26 Prill

Cila Ishte Gjëja e Dytë Që Solli Mëkati?

Fajësimi ishte gjëja tjetër që hyri pas mëkatit. Hajde vazhdojmë leximin ku e lamë…
Zanafilla 3:11 Dhe Perëndia i tha: "Kush të tregoi se ishe lakuriq? Mos vallë ke ngrënë nga pema që unë të kisha urdhëruar të mos haje?". A mund ta dallosh fajësimin? Ja si vazhdon:
Zanafilla 3:12 Njeriu u përgjigj: "Gruaja që ti më vure pranë më dha nga pema dhe unë e hëngra".
Sa i zoti, me një fjali fajëson dy persona; Perëndinë dhe gruan. Po gruaja si do të reagojë vallë? A do ta pranojë fajin apo do të fajësojë dikë? Kush e di vazhdimin?
Zanafilla 3:13 Dhe Zoti Perëndi i tha gruas: "Pse e bëre këtë?". Gruaja u përgjigj: "Gjarpri më mashtroi dhe unë hëngra prej saj".
Asnjeri nuk e mori përsipër fajin. Dhe që nga ajo ditë faji ngeli jetim, asnjeri s'e do, të gjithë e pasojnë fajin te dikush.
Dhe u pasua ndër breza, çiftet ia pasojnë njëri - tjetrit, shokët njëri - tjetrit, madje edhe fëmijët e kanë mësuar përmendsh fajësimin. Ia pasojnë një shoku, prindërit apo dikujt. Ky ves e ka trashëgiminë e largët që te Adami dhe Eva, prindërit e parë të kësaj bote.  

Justifikimi i burrit është gallatë fare: Gruaja që me dhe Ti. Isha mirë me shimpazetë dhe gorillat, më dhe Ti një grua dhe kjo mori kot e hëngra edhe unë nga kjo. Ngordhim për të fajësuar dikë... na vjen shumë kollaj, shumë natyrshëm. Një gjë të veçantë për fajësimin, shpesh themi njërën nga këto të dyja: S’është faji im ose është vetëm faji im. Të dyja janë të vërteta. Kur fajeson vetëm dikë ose kur fajëson vetëm veten. S’do harruar që faji është rezultati, frut i mëkatit. A njëh njerëz që janë plot hidhërim ose dënojnë veten ose dënojnë dikë për diçka që ka ndodhur. Të gjithë morën nota të mira vetëm unë jo. Të gjithëve iu rrit rroga vetëm mua jo. Të gjithë po i bekon Zoti vetëm mua jo. Të gjithë u martuan, të gjithë ikën jashtë, të gjithë blenë shtëpi, të gjithë u bënë me fëmijë. Të gjithë, të gjithë… 

O miq, le të mos jetojmë të ndikuar nga fajësimi sepse fajësimi vjen nga i ligu, nga Satani. Ai quhet në Shkrim me një emër tjetër, Akuzuesi—Paditësi. Ta lexojme te 
Zbulesa 12:10 Atëherë dëgjova një zë të madh në qiell që thoshte: ''Tani arriti shpëtimi, fuqia dhe mbretëria e Perëndisë tonë, dhe pushteti i Krishtit të tij; sepse u hodh poshtë paditësi (akuzuesi) i vëllezërve tanë, ai që i padiste përpara Perëndisë tonë ditë e natë

Satani është paditësi, është akuzuesi i vëllezërve dhe motrave. Më tërhoqi vëmendjen, përemri Tanë.
Para se të akuzosh dikë, kujtohu se ai është vëllai yt, motra jote. Jemi tanët, jemi të njëri-tjetrit. DHE kur akuzon dikë, prit pak. Kur akuzon dikë, ti po bën punën e Satanit, të ligut. Ej, po i zë vendin e punës tjetrit, është puna e tij, të akuzojë vëllezërit dhe motrat. Mos u bëj palë me të, mos bëj punën e tij. E ka ai në CV atë profil pune. 

E di pse e them këtë? Sepse në këtë kohë ka shume akuza ndaj vëllezërve dhe motrave. Ajo është kështu ai është ashtu. Në vend që të japim dashuri dhe hir, po japim më shumë akuzime. Bëj punën tënde, ta duam njëri - tjetrin siç na do Krishti. 

Le të jemi të mençur sepse fajësimi, akuzimi na vjen shumë natyrshëm sepse është pasojë e mëkatit.
Pasojat e mëkatit, së pari Turpi, se dyti Faji, nesër vazhdojmë me pasojën e tretë…  



Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>