Vargu i Ditës: "Do t'i kujtoj veprat e Zotit; po, do të kujtoj mrekullitë e tua të kohëve të kaluara, do të mendohem thellë për gjithë veprat e tua dhe do të kem parasysh bëmat e tua." Psalmet 77:11-12
Si je me kujtesën? A mban mend gjërat e mira më shumë apo ato të këqijat? Është më e kollajtë të mbash mend një bekim apo një ofendim? E sigurt që bekimin me raste e merr për të mirëqenë sepse thua: "Nuk ishte i detyruar të më ndihmonte, deshi prandaj e bëri" apo jo?
Ama atë ofendimin e mban mend sa të jetë jeta. E mban mend mire sesi u ndjeve. Le ta shohim kështu, le të kujtojmë për një moment gjërat që Zoti ka bërë për ty. le t'i kujtojmë për një moment mrekullitë e tij. Sa minuta i mendove? A kaluan 5 minuta? A të erdhi një buzëqeshje ashtu pa dashje? Zoti është i mirë.
Dikush ka thënë: "Vepra e mirë nuk humbet kurrë, pak rëndësi ka nëse e kujton ose jo!"
Nxitja ime për ty është: Medito mbi Fjalën e Tij dhe kujto. Ji mirënjohës dhe kujtoji veprat e Zotit, ato gjërat e bukura që ka bërë në jetën tënde, kur të ka ngushëlluar, kur të ka drejtuar, kur të ka qetësuar kur të ka dashur fort dhe e ke ndjerë praninë e Tij si asnjëherë tjetër. Ki parasysh se Ai është Zoti dhe nuk ndryshon asgjë nëse ne i kujtojmë apo jo veprat e Tij të mira. Kjo është e mirë për ne për të patur atë marrëdhënien e vërtetë me Perëndinë.
Pëshpërit një lutje:
Perëndi, unë dua të kujtoj gjithnjë veprat e tua. Dua të mendohem mbi ligjin tënd dhe dua të të ndjek ty Zot. A do të më ndihmosh në këtë përkushtim, a do të më japësh fuqi nga Fryma jote e Shenjtë. Faleminderit Perëndi që je pranë meje dhe nuk më ke braktisur kurrë. Faleminderit që ke bërë këto gjëra fantastike për jetën time. Lutem në emrin Jezus. Amen!