10 Maj

Cili Duhet Të Ndryshojë I Pari?

Faza e parë ishte, "Më Jep Mua". Dje pamë fazën dy nga katër te një lidhje, martesë… që ishte, "Më Ke Mua".
Cila është e treta? Më Heto Mua. Tani, fillojmë dhe hyjmë drejt pjekurisë, maturisë, avash avash… Filloi ndryshimi, maturia, pjekuria, tani fillon të merresh me veten; "Më heto mua". Ja ta shikojmë si filloi ndryshimi te djali planprishës te Luka 15, kur erdhi në vete, kur i thirri mendjes, kur hetoi zemrën e tij 

Luka 15:17 Atëherë erdhi në vete dhe tha: "Sa punëtorëve mëditës të atit tim u tepron buka, kurse unë po vdes nga uria!Kur filloi ndryshimi tek ai, kur ndryshuan të tjerët apo kur ndryshuan rrethanat? Jo jo, e filloi nga vetja, i thirri mendjes, i thirri kallaballëkut, kaplloqes, i thirri rrakadakes  si i thonë me dialekt kokës nga nga fshati, zona jote?
Davidi e tha bukur te Psalmi 139:23-24 Më heto, o Perëndi, dhe njihe zemrën time; më provo dhe njihi mendimet e mia. dhe shiko në se ka tek unë ndonjë rrugë të keqe dhe më udhëhiq nëpër rrugën e përjetshme.
Ky është momenti, kur ti ndalon duke parë se çfarë ka bërë ai tjetri për ty ose si ta korrigjosh atë, si ta ndryshosh tjetrin. Tani fokusohesh çfarë mund të bëj unë, si mund ta korrigjoj veten time, të ndryshoj veten time. 

Kur flas për gjëra të tilla, që janë sfiduese, ka persona që thonë: Ja sa mirë ky është mesazh fiks për burrin, atij i duhet ky mesazi, kam gruan këtu, shoqen, shokun, ky mesazh është fiks për të. Rrofsh, të kam një birrë borxh se e ke thënë fiks për të. Ose i gjuan me bërryl ose me këmbë nëse e ke afër, lexoje se për ty e ka këtë.
Ose burrat rrinë në shtëpi fare. Ta coj gruan në kishë të bëhet pak më e mirë, unë pasha te kafja e lagjes, 2 qofte dhe ndonjë birrë. Në ke këtë lloj qëndrimi, a ta them diçka se plasa: Nëse ke këtë lloj qëndrimi, del qartë që je besimtar/person i papjekur! Sepse procesimi i maturisë, fillon me: "Më jep Mua", "Më ke Mua" por shenjat e pjekurisë duken kur fillon: "Më Heto Mua".
Në këtë fazë ti nuk do të hetosh se çfarë gabimesh ka ai, ajo. Ti do të hetosh zemrën tënde; çfarë është diçka që duhet të ndryshoj unë te vetja ime? Nëse do që të kesh një martesë, fejesë, lidhje për së mbari, së pari ndrysho ti, rregullo veten ti së pari. Ky proces ndryshimi i vetes, fillon kur e heton veten.  

Një herë po flisja me çunat e mi, kur ishin të vegjël dhe po i thoja njërit për diçka që kishte bërë (Martit ose Rubit) dhe ai po justifikohej: po nuk e bera vetëm unë atë gjë, e beri dhe vëllai. Nuk e pe ti? Unë i thashë: Jo nuk e pashë sepse i kisha sytë vetëm tek ty në atë moment. Më duket sikur edhe Zoti kështu na thotë kur justifikohemi: po o Zot, s'e shikon Ti  ç'me ka bërë ajo? Si më foli, si u soll… Zoti thotë: lere atë, unë po flas me ty, i kam sytë tek ty.  
Dua ta mendoni kështu, ke një tub dhe po shikon permes tubit. Nuk shikon gjë tjeter përreth, por fokusohesh vetëm në një gjë. Imagjino Zotin, duke të ndjekur ty, me atë tubin; të pashë, nuk është gjë e mirë ajo që the. Po, Zot ajo e filloi e para... Nuk jam duke e parë atë tani, i kam sytë te ty. Shiko s’është përgjegjësia ime për veprimet e të tjerëve. Përgjegjësia ime është për veprimet dhe reagimet e mia.
Ta përdor përsëri ilustrimin e tubit. Kur Perëndia po shikonte Jezusin kur ishte në tokë, ai pa që çdo veprim i tij dhe çdo reagim i tij ishte i përsosur. Madje edhe kur Jezusin e gozhduan në kryq, e di çfarë pa Ati, çfarë dëgjoi të thoshte Jezusi? Jezusi po ankohej, shiko o Atë, sesa shumë më kanë sharë, madje më kanë pështyrë dhe kanë dy javë pa larë dhëmbët. Shiko si më kanë rrahur, shiko ku ndodhem. Çfarë bisede bëri Jezusi me Atin? A foli për veprimet e të tjerëve apo për veprimin e tij? Çfarë mund të bënte ai? Ai tha… Atë, fali sepse nuk dinë çfarë po bëjnë! Kjo është shenjë maturie, pjekurie.
Kur ndalon së thëni: shiko se çfarë më tha, më beri dhe fillon të thuash: Perëndi ma heto zemrën, kërko cep më cep të saj, skutë me skutë të zemrës sime, që unë të kem qëndrimin e duhur. E di si duhet ta hetojmë zemrën? 

A e mban mend kur ishim të vegjël, brezi ynë që s’kishim telefona dhe luanim jashtë kukafshehtas. Shumicën i gjeje kollaj, po ishte ndonjëri që dinte të fshihej shumë mirë dhe duhet të kërkoje cep më cep, vend për vend, skutë për skutë që ta gjeje. Dhe ti nuk dorëzoheshe derisa ta gjeje. Ky është kuptimi, ti po heton me ngulm, me detaje. Këtë nënkuptoi Davidi kur tha: ma heto zemrën, ma shiko fije për fije çdo mendim nëse ka diçka që nuk shko, më ndrysho o Zot; tregon që ajo lidhje, fejesë, martesë, po hyn në fazën e pjekurisë…
Nesër vijmë te faza e fundit, katër fazat për të patur një jetë, lidhje, martesë për së mbari!


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>