Duket sikur ka rënë një çikë dëshira për të shërbyer në kishë. Uroj që ky shkrim të të inkurajojë për të dhënë kontributin tënd sepse është një nga qëllimet e jetës sonë, të shërbejmë. Ja si thuhet…
“Ne në fakt jemi vepra e tij, e krijuar në Krishtin Jezus për vepra të mira (për të shërbyer) që Perëndia përgatiti që më parë, që ne të ecim në to.” Efesianëve 2:10
Romakëve 12:1-8 Janë 4 gjëra kyçe për shërbesën:
E Para: Çdo Besimtar Duhet Të Shërbejë!
Perëndia i thërret të gjithë besimtarët t'i shërbejnë botës dhe kishës. Të jesh i krishterë është të jesh si Krishti. Marku 10:45 “Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t’i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetave.”
Shërbimi është diçka që pritet nga çdo ndjekës i Krishtit sepse...
Çdo besimtar: Është krijuar për shërbesë Efes. 2:10, është shpëtuar për shërbesë 2 Tim.1:9, është thirrur për shërbesë 1 Pjetrit 2:9-10, ka dhunti për shërbesë 1 Pjetrit 4:10, ka autoritet për shërbesë Mat. 28:18-20, është urdhëruar për shërbesë Mat.20:26-28, duhet të përgatitet për shërbesë 1 Kor.12:27, ka nevojë për shërbesë dhe do të shpërblehet për shërbimin e tij Kol. 3:23-24.
E Dyta: Çdo Shërbesë Është E Rëndësishme
Të gjithë personat që shërbejnë janë njëlloj. Nuk ka një shërbesë më të rëndësishme se tjetra; ja si thuhet te 1 Korintasve 12:18-22 “Perëndia ka vënë çdo gjymtyrë të trupit si ka dashur... Syri nuk mund t’i thotë dorës: ‘Unë nuk kam nevojë për ty’, dhe po ashtu koka nuk mund t’u thotë këmbëve: Unë nuk kam nevojë për ju. Madje, gjymtyrët e trupit që duken se janë më të dobëta, janë shumë më të nevojshme se të tjerat.”
E Treta: Ne Jemi Të Varur Nga Njëri-Tjetri
Jo vetëm që çdo shërbesë ka rëndësi por çdo shërbesë lidhet me të tjerat. Si puna e lojës me pazëll, çdo pjesëz ka rëndësi që të dalë pamja e plotë. Po mungoi qoftë edhe një, do të bjerë në sy direkt vendi bosh. Duhet lidhemi, të varemi nga njëri-tjetri dhe të bashkëpunojmë bashkë.
E Katërta: Shërbesa Është Shprehje E Gjithë Jetës Time (5 Elementët)
Këto 5 elementë caktojnë se cila duhet të jetë shërbesa e një personi, të gjitha bashkë shkojnë me atë shërbesë që ka Perëndia për ty, jo vetëm njëra por çdo gjë që përdor Perëndia për shërbesën që Ai pret nga ty:
1-Dhuntitë frymërore, 2-Pasioni, 3-Aftësitë, 4-Personaliteti, 5-Përvojat.
“Po, ti ke formuar të përbrendshmet e mia, ti më ke endur në barkun e nënës sime. Unë do të kremtoj, sepse jam krijuar në mënyrë të mrekullueshme; veprat e tua janë mrekullueshme, dhe unë e di shumë mirë këtë gjë. Kockat e mia nuk ishin një e fshehtë për ty kur u formova në fshehtësi duke u endur në thellësitë e tokës. Dhe sytë e tu panë masën pa trajtë të trupit tim, dhe në librin tënd ishin shkruar ditët që ishin caktuar për mua, megjithëse asnjë prej tyre nuk ekzistonte ende.” Psalmi 139:13-16
Për të gjetur vendin e duhur për shërbesë analizoji me kujdes këta pesë elementë: Dhuntitë frymërore, Zemra (pasioni),Aftësitë, Personaliteti, Përvojat. Nëse është ndihmë për ty, dua të ndaj me detaje për secilën nga këto të 5-ta në javët në vazhdim.