Turpi ishte gjëja e parë që ndjenë, reagimi i parë pasi kishin mëkatuar ishte turpi.
Zanafilla 3:7 Atëherë iu hapën sytë të dyve dhe e panë që ishin lakuriq (patën turp); kështu ata qepën gjethe fiku dhe bënë breza për t'u mbuluar.
Më vonë do ta shohim se si mbulesat që bënë ata, nuk është se u bëri shumë punë. Ja si vazhdon:
Zanafilla 3:8-11 Pastaj dëgjuan zërin e Zotit Perëndi që shëtiste në kopsht në flladin e ditës; dhe burri e gruaja e tij u fshehën nga prania e Zotit Perëndi midis pemëve të kopshtit. Atëherë Zoti Perëndi thirri njeriun dhe i tha: "Ku je?". Ai u përgjigj: "Dëgjova zërin tënd në kopsht, dhe pata frikë sepse isha lakuriq dhe u fsheha". Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?".
Nuk kishte nevojë t'i tregonte njeri, ai ndjeu turp sepse sa mëkatuan, hyri turpi në botë.
Nga ana tjetër; ore, kot për muhabet, nga kush kishin turp ata? Sepse vetëm me gruan ishte, gruaja me burrin.
Dy njerëz ishin, nga kush patën turp? Nga kafshët, nga luani, mos është tallur majmuni me të, iiii ta pashë…
A ke merak ti se te sheh macja lakuriq në shtëpi? Kafshë është punë e madhe. Ata po i fshiheshin Perëndisë dhe njëri - tjetrit. Kishin turp se ishin lakuriq. Dhe e mbuluar lakuriqësinë e tyre me gjethe fiku. Dhe shiko se çfarë bën Perëndia për ta tek v.21
Zanafilla 3:21 Pastaj Zoti Perëndi i bëri Adamit dhe gruas së tij tunika prej lëkure dhe i veshi.
Ndoshta e ke menduar, ndoshta jo. Por që Perëndia t'i vishte, të mbulonte turpin e tyre me tunika lëkure, duhej derdhur gjaku i qengjit që do të therej për të bërë tunikën. E vetmja gjë që mund ta mbulojë turpin është gjaku. Ajo që bëri Perëndia për ta ishte si parardhëse e asaj që do të bente Jezusi në kryq, do të derdhte gjakun e tij. Ja si mbulohet turpi… Isaia 61:10 Zoti …më ka veshur me rrobat e shpëtimit, më ka mbuluar me mantelin e drejtësisë… E vetmja gjë që mund ta mbulojë turpin është drejtësia.
Dhe nuk do të thotë të jesh ti çun/gocë e drejtë. Do të thotë të jesh drejtësuar me anë të Krishtit.
Disa mendojmë që mund ta sjellim vetë drejtësinë. Ja, sa të bëj këtë, sa të ndryshoj këtë zakon, sa të filloj këtë gjë, sapo të ndryshoj, do të bëhem i drejtë para Perëndisë. Shiko, ne duhet të jetojmë jetë të drejtë para Perëndisë.
Por nuk është ajo lloj drejtësie që na e heq turpin. I vetmi që na e heq turpin është gjaku i Jezu Krishtit. Duke besuar çfarë ka bërë ai për ty dhe duke e pranuar të drejtësohesh para Perëndisë, siç thuhet te
Romakëve 4:3 Abrahami i besoi Perëndisë dhe kjo iu numërua për drejtësi.
Iu numërua, iu depozitua, iu llogarit për drejtësi kur i besoi Perëndisë. E njëjta gjë na ndodhi edhe neve. Kur Jezusi vdiq në kryq, mëkati që na numerohej neve, ra në kryq, e pagoi Jezusi në kryq. Si mund të drejtësohet dikush para Perëndisë, duke e besuar atë që Jezusi ka bërë. Kjo i jep fund llogarisë tonë me mëkate, thjesht duke besuar te Jezusi zerohet sepse i kalon atij. Dhe ai kalon në llogarinë tonë, drejtësinë e tij. Nuk na llogariten mëkatet tona por drejtësia e tij. Puna, është se edhe pse jam shpëtuar kur besova Jezusin përsëri bëj gabime. Me shumë gjasa jam i vetmi apo kam shokë të tjerë? Arsyeja pse e thashë këtë është sepse i ligu do të të thotë se mëkatet e tua janë më të këqija se të tjerëve. Ti je i krishterë tani, ja çfarë gjërash bëre, the, mendove. Ti s’duhet, ti duhet, ti ti ti… Por Shkrimi thotë se Perëndia të do shumë dhe se llogaria jote është plot me drejtësinë e Birit të tij. Vetëm drejtësia e tij na e mbulon turpin jo veprat e mia. Kjo është është gjëja e parë që hyri në botë dhe dëmtoi famijen e parë, familjet tona, jetët tona, turpi.