17 Maj

Si Të Sillem Me Të Rriturit?

Faza e tretë për bijtë dhe bijat është kur janë të rritur. Fjala për këtë grupmoshë është "Ti iu BESON" atyre. Sigurisht që do të kërkojnë këshilla, do të pyesin për gjëra, por ajo që kanë nevojë më shumë është të kesh besim tek ata. 

Këto janë tre fjalët kyçe për 3 fazat e bijve/bijave: Disiplina (fëmijëve u jep disiplinë) Mësimi (adoleshentit i jep mësime, udhëzime), Besimi (të rriturit i jep besim). Në Bibël i rritur quhej ai që ishte 20+ vjeç. 
Eksodi 30:14 Kur dikush ishte 20 vjeç duhet të paguante taksën e tempullit, një lloj oferte. 
Numrat 1:3 Kur dikush ishte 20 vjeç duhet te shkonte ushtar, ishte gati per lufte. 
Numrat 14:29-32 Kur dikush ishte 20 vjeç u kërkohej llogari për mëkatet e tyre. Ata që ishin nën 20 vjeç do të hyjnë në tokën e premtuar, por ata që janë mbi 20 vjeç do t'u kërkohet llogari për mëkatet e tyre dhe nuk do të hyjnë në tokën e premtuar, përveç Jozueut dhe Kalebit. Pra, 20+ ishte mosha në Bibël që konsideroheshe i rritur. 

Ka njerëz që thonë se njeriu kur martohet quhet i rritur. Po nëse ai nuk martohet fare, mund të sillet dhe  të bëjë si fëmijë dhe s'i kërkon llogari njeri, ska gjë, nuk është pjekur akoma ky, kur të martohet do të piqet?! Madje në kulturën e sotme 18 vjeç konsiderohesh i rritur, ke të drejtën për të votuar, për të shkuar ushtar, për t'u martuar, për pasaportë, për të udhëtuar i pavarur nga prindërit…
Në këtë moshe biri, bija ka nevojë të trajtohet si i rritur, jo më si fëmijë. Prindërit kanë qejf të ngatërrohen nëpër këmbët e të rriturve 20+ dhe i trajtojnë si fëmijë akoma. Nuk bënë pjesën e tyre në kohën e duhur dhe nuk iu ndahen më. Lëre, u rrit ai tani, çfarë pate për t'ia mësuar e ka mësuar; tani lëre të mësojë e të pësojë vetë.  

Ja një moment nga jeta e Samsonit nga libri i Gjyqtarëve. Ai u dashurua me një vajzë Filistinase dhe donte të martohej me të. Prindërit nuk donin të merrte atë për grua. Por shiko sesi thonë vargjet. 

Gjyqtarët 14:4 "Por i ati dhe e ëma nuk e dinin se kjo vinte nga Zoti dhe që Sansoni kërkonte një rast kundër filistenjve. Në atë kohë, filistenjtë sundonin në Izrael".
Prindërit nuk e dinin që Perëndia donte t'i mësonte diçka Samsonit. Në këto vargje nuk bëhet fjalë për Delilan, ajo që i preu flokët. Samsoni pati tre gra, kjo te vargjet që lexova më lart ishte e para. Në fillim prindërit nuk e dinin se çfarë po bënte Perëndia me jetën e tij. Shpesh prindërit mendojnë se ky fëmija i rritur ka nevojë për t'u mësuar akoma. Babi im këmbëngulte që unë duhet të shkoja në shkollë ushtarake. Unë nuk doja dhe aplikova për një shkollë tjetër që nuk e fitova. Ja, s'më dëgjove mua. Pastaj unë u bera i Krishterë dhe e doja kishën por kjo e bezdiste shumë atë dhe mundohej të më pengonte. Tani, mund të them që ai nuk po e shikonte se çfarë po bënte Perëndia tek jeta ime.  

Prit pak, kjo do të ngjajë e çuditshme. Vjen momenti për prindërit, kur fëmija rritet dhe nuk është më fëmijë por është vëlla dhe motër në Krishtin; si shok, si shoqe. Që do të thotë, ti i jep këshilla por nëse nuk e ndjek këshillën është në dorën e tij/saj. 

Por është moment i mirë për ta shikuar kështu. Sepse ka të rritur që nuk shkojnë te prindërit më për këshilla. 

1- Prinderit përpiqen t'i kontrollojnë; ti erdhe për këshille tek ne, ne të thamë "jo". Ti nuk po na nderon më siç na nderoje atëherë. Se kështu e thotë edhe Bibla. Shiko, nëse e përdor Biblën që të dalë e jotja, ky quhet abuzim i Shkrimit. Nëse ai person është 20+ ti si prind nuk ke më autoritet mbi të, ai është i rritur. Le t'i japë drejtim vetë.
Trajtoje si vëlla si motër, që vjen për këshilla tek ty, por jo si fëmijë; o bëje kështu, o mos më hajde në shtëpi.
Jo, iku ajo moshë, të iku koha kur mund ta disiplinoje dhe ta mësoje.  

Kur të rriturit e dinë që prindërit nuk bien dakord me ta, ata nuk shkojnë për këshillë, por thjesht ua thonë se çfarë vendosën. - Do të iki në Itali javës tjetër! Po ti s’na pyete, javës tjetër ne do të ikim në Durrës! Unë i preva biletat, do të shkoj. Kur unë doja të pagëzohesha, 19 vjeç, babi bëri shumë zhurmë dhe presion. Kur isha 20 vjeç, u pagëzova dhe pastaj i thashë. "E mirë s'ka gjë, ti e di vetë". - tha babi. Nuk ishte mirë; unë do të doja që ai të më kuptonte pse po e bëj këtë gjë, por ai nuk donte të më kuptonte dhe kjo i shtyn të rriturit të bëjnë me kokën e tyre pastaj t’iu thonë prindërve. 

Prandaj them; trajtoi si motër, si vëlla kur janë 20+ që të vijnë të marrin këshilla, të luten me ty, të hapin zemrën. Jo të kenë frikë, se e dimë se çfarë do t'u thuash. 

Ky lloj qëndrimi do të qetësonte shumë sherre të panevojshme. Nëse prindërit do t'i shikonin fëmijët e tyre 20+ si të rritur, jo si i vogli i mamit edhe pse atij i kanë dalë mustaqet; mami prap duke i futur dymijëlekshin në xhep. Kjo është të abuzosh me autoritetin tënd si prind, duke mos e lënë të rritet e të piqet fëmija. Nesër dua të ndaj diçka të veçantë për abuzimin e autoritetit. 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>