është pastor gjerman apo belg. Por është paketë e familjes, ka bekime dhe sfida.
Kjo është ajo që doja të ndaja me ty sot, kur zgjodhe Krishtin ti u bëre pjesë e familjes së Perëndisë. Por çfare do të thotë, kur u rilindëm, kur u bëmë pjesë e familjes së Perëndisë, tre gjëra që do të shikojmë bashkë në ditët në vazhdim…