Vargu i Ditës:"Sepse, po të rrëfesh me gojën tënde Zotin Jezus, dhe po të besosh në zemrën tënde se Perëndia e ngjalli prej së vdekurish, do të shpëtohesh." Romakëve 10:9
Rrëfimi apo të thënit me gojë mund të shmangë shumë keqkuptime edhe në një shoqëri gjaknxehtë si kjo e jona. Mund ta thuash diçka, mund të kërkosh falje, mund të bësh një përgëzim por kjo duhet të dalë nga goja jote dhe duhet të dëgjohet. Kjo është mënyra si funksionon.
E ke vënë re që në një situatë të çuditshme, kur fillon ta shpjegosh kjo mund të sjellë ndryshim për mënyrën si merr biseda. Një shprehje e bukur thotë: "Mirënjohja nuk është mirënjohje nëse nuk thuhet!" dhe kjo heq një sërë problemesh dhe hatërmbetjesh, pra vetëm me një fjalë, me një frazë e thënë
Dikush ka thënë: "Rrëfimi është akt i ndërshmërisë dhe kurajos dhe mund të sjellë atë që heshtja shpesh mund ta pengojë."
Zoti, Perëndia ynë, ka kapacitetin dhe fuqinë që ta marrë ligësinë dhe mëkatin tonë mbi veten e Tij dhe ta zhdukë, ta mundë, përgjithnjë. Ndoshta njerëzit me raste do të shmangen edhe do të thonë se nuk kanë nevojë të shpëtohen sepse nuk është se ka ndonjë gjë për të shpëtuar, fundja siç është një thënie: “vdekjes dhe taksave nuk mund t'iu shpëtosh asnjëherë.” Por nevoja që kemi për t'u shpëtuar është ai rezultati final, përjetësia me Perëndinë dhe përjetësia pa Perëndinë. Por edhe për shpëtimin nuk është se ka nevojë për diçka të madhe, diçka magjike, të jashtëzakonshme... Thjesht duhet ndershmëri sepse ti e kupton që je mëkatar dhe ke nevojë për shpëtim dhe në të njëjtën kohë duhet kurajo të rrëfesh me gojën tënde se Jezusi është Zoti dhe se Perëndia e ngjalli atë prej së vdekurish... Kështu shpëtohesh... Ke dëshirë ta provosh? Hetoje zemrën tënde thellësisht dhe jam i bindur që ashtu si unë edhe ti ke ato gjërat që i mban fshehur dhe ke ndjenja turpi dhe faji, por fuqia e Perëndisë është më e madhe se ajo që je duke mbartur aty në atë vendin tënd sekret... Tregoja Perëndisë dhe besoje në zemrën tënde atë që do të doje ta thoje me gojë... që Jezusi është Zoti dhe Perëndia e ngjalli prej së vdekurish...
Pëshpërit një lutje:
Perëndi, të falenderoj o Atë dhe të jam mirënjohës për atë që ke bërë për mua në kryq. Faleminderit Perëndi që nuk më duhet ta fitoj me punë e me mund shpëtimin që Ti e sollë për mua nëpërmjet vdekjes dhe ringjalljes Tënde... O Zot, unë do ta rrëfej që Ti Jezus, Ti je Zoti dhe se Perëndia të ngjalli prej së vdekurish dhe do ta ndaj të vërtetën tënde, të vërtetën e shpëtimit, të vërtetën e pajtimit që kam në Ty... Lutem, falenderoj në emrin tënd Jezus, Amen.