A do të ndalojmë një moment vrullin e ditës dhe të lutemi për çdo fëmijë në Tiranë që të ketë mundësinë ta dëgjojë lajmin e mirë! Ja si tha Jezusi te Luka 18:16 Jezusi i thirri fëmijët pranë vetes dhe tha: ''I lini fëmijët e vegjël të vijnë tek unë dhe mos i pengoni, sepse e tyre është mbretëria e Perëndisë.
Leri, i lini. Pse tha i lini? Sepse të rriturit, si tek vargu më lart mund të bëhen pengesë për fëmijët që të vijnë tek Jezusi.
Psalmi 2:8 Nga goja e të vegjëlve dhe foshnjave në gji ke vendosur lëvdimin për shkak të armiqve të tu, për t'i mbyllur gojën armikut dhe hakmarrësit. Perëndia përdor fëmijët për të sjellë prindërit te Jezusi. Kështu ka ndodhur dhe në familjen tonë. Në fillim besuan ne fëmijët (unë isha 18 vjeç por tre nga motrat e mia ishin të vogla kur besuan) pastaj besuan dhe prindërit.
Perëndia ynë është Perëndia i brezave. Perëndia i Abrahamit, Isakut, Jakobit. Ai do që të gjithë brezat ta njohin atë, gjyshërit, prindërit, fëmijët, fëmijët e fëmijëve. Në fakt që kur erdhi lajmi i mirë në fillim ishin fëmijët dhe të rinjtë që besuan ndër të parët Jezusin. Dhe mendoje kështu: Kur një fëmijë apo një i ri beson te Krishti ata nuk e mbajnë vetëm për vete por shkojnë dhe e ndajnë lajmin e mirë te shokët e tyre.
Dhe, kur ata besojnë Fryma e Shenjtë është në ta. Ajo qe dua të theksoj fort në këtë pikë është se: nuk ka Fryma e Shenjtë një version për të rinjtë një për të rriturit. Fëmijët kur besojnë kanë të njëjtën Frymë të Shenjtë siç ka çdo besimtar që ka zgjedhur Krishtin.
Po dëgjoja dikë që thonte: “Të rinjtë janë e ardhmja”. Mendoj që është thënie e gabuar. Nëse vjen në ICF Tirana, rinia dhe fëmijët janë e sotmja. Te pulti do te gjesh një 13 vjecar, te kompjuteri do të gjesh një 15 vjecar. Në bandë, media… kudo do të gjesh të rinj dhe fëmijë duke bërë gjëra me dhuntitë dhe aftësitë që iu ka dhënë Perëndia. Ata kanë Frymën e Shenjtë, kanë energji, nuk janë e ardhmja, janë e sotmja.
Prandaj le të lutemi për fëmijët që të vijnë në besim dhe në momentin që ata vijnë ne besim, le t’i nxisim të ndajnë lajmin e mirë dhe të bëjmë gjëra me dhuntitë e tyre.