Vargu i Ditës: Farat që ranë në gurishte janë ata që, kur dëgjojnë, e presin fjalën me gëzim; por ata nuk kanë rrënjë, besojnë për njëfarë kohe, por në momentin e sprovës tërhiqen (braktisin besimi). Luka 8:13
Koha e preferuar e vitit për mua është maj-qershor kur çdo gjë është jeshile dhe gati cdo lule ka çelur. Por në kohën e të nxehtit, korrik-gusht shumica e tyre thahen. Pse? Sepse bari dhe lulet nuk kanë shumë rrënjë të thella. Dhe nuk kanë fuqi të thithin ujë nga thellësia e tokës. Kur një bimë nuk ka rrënjë të thella, lulëzon shpejt dhe duket e bukur për një farë kohe por nuk zgjat shumë, thahet shpejt.
Si vargu më lart kështu jemi dhe ne, ka kohë që e dëgjojmë dhe gëzohemi me të madhe, por nuk e lemë të na ndryshoje. Veprimet janë sipërfaqësore. Emocionet janë sipërfaqësore. Hedhim hapa të nxituar. Por nuk i japim shumë kohë që të na zbresë në zemër.
A do ti që të jesh sipërfaqësor? Me shumë gjasa JO! Ti do që të jesh person me rrënjë të thella dhe jo me rrënjë të cekëta. Do që të kesh thellësi në besimin tënd që kur të vijë thatësira dhe nëse zgjat nga disa javë në disa muaj, ti do kesh mundësi t’i rezistosh dhe të japësh fruta. Kur vijnë furtunat e jetës: je papunë, ke sfida te shkolla, në familje, dikush i dashur sëmuret ose vdes, këto sprova nuk të rrëzojnë dot sepse ti ke rrënjë të thella.
Po si zhvillohen rrënjët shpirtërore? Ka dy mënyra: Koha e qetë, e përditshme me Perëndinë dhe pjesë e një grupi të vogël besimtarësh gjatë javës. Ke nevojë të kalosh 1-kohë më Zotin dhe 2-kohë me besimtarët e tjerë. Nëse nuk kalon kohë me Zotin do të thahesh shpejt dhe do të marrë furtuna me vete. Nuk do e përballosh dot atë që mund të ndodhë. Ndaj kohë më vete për të ndenjur me Perëndinë. Ulu, lexo Biblën—lëre Perëndinë të flasë, rri në qetësi, lutu—foli ti Perëndisë. Vendos ndonjë muzikë në sfond apo mbaj ditar atë që të foli Zoti. Apo gjëra të vogla të tilla, veç kalo kohë me Zotin çdo ditë dhe do të sjellë fuqizim dhe forcim.
Përshpërit një lutje:
Atë, më kujto me Frymën tënde çdo ditë rëndësinë e kohës me ty. Më fol çdo ditë me një fjalë të re, me një gjë që shkon fiks më gjërat që po kaloj. E kërkoj në emrin Jezus, amen.