Le të shikojmë disa gjëra shkurt, çfarë të jep entuziazmi.
1. Entuziazmi më jep energji. Jam plot me Perëndinë, plot gëzim dhe kjo e lehtëson jetën, më jep energji. Shqetësimi më ul poshtë, ma ul kurrizin sepse stresi të pickon mes shpatullave dhe më rëndon. Kurse entuziazmi mi drejton shpatullat, kam gëzim në Zotin, jam plot me të, jam gjithë energji, sepse e di kush është Ai, e di çfarë mundet të bëjë, e di çfarë fuqie ka dhe se kush jam për të.
2. Entuziazmi më bën të ngre lart të tjerët. Si ashensor, i marr njerëzit që kanë rënë poshtë dhe i ngre lart. Sepse jam plot me Perëndinë dhe i jap një copë dikujt që është poshtë dhe e ngre lart. Është një nga 6 vlerat e kishës tonë, ICF Tirana: TË KËNAQUR—Të Gëzuar (e dimë që gëzimi në Zotin është forca jonë)
Dhe është ngjitës, e kam unë ta ngjis ty, e ke ti, ia ngjit një tjetri.
Dhe shiko, e kundërta s’të bën punë, nuk të ndihmon fare. Imagjino po intervistohesh për punë dhe të pyet ajo e burimeve njerëzore. Cila është pika jote e fortë? Unë, unë i dekurajoj njerëzit kollaj, shikoj vetëm mangësitë e tyre, shaj kollaj, disa herë dhe me libër shpie! Çfarë do të thotë? Rrofsh, nuk na duhesh te puna jonë. Mbylle derën kur të dalësh, do të marr në telefon po patëm nevojë për ty.
Ose a ke takuar ndonjë gocë që thotë, dola për për kafe me filan çun, është shumë fantastik, ai më ul poshtë çdo herë, kënaqem kur më dekurajon aq shumë, kur më kritikon për çdo gjë dhe kur më ofendon sa bëj diçka gabim. Joooo, ti do dikë që është si ashensor, kur je poshtë, dikush që të ngre lart. Kjo le të jetë e përditshmja jote, ti ngre dikë lart, dikë që ka rënë poshtë, dikush që nuk po ngrihet dot vetë.
Ja ta bëjmë një provë, shkruaji dikujt një mesazh tani, vetëm me fjalë që të ngrenë lart. Po mendoj për ty, ti je shumë i zoti, e zonja, dua ta dish që më ke mua për çdo gjë, të çmoj shumë, të… shkruaja një mesazh tani një personi që po kalon sfida, që ka rënë poshtë, dhe shiko sesa ndikim do të ketë tek ai/ajo.
3. Entuziazmi eleminon disa gjëra. Kjo më pëlqen më shumë mua. Sepse kur Perëndia është në mua, brenda meje, jam plot me të, problemet më duken të vogla. Kur zmadhohet Perëndia brenda meje, zvogëlohen problemet e mia.
A e di sa kohë, energji, nerva harxhojmë nga shqetësimet e vogla, nga problemet e vogla që na e vjedhin gëzimin, na heqin trurin? Sidomos kur ndodhin njëra pas tjetrës, pas tjetrës. Nëse u jep hapsirë atyre, ta vjedhin gëzimin në Zotin. Por prit, Perëndia është brenda meje. E di që ka 100 çingërima, ka sfida, ulje, ngritje, ka sherre, ka mungesa, ka trauma, ka padrejtësi, ka meraqe, ka dyshime, ka sëmundje, ka shumë gjëra … POR Perëndia është në mua dhe është më i madh se çdo gjë që mund të jetë kundër meje.
Kjo eliminon streset e mia, ngarkesat e mia, dyshimet e mia. Kur unë zgjedh të jetoj me gëzimin e Perëndisë, me entuziazmin e Perëndisë, jam plot me Perëndinë.
Po sikur tani, të bëjmë një gjë të veçantë?! Merr një copë letër ose tek notes te telefoni të shkruash 2-3 apo më shumë shqetësime që po ta vjedhin gëzimin këto ditë? Shkruaji, pastaj lëria ato Perëndisë, sepse vetë ka thënë, sille tek unë shqetësimet e tua dhe merr ose ri-merr gëzimin e Zotit. Kalon 3-5 minuta me këtë gjë dhe shiko ndryshimin që do të sjellë thjesht ky ushtrim i vogël.
Dhe në një botë që është copash, ti sjell praninë e Perendisë aty ku je ti, po si bëhet kjo gjë?
Nesër do të ndaj tre mënyra praktike sesi bëhet kjo gjë…