14 Korrik

Më jep shpresë!

Vargu i ditës: "Dhe jo vetëm kaq, por mburremi edhe në shtrëngimet, duke ditur që shtrëngimi prodhon këmbënguljen, këmbëngulja përvojën dhe përvoja shpresën. Por shpresa nuk turpëron, sepse dashuria e Perëndisë është derdhur në zemrat tona me anë të Frymës së Shenjtë që na është dhënë." Romakëve 5:3-5

A e ke pyetur ndonjëherë veten ku është Perëndia kur je duke vuajtur?

Me raste kjo të mundon dhe natyrshëm lind pyetja: "Kur do të mbarojë gjithë kjo vuajtje? Kur do të kalojë filan situatë? Kur do ta kuptojë filan person se po më lëndon?" 

Të gjitha këto pyetje që të vijnë në kokë janë të rëndësishme e megjithatë sipas pasazhit më sipër, pyetja më e mirë për t'u bërë është: "Çfarë mësova nga stuhia, vuajtja, shtrëngimi që kalova?" 

E vërteta është se të gjitha vuajtjet, shtrëngimet, stuhitë në jetën tonë na bëjnë më të fortë, na japin sigurinë e shpresës; na kujtojnë ku e kemi vendosur shpresën tonë dhe pse duhet të qëndrojmë fort në shtrëngime dhe sprova të ndryshme. 

Dikush ka thënë: Mëso nga e djeshmja, jeto të sotmen dhe shpreso për të nesërmen.”

Çdo ditë do të na sjellë situata që mund të na shpërqendrojnë apo shtrëngime, qofshin këto të vogla apo të mëdha. Si do të reagojmë? Çfarë do të bëjmë? Si do ta zgjidhim? Dhe këto mendime që vijnë do të hapin derën për të parë mundësi në vend të ankesës dhe do të japin shpresë në vend të dëshpërimit.

Pëshpërit Një Lutje

O Atë më jep forcën që të shpresoj në ty dhe t'i rikujtoj vetes që ti je me mua në mes të stuhisë. Ti nuk na ke premtuar që nuk do të kemi shtrëngime, por Ti ke premtuar se do të ecësh me ne në mes të atyre shtrëngimeve. E kërkoj shpresën tënde sot në emrin Jezus. Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>