27 Prill

Çfarë Është Dëshira Për T’u Dukur?

Dëshira për të rënë në sy, të më dallojnë të tjerët, të duket sikur ti je më vete sepse je shumë ndryshe, kjo është pasoja e tretë e mëkatit. Është kjo pasiguria që kemi brenda nesh që na shtyn të dëshirojmë gjithë kohës të biem në sy. E lamë te vargu 13, vargjet më poshtë, 14 dhe 15 Perëndia thotë mallkime për gjarpërin, pikërisht për atë që bëri. V.16 gjejmë ato që tha Perëndia për Evën, te v.17 –19 gjejmë ato që tha Perëndia për Adamin. Shiko, një gjë për të mos u ngatërruar. Perëndia nuk i mallkoi ata. Ata morën pasojat e zgjedhjes së tyre. A më keni dëgjuar ta përmend shprehjen: Ne jemi të lirë deri në momentin kur zgjedhim. 
Pastaj nuk jemi më të lirë, do të korrësh bekimet ose do të marrësh pasojat e vendimin që bëre, asaj që zgjodhe.
Perëndia u tha që do të vdisnin nëse hanin nga ai frut. Shiko ato mallkimet që u thanë aty, kur zgjedh Krishtin ai person është i çliruar nga ato mallkime. Perëndia i thotë këto mallkime nga vargu 14-19 le të shikojmë se çfarë ndodhi direkt sapo mbaroi se foli Perëndia. 
Zanafilla 3:20 Dhe burri i vuri gruas së tij emrin Evë, sepse ajo qe nëna e tërë të gjallëve.
Kur e mendon këtë varg thua, mirë duket, mirë e ka bërë Adami. Nëna e gjithë miletit, nga ajo lindën fëmijët e parë, mirë duket si emër, me vend. Por shiko, ka një gjë interesante, nuk ia vuri Perëndia emrin por Adami dhe ia vuri pas rënies pas mëkatit. Në fund të kapitullit 2, kur Perëndia krijoi gruan, e di si tha Adami? Ajo është kocka e kockave të mia, mishi i mishit tim. Ti je pjesë e imja, ne jemi një, ne jemi si shpirt bashkë, jemi të shkrirë bashkë. Apapapa zjarr fare.

Pas rënies, ai i tha, ti je Eva, e ndau dhe e veçoi nga vetja. Ai tha, qëllimi yt është të më bësh mua ca kalamaj.
Ajo nuk quhej Evë më përpara, e di si e quante Perëndia Adamin dhe Evën? Ndoshta s’ta ka zënë syri. Ja ta shikojmë bashkë. Zanafilla 5:2 Ai i krijoi mashkull dhe femër, i bekoi dhe u dha emrin njeri, ditën që u krijuan. Në një përkthim tjetër, nuk përdoret fjala njeri, por Adam. Ideja është kjo, Perëndia nga dy i bëri një. Dhe ato që bashkon Perëndia le të mos e ndajë njeriu. Para hyrjes së mëkatit, Adami tha, ne jemi një. Ti je kocka e kockave të mia, mishi i mishit tim, jemi një. Por kur mëkati hyri në botë, ai tha, ti je ndryshe, ti andej bëj këtë punë, bëj kalamaq, bëj çiliminj ti, kam punët e mia unë. Dhe nga ajo ditë, vajzat, gratë e kanë vuajtur dhe e vuajnë ndarjen dhe veçimin, ti je kështu unë jam ashtu. Ti je veç për të bërë fëmijë. Tashti kjo është pjesë e të qenit nënë, të lindë fëmijë është bekim i madh.  

Por goca, dua t’ju them nuk është ky qëllimi i vetëm përse ju ka krijuar Perëndia. Prit se do të them diçka që do të ngjajë një çikë e çuditshme. Të jesh nënë nuk është gjëja më e lartë për ty. Sigurisht që është gjë e lartë të jesh prind, të jesh burrë dhe grua, babë dhe nënë në familjen që ke krijuar ose do të krijosh. Por gjëja më e lartë për ty është... 
Të jesh fëmijë i Perëndisë! Nëse e kupton mirë se çfarë do të thotë të jesh fëmijë i Perëndisë, ke për të qenë baba, nënë e mirë. Dhe duke pranuar këtë si të parën, si gjënë më të lartë, si identitetin tënd kryesor. Dhe kupton që jemi njelloj. Te letra e Galatasve thuhet, nuk ka mashkull dhe femër në sytë e Perëndisë, të dy janë njëlloj. Prandaj ka nëna që kur u rriten fëmijët dhe ikin nga shtëpia, stresohen dhe ndihen bosh. Nuk është gjëja e parë, thirrja e parë, të rritësh fëmijë. Por është të jesh fëmijë i Perëndisë. 

Te 1 Korintasve thuhet që Perëndia i jep secilit dhunti, secilit më vete qoftë mashkullit qoftë femrës nuk i veçon.
Që i bie, çdo person ka një gjë, ka një thirrje të lartë, që është të jetë Fëmijë i Perëndisë dhe secili ka dhunti të veçanta. Dhe kjo do të të plotësojë, kur gjen dhe pranon thirrjen dhe dhuntitë e tua. Adami e bëri këtë ndarjen dhe nga ajo kohë ka patur ndarje dhe etiketime ndaj gruas dhe burrit. Prandaj e quajta këtë mesazh: "Familja e Dëmtuar". Sepse u dëmtua që në gjenezë, që në fillim.  

A nuk të habit kjo ndarje? Zan. 2, ti je kocka e kockave të mia, ti je mishi i mishit tim. Zan. 3, jo jo, nuk jemi Adamë të dy, Adami jam unë, ti je Eva, dhe puna jote është të bësh kalamaj. Fillon ndarja, veçimi…

Pastaj Zan. 4, vazhdon ndarja, kush ka më shumë vëmendje. Lindin fëmijët, Kaini dhe Abeli. Bëjnë një ofertë para Perëndisë, oferta e Abelit u pranua por jo e Kainit. Kainit i iku truri; ooo ti qenke më i rëndësishëm se unë? Kur ishin në ara e vrau vellain e tij për këtë gjë. Kjo garë vazhdon dhe sot e kësaj dite. Kush merr vëmendje më shumë, uroj që mos ta vrasim njëri - tjetrin, në garën kush merr vëmendje më shumë se tjetri. 

 

Satani, shkoi dhe i tha gruas: ha këtë frut që të bëhesh si Zoti. Po ata ishin në ngjasim me Zotin që kur u krijuan.
Prandaj i ligu të shtyn, nëse bën këtë edhe atë, ti do të njihesh si ky dhe si ai, do të biesh në sy, të gjithë do ta marrin vesh se kush je. Por ti je dikush, ti je krijuar në imazhin e Perëndisë, ti jë fëmijë i Tij. A ka identitet më të lartë?!
Po cili është ilaçi, përgjigja e Turpit, Fajit, Famës? Përgjigja gjendet te Jezu Krishti.
Nuk i besojmë Jezusit vetëm që të na shpëtojë nga mëkatet, por edhe që të marrë të gjitha, turpin, fajësimin dhe famën që na ndikon dhe na gërryen. Mbi Jezusin ranë jo vetëm mëkatet tona, por edhe turpi, edhe fajësimi edhe dëshira për t'u dukur. DHE ai na njeh si fëmijët e tij, nuk ka gjë më e lartë, thirrje më madhe, vlerësim më të madh se sa bij/bija të shumë të Lartit Perëndi.  


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>