Vargu i ditës: "Në të vërtetë, në të vërtetë po ju them: Ai që e dëgjon fjalën time dhe beson në atë që më ka dërguar, ka jetë të përjetshme, dhe ai nuk vjen në gjyq, por ka kaluar nga vdekja në jetë." Gjoni 5:24
Ka shumë e shumë raste të njerëzve që kanë pësuar vdekje klinike dhe pas disa momenteve janë kthyer në jetë. Imagjino gëzimin e doktorëve apo të familjarëve pas kësaj ndodhie kaq të veçantë... Është mrekulli apo jo?!
Nga vdekja në jetë përdoret edhe për gjërat që tashmë kanë përfunduar siç mund të jetë një rezultat në ndonjë ndeshje futbolli që është kthyer dhe e kanë përshkruar si: "Nga vdekja në jetë". Apo edhe ndonjë shkretëtirë urbane që ka rilindur, pra është kthyer nga vdekja në jetë...
Dikush ka thënë: "Vdekja nuk është humbja më e madhe në jetë. Humbja më e madhe është kur diçka vdes brenda nesh ndërkohë që jemi duke jetuar."
Në këtë varg Jezusi është duke thënë që është Biri i Perëndisë dhe një varg më parë, Jezusi thotë që nëse nuk e nderojnë Atë, atëherë ata nuk nderojnë Atë që e ka dërguar. Pra, nëse je duke dëgjuar fjalët e Jezusit dhe i vë në zbatim në jetën tënde dhe me veprimet e tua po ndryshon jetën e atyre që ke përreth dhe beson që Ati e ka dërguar Jezusin; pra ti beson në Trininë e shenjtë, Atëherë ti ke kaluar nga vdekja në jetë. Po çfarë do të thotë jetë e përjetshme? Në kulturën e sotme, jetën e përdorim si fjalë për të mirat apo të këqijat e saj. Por jeta në fakt, është diçka shumë pozitive. Jeta është e bukur sepse kështu fillon kur një fëmijë lind apo kur sheh bimët që rriten rreth e rrotull dhe na ushqejnë dhe na mbushin me oksigjen. Jeta është e bukur sepse jeta i jep jetë jetës. Ajo që Jezusi ishte duke thënë këtu, ishte se jeta e përjetshme nuk vjen pas vdekjes por fillon tani, në këtë moment. Por sa prej nesh jetojnë sikur të jenë tashmë të vdekur? Të vdekur që enden vërdallë... Nëse përjetësia është jetë, le ta jetojmë në maksimum në mënyrë që njerëzit ta shohin bukurinë e Jezusit. Sot, le ta jetojmë jetën me përjetësinë në mendje.
Pëshpërit një lutje: Perëndi, faleminderit që dërgove Birin tënd të vdesë në kryq për të marrë mëkatet e mia dhe që e ringjalle të tretën ditë që unë të kem jetë dhe ta kem me bollëk. Të jam mirënjohës Perëndi që e bën të mundur shpëtimin tim. Lutem që sot do të jetoj me përjetësinë në mendje dhe do të të nderoj Ty Perëndi, duke besuar në Fjalën Tënde dhe duke u bindur në të vërtetat e tua. Në emrin Jezus, Amen.
19 Tetor