10 Tetor

E Falënderoj Atë për TY!

Vargu i ditës: "E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj." Filipianëve 1:3

Të ka rënë ndonjëherë rasti të thuash: "O sa mirë që të pashë, sapo po flisnim për ty!" dhe kjo nuk është në atë rastin kur do që ta qortosh por kur ke qenë duke e kujtuar këtë person për diçka të mirë. Ti gëzohesh që e pe atë personin që të kishte marrë malli ta takoje këto kohë. 

E sigurt që e mban mend kohën e pandemisë. Sa e sa persona të kanë kaluar nëpër mend në atë kohë sepse liria për të takuar njerëz u privua dhe ti fillove të kujtosh gjithë ata persona që nuk i kishe takuar këto vite dhe do të doje t'i takoje. 

Dikush ka thënë: "Larg syrit, larg zemrës!"

Kjo është shprehje që e përdorim shpesh. Por vargu më lart është duke na thënë diçka tjetër. Shumë shpesh i marrim gjërat për të mirëqena dhe në këtë rast nuk janë vetëm gjëra, por janë njerëz dhe askush nuk duhet t'i marrë njerëzit për të mirëqenë. Sa për kontekst Pali është Sauli i Tarsit, një farisë i devotshëm për të persekutuar dhe dënuar të krishterët dhe më pas ai u bë i krishterë dhe filloi të ndiqte Jezusin. Ai filloi shumë kisha nëpër qytete të ndryshme dhe një nga qytetet quhej, Filipi. Ai është duke shkruar këtë letrën dhe është e vetmja herë që nuk është duke shkruar për të ndrequr ose këshilluar për ndonjë problem, por është duke inkurajuar në mënyrë të vazhdueshme. Ai është duke shkruar kur është në një burg romak dhe ishte duke pritur ekzekutimin e tij dhe në vend që të ankohej, ai thotë: "E falënderoj Perëndinë tim, sa herë që ju kujtoj". Sa më pranë Perëndisë të jesh, aq më shumë i do njerëzit dhe për rrjedhojë lutesh më shumë për ata duke i sjellë ata dhe problemet e tyre përpara Perëndisë. Ajo që dua të inkurajohesh sot është të jesh falënderues që ata që ti do janë gjallë. Mos e merr të mirëqenë këtë por falëndero Perëndinë për ata. Këtë mund ta ndash edhe me miqtë e tu duke i shkruar që u lute për atë person sot...

Pëshpërit një lutje: 

Perëndi të falënderoj Ty së pari për të gjithë njerëzit që ke sjellë në jetën time dhe që e ke rrethuar jetën time me njerëz që më duan. Të falënderoj Perëndi për gjithsecilin që Ti më sjell në mendje për t'u lutur për atë person edhe për të të falënderuar për atë njeri që Ti e solle në mendjen time. Perëndi, unë lutem për ata persona sot dhe lutem që do të kenë një ditë fantastike me ty Zot dhe se ti do të kujdesesh. Lutem në emrin Jezus, Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>