16 Gusht

Shërbej Si Jezusi!

Vargu i Ditës: "Sepse edhe Biri i njeriut nuk erdhi që t'i shërbejnë, por për të shërbyer dhe për të dhënë jetën e tij si çmim për shpengimin e shumë vetëve." Mateu 20:28

Imagjino një mbret apo dikë me pozitë të lartë në qeveri apo në një vend tjetër, që të ketë këtë mendësi: "Të fitoj postin, zgjedhjet, të bëhem Kryeministër që të shërbej, t'u shërbej të tjerëve dhe të gjej mënyra si të shërbej çdo personi." 

A do të ishte kjo një mendësi e çuditshme? Sepse në fakt kemi parë të kundërtën që postet, ofiqet dhe pushteti që merr, janë që të shërbejnë të tjerët ty. Dhe ngrihen mijëra struktura, rrathë pa fund "skllevërish" që i rrinë pronto "zotnisë së tij" se tani është me pushtet, tani është bërë ministër, tani është bërë drejtor, shef… 

Dikush ka thënë: "Nëse do ta njohësh një njeri në të vërtetë, jepi pushtet!"

Kjo puna e të shërbyerit e ka ngatërruar disi njeriun. Në fakt, sipas llogarisë së Jezusit, Ai erdhi këtu për t'u shërbyer njerëzve, për t'i shëruar, për t'i ngushëlluar, për t'i shpëtuar, për t'i trajnuar dhe udhëhequr. Ky është lidershipi i vërtetë dhe ky është pushteti që të duhet "se atyre që e pranuan atë, ai u dha pushtet të ishin bijtë e Perëndisë. Jezusi shkon edhe më tej, duke e dhënë jetën për mua, për ty. Duke ndjekur modelin e Tij, le t'i shërbejmë njerëzve, le të ndjekim shembullin e Jezusit dhe le të kapemi fort pas premtimeve të Tij.  

Pëshpërit një lutje
Perëndi faleminderit që erdhe në tokë dhe vdiqe për ne. Faleminderit që na dhe modelin e shërbimit, Zot dhe na dhe pushtetin të jemi bijtë e tu. Zot lutem që sot do të shërbej në komunitet, do të shërbej në familje, kudo që të ndodhem, do të shërbej sikur të ishe ti. Lutem në emrin Jezus, Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>