28 Dhjetor

Si Të Arrij Maksimumin Në 2023?

Edhe pak ditë dhe mbaroi 2022. Çfarë do të bësh në 2023 që të jetë ndryshe nga 2022? Sa nga ju do të donit që të ishte ndryshe? Lajmi i mirë është: Zoti na jep një vit të ri, muaj, javë, ditë të re. Ai e di që kemi nevojë shpesh për fillime të reja sepse e teprojmë shpesh dhe na duhen fillime të reja herë pas here. 

Që ky vit të jetë ndryshe, së pari qartësoje, çfarë do në të vërtetë këtë vit? Vendose, çfarë është e rëndësishme dhe çfarë jo. Jobi 34:3-4 “Sepse veshi i shqyrton fjalët, ashtu si qiellza shijon ushqimet. Le të zgjedhim ne vetë atë që është e drejtëtë pranojmë midis nesh atë që është e mirë.”  

Që do të thotë, le ta qartësojmë ne vetë se çfarë duam këtë vit. Për çfarë ia vlen me të vërtetë ta përdorësh këtë vit? Nëse nuk e vendos ti vetë se çfarë është më e rëndësishme për ty, atëherë të tjerët ose presionet e jetës do të çojnë sa andej e këndej dhe befas do të mbarojë edhe 2023 shumë shpejt dhe do të thuash: “Çfarë bëra këtë vit, s’më duket asgjë me vlerë, më iku dhe një vit kot?”

Dua të të nxis që sot/sonte gjej nja 30 minuta kohë ulu dhe shkruaj dy gjëra në një copë letër:
Së pari“Cilat janë gjërat që vlerësoj më shumë në jetë?” Cilat janë ato gjëra që ia vlen ta shpenzosh jetën? Çfarë vlerëson më shumë? Bëj një listë me disa gjëra. 
E dyta shkruaj: “Çfarë dua të ndryshoj te vetja në 2023?” Sigurisht duke besuar që Perëndia mund të ndryshojë. Bibla thotë: “Ju nuk keni sepse nuk keni kërkuar.”

Bibla gjithashtu thotë: “gjithçka më lejohet, por jo gjithçka është e dobishme.” Disa gjëra nuk janë të këqija, por nuk janë të nevojshme. Ti nuk ke kohë për t'u marrë me çdo gjë. Atëherë gjej se çfarë janë nja 2-3 gjëra të cilat do të arrish këtë vit. Çfarë janë më shumë të rëndësishme për ty? 

Synimi ynë përfundimtar është të bëhemi si Jezu Krishti. Pyetja del, po Jezusi si u zhvillua, si u rrit? Luka 2:52 na tregohen katër mënyra sesi Ai u zhvillua. “Jezusi rritej në diturinë shtat dhe në hir para Perëndisë dhe njerëzve.” Po sikur të vendosësh një synim në këto 4 zona:

Së pari synime nga ana Intelektuale. Bëji vetes pyetjen: “Çfarë dua të mësoj në 2023?” Bibla thotë: “Kush fiton mënçuri do vetë jetën e tij dhe ai që mbetet i matur do të gjejë të mirën. Fjalët e Urta 19:8 Zgjeroji njohuritë, bëhu më i aftë në një ose disa fusha këtë vit. 

Së dyti, Zona e dytë e jetës është ana Fizike. Si do ta përmirësoj shëndetin këtë vit? Do të humb ca kg? Do të fle më shumë, do të zgjohem më herët? Do të bëj ushtrime fizike? Do të ndryshoj mënyrën e të ushqyerit? Bibla është plot me ide për shëndetin.“Një zemër e gëzuar është një ilaç i mirë. Por një frymë e dërrmuar i than kockat. Fjalët e Urta 17:22 

Së treti, Synime nga ana Shpirtërore. Çfarë mund ta thellojë më shumë miqësinë time me Perëndinë? Mund të jetë një gjë që ti e di se duhet bërë por e ke lënë pas dore gjithë vitin. Mund të jetë thjesht hapi i radhës. A e ke pranuar Krishtin? Nëse jo, zgjidh për të besuar që tani. Nëse beson, a je pagëzuar? Nëse jo, le të jetë ky synimi i radhës. A je anëtar i një kishe lokale? A po bën diçka aty? Ide tjetër, lexoje Biblën më rregullisht në vitin 2023. Bëj një plan leximi. Nëse vitin që po shkon, kohën e qetë e ke bërë një ose dy herë në muaj, sa shpesh do që të jetë këtë vit? 

Së katërti, synime nga ana sociale. Shërbimi ndaj të tjerëve. Si do t'u shërbej të tjerëve? Perëndia nuk do që të mendosh vetëm për vete. "Gjithësecili le ta vërë në shërbim të tjetrit dhuntinë që ka marrë…” 1 Pjetrit 4:10. Sa herë që ndihmon dikë, kjo quhet shërbesë. Ti i shërben Perëndisë duke u shërbyer të tjerëve. 

Shkruaji synimet e tua në këto 4 zona dhe vendosi diku ku i shikon çdo ditë. 

Ndoshta ndonjëri po thotë: “Unë e kam bërë një herë këtë gjë dhe zgjati vetëm 2-3 javë. Kam vënë synime kushedi sa herë dhe nuk i kam arritur, nuk i ndjek dot." Prandaj është e nevojshme që të ecësh me Zotin çdo ditë sepse Efesianëve 6:10 thotë: "Forcohuni në Zotin dhe në forcën e fuqisë së Tij." Ky është ndryshimi që sjell besimi në Jezu Krishtin. Forca vjen nga Zoti për të marrë një përkushtim dhe për ta mbajtur atë. 

Uroj që të ketë qenë inkurajim dhe nxitje për ty.
Gëzuar Vitin e Ri miq!


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>