29 Qershor

10 Arsye—Kisha Online

Çfarë? Kishë online? Si bëhet, pse bëhet, pse duhet një herë? Kur filluam kishën online para 6 vitesh e ca, këto ishin pyetjet dhe shumë të tjera si këto.
A quhet shërbesë kjo? A nuk duhet që besimtarët të takohen fizikisht?
Po si mund ta quash kishë një herë? Sepse shkrimi thotë te Veprat 2:46-47 "Dhe ngulmonin me një mendje të vetme çdo ditë në tempull dhe, duke e thyer bukën nga shtëpia në shtëpi, merrnin ushqimin me gëzim dhe me thjeshtësi zemre, duke lavdëruar Perëndinë dhe duke gëzuar simpatinë e gjithë popullit. Dhe Zoti i shtonte kishës çdo ditë ata që ishin shpëtuar."

Ideja e kishës online është kjo: Një vizitor mund të përdorë cel e tij ose kompjuterin për të parë një festim/shërbesë të kishës kudo që ndodhet atë të diel, për të mësuar nga Fjala, për të biseduar, për të ndarë kërkesa lutje, për të bërë pyetje. 

Nëse të duket joreale, ja te jap disa arsye më shumë për kishën online: 

1) Heq Pengesat. Të gjithë e dimë që kisha ka hequr gjithmonë pengesat që kanë dalë rrugës, që njerëzit ta dëgjojnë ungjillin aty ku janë. Pas Reformimit nga Martin Luteri, filluan shtypshkronjat që të prodhonin Bibla që çdo familje të kishte një bibël në shtëpi. Dikur ishte koncept heretik, Bibla rrinte vetëm në kishë dhe lexohej vetëm të dielën. Xhon Uesley predikoi ungjillin me kalë duke shkuar vend me vend, jashte mureve të kishës. Kisha online po heq pengesat, po e çon kishën në dorë te çdo person që ka një smartphone, pavarësisht se ku janë dhe ku jetojnë. Mendohet të ketë mbi 10 milion shqiptarë, vetëm 2.8 milion jetojnë në Shqipëri, të tjerët janë nëpër botë. Kisha online shkon aty ku janë ata. 

Dëshmi reale ndër vite: Çdo verë kemi shqiptarë që kanë ardhur me pushime në Shqipëri dhe kanë ardhur të na takojnë, sepse kanë qenë duke na ndjekur online gjatë vitit dhe vijnë të na takojnë fizikisht. Miq nga Greqia, Italia, Gjermania, Anglia, Zvicra, USA, Franca, Dubai, Iraku, Turqia … madje kemi shqiptarë që na kanë ndjekur nga Kina dhe pa përmendur Kosovë, Maqedoni… 

2) Shfrytëzon për mirë botën e internetit. Jetojmë në kohët, që njerëzit po rrinë më shumë në internet sesa para televizorit. Sepse në internet mund të bësh diçka, like, komente, flasësh, japësh mendim, ndërveprosh ndërsa TV është pasiv. Interneti e ka “zvogëluar” shumë botën, mund të ndash për dashurinë e Perëndisë me këdo, kudo që ndodhet dhe nuk ke shkuar askund, je në shtëpinë tënde ose në kafe. 

Dëshmi reale:  Çdo të diel shkruajmë me personat që ndjekin kishën online dhe ata ndajnë kërkesa lutje dhe lutemi për ta dhe dërgjomë dëshmitë e tyre sesi Zoti iu përgjigj lutjes dhe se si po vepron në jetën e tyre dhe sesa ndikim ka qenë festimi online i kishës. 

3) Nuk kushton. Të fillosh një kishë të re fizike është sfidë më vete. Duhet të marrësh një ambjent me qera, karrige, pajisje, shumë njerëz. Kurse me kishën online, ti mund ta fillosh me një telefon. Gati çdo familje ka internet. Nëse ke smart Tv, e lidh direkt me internet dhe bashkë me familjen, miqtë, shokët, e kthen dhomën e pritjes në kishë.  

Dëshmi reale:  Në kohën e pandemisë ishin 123 grupe që ndiqnin festimet e ICF nga dhoma e pritjes. Shumë prej tyre na çuan foto si familje duke e ndjekur festimin online. Nga Usa, nga Europa, Azia, në shumë cepa të botës. 

4) E zmadhon kishën. Në vend që t’u themi njerëzve “eja patjetër në kishë” edhe ku nuk ka kishë, e çojmë kishën aty ku janë njerëzit. Sepse shumica nuk kanë mundësi të shkojnë në një kishë fizike. 

Dëshmi reale: Një grua që jeton në Itali tha, lexova në facebook për kishën online. Isha larguar nga Perëndia, sepse më ndodhën shumë gjëra dhe nuk kisha mundësi as të shkoja në një kishë këtu ku jam. Kisha online më ndihmoi të kthehem te Perëndia dhe të rritem në Perëndinë. Çdo gusht kur vjen në Shqipëri të takojë familjen, ajo do të vijë patjetër në ICF të na takojë dhe jep ofertë për shërbesat tona. 

5) Arrin audiencë shumë më të madhe sesa kisha fizike. Kisha jonë fizike është mbi 100 persona që vijnë në festimet tona javore. POR në të njëjtën javë janë mbi 3-5.000 shikime. Nuk e dimë ekzakt sesa njerëz janë, por dukshëm kisha online frekuentohet nga shumë e më shumë njerëz sesa ajo fizike. Dhe është e specifikuar vetëm për shqiptarët. Na është kërkuar disa herë që të vendosim titra në anglisht apo gjuhë tjetër, por nuk kemi rënë dakort. Ka tashmë kisha online në shumë gjuhë të ndryshme. Audienca jonë janë vetëm shqiptarët.  

Dëshmi reale: Janë filluar mbi 100 grupe të vogla dhe komunikojmë me shumë vende të botës ku ka shqiptarë. I ndihmojmë të gjejnë një kishë fizike aty ku janë, nëse jo, i nxisim të kthejnë dhomën e ndenjes në kishë. 

6) Përdorim i mirë i teknologjisë. Në fund të fundit njerëzit po rrinë në internet gjithësesi. Kisha ka lajmin më të mirë në botë dhe përdorimi i internetit e lehtëson shpërndarjen e këtij lajmi. Prandaj le të mendojmë: "Si ta përdorim për mirë internetin? Si ta përdorim për ndërtim dhe inkurajim?" 

Dëshmi reale: Një miku ynë, pastor dhe një nga misionarët e parë në Shqipëri, Von Golder thoshte: “Shpengoje atë që ka sukses në botë dhe përdore për lavdinë e Perëndisë". Një nga shërbesat më të mëdha në kishën ICF Tirana, është multi-media që merret me rrjetet sociale, grafika, foto, video, ndjekja e njerëzve që kanë interes për ungjillin kudo që janë. PSE? Sepse njerëzit janë online gjithsesi. 

7) E zmadhon vizionin. Nëse e shikon internetin si mjet për shërbesën, ai e zmadhon vizionin që Perëndia të ka dhënë. Por teknologjia nuk e drejton vizionin e kishës është mjeti që mbështet vizionin ekzistues të kishës. Mënyra më e thjeshtë është duke bërë pyetjen: "Si ta përdor internetin për ta rritur atë që Perëndia më ka besuar tashmë?"

Dëshmi reale: Çdo gjë që bëjmë e lidhim me vizionin dhe vlerat e kishës sonë dhe natyrshëm kisha online është mjet për të çuar përpara vizionin që ICF Tirana ka tashmë. 

8) Ndërton komunitet. Interneti është i fuqishëm për të lidhur njerëzit ngado që janë. E tregon dhe rëndësia që po u jepet grupeve në facebook ose bisedave me mënyra të tjera të mediave sociale. Nuk të duhet nxitje që njerëzit të hyjnë në mediat sociale sepse aty janë gjithsesi. Ti po e përdor për të sjellë vlerat e krishtera për njerëzit aty ku ata janë tashmë. 

Dëshmi reale: Është shumë e veçantë sesi njerëzit po mblidhen në grupe në mënyrë virtuale dhe fizike nëpërmjet internetit. Ose bërja e studimeve biblike online (Shkolla e Biblës Timote) me njerëz që jetojnë në vende të ndryshme. Si luten për njëri-tjetrin dhe shikojnë mënyra sesi ta ndihmojnë njëri-tjetrin. Një grup ndihmoi një vajzë që jetonte në një fshat të Shqipërisë dhe po kalonte vështirësi shëndetësore, ata u lutën dhe e ndihmuan financiarisht për situatën që po kalonte. 

9) Krijon mundësi për të filluar kisha të reja. Çfarë duhet për të filluar një kishë të re në një qytet? Një drejtues i thirrur që fillon një grup të vogël dhe kur ky grup i vogël shumëfishohet, në momentin që janë 3-4 grupe të vogla është koha për të filluar një kishë të re. A beson se je thirrur për të filluar një kishë të re në filan qytet? Shko para me kishën online në atë qytet. Me njerëzit e interesuar fillo grupin e vogël, në momentin që ata e kapin vizionin e kishës dhe janë gati, le të fillojnë grupe të reja dhe në një periudhë jo shumë të gjatë kohore janë gati për të filluar një kishë të re. 

Dëshmi reale:  Te kisha online çdo të Hënë flasim me njerëzit që kanë komentuar, shkruar inbox te fanpage i ICF Tirana. Dhe nxitja është: "A mund të fillosh një grup të vogël aty ku je?" Dhe sapo ka filluar kisha e parë fizike e motivuar nga kisha online, në Çorovodë, Skrapar. 

10) Krijon mundësi të reja për të shërbyer. Kur lidhesh me kishën online, gradualisht të jepet mundësia për të shërbyer si host, mikpritës. Dhe ka persona që nuk kanë mundësi të shërbejnë diku, por mund të shërbejnë online sepse janë në shtëpinë e tyre. Janë me pizhama, me tuta, janë te divani i tyre dhe aty mund të shërbejnë. Pa patur nevojë të shkojnë diku, por thjesht të bëjnë diçka që edhe e kanë me shumë dëshirë, po rrinë që po rrinë në internet, por po e shfrytëzojnë kohën për të ndikuar dikë, për të sjellë qoftë edhe një person te Zoti Jezus.  

Dëshmi reale: Në ICF Tirana, tani kemi drejtuesen e kishës online dhe ajo ka skuadër mbi 10 persona që shërbejnë bashkë. Disa prej tyre jetojnë në Tiranë, disa nëpër qytete të tjera, disa jashtë Shqipërisë. Këta persona thjesht me telefonin e tyre mund të shërbejnë me talentet dhe dhuntitë e tyre. 

Këto janë vetëm disa gjëra të shpejta në lidhje me kishën online. Më shumë janë ide për të thyer mitin e kishës online. Kisha online ekziston, është fakt tashmë që ajo po ndikon jetë njerëzish, sjell njerëz në besim, përhap lajmin e mirë, mobilizon të tjerë për të shërbyer.

Miqtë e mi që drejtoni një kishë online; interneti është shtypshkronja e kohëve moderne dhe ne jemi "Martin Luterët" e kohëve të sotme. Vazhdoni para me vendosmëri dhe guxim.

Për ju që doni të filloni dhe mendoni që kjo është koha e duhur për këtë hap, mos nguroni të më kontaktoni. 

Për miqtë që ndajnë mendime të tjera, ju kuptoj. Çdo gjë e mirë ka mundësi abuzimi. Le të marrim familjen; edhe pse ka abuzim në familje, ka divorce, në disa ka dhunë fizike etj etj… përsëri njerëzit martohen çdo vit. Sepse shikojmë bukurinë e familjes dhe përpiqemi të ndërtojmë familje të bukura dhe të shëndetshme. 

Me çdo gjë që kemi në dorë, ne mund të zgjedhim, ta nderojmë Perëndinë me të ose të abuzojmë. E njëjta gjë me smartphone. Ti zgjedh. Do ta përdorësh për të nderuar Perëndinë dhe për t’i shërbyer Atij me të ose jo. 

Por mbi të gjitha, shkruaj mendimin tënd në komente më poshtë 🙂

 


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>