2 Shtator

Nuk Ka Ndryshuar Kurrë!

Vargu i ditës: "Krishti është i njëjtë dje, sot e përjetë."  Hebrenjve 13:8

Shpesh, ndryshimi ka avantazhet dhe disavantazhet e veta. Ti një moment thua: "Sa mirë, sa paske ndryshuar" dhe ky mund të merret si kompliment dhe nga ana tjetër mund të dëgjosh pasthirrmën e pavullnetshme: "Uaaa, sa paske ndryshuar" dhe ky nuk mund të merret fare si kompliment sepse ndryshimi yt nuk është i duhuri. 

Të ndryshuarit ose jo gjithnjë është relativ. Për disa ke ndryshuar për mirë për disa ke ndryshuar për keq. Për disa, sa mirë që ti nuk ndryshon, sepse e mban fjalën, sillesh njëlloj me të gjithë dhe je me karakter të fortë. Por për disa të tjerë, sa keq që nuk ndryshon sepse kështu mbete tërë jetën etj...

Dikush ka thënë: "Ne kemi tendencën të harrojmë historitë e vjetra, por ato histori ama, mbeten të njëjtat."

Nga konteksti i vetë shprehjes më sipër ndoshta ndryshimi merr nuanca negative por nëse i percepton ndryshe merr sfond pozitiv. Fakti që Jezusi është i njëjtë dje, sot e përjetë është kujtesë se mesazhi i ungjillit nuk ka ndryshuar nga hera e parë që ata e dëgjuan. Është akoma Jezusi dhe vetëm Jezusi që i shpëton ata. Jezusi vdiq për mëkatet tona dhe Ai i ka mbushur ata me Frymën dhe se ata hynë në mbretërinë e Perëndisë. Ata kanë garancinë e jetës së përjetshme, vetëm në Jezusin. Kjo është ajo që thanë mësuesit e vjetër, kjo është ajo që na mëson Dhjata e Re dhe që mësuesit e rinj po mundohen ta ndryshojnë. Por vdekja dhe ringjallja e Jezusit e ka përforcuar dhe stabilizuar në mënyrë themelore dhe të përjetshme, fuqinë që gjendet vetëm në Jezusin. Asnjë praktikë fetarë apo ritual nuk mund të na fuqizojë më shumë apo më mirë. Ungjilli nuk ndryshon, edhe pse shekujt ndryshojnë. Ungjilli nuk ndryshon edhe kur mësuesit e rremë e venë në dyshim atë. Ungjilli nuk ndryshon edhe pse ne ndryshojmë dhe kur na vijnë këto mendimet e tjera dhe dyshimet e ndryshme. Jezusi është i njëjtë, dje sot e përjetë. Fuqia e Tij është e pandryshueshme. Ungjilli i Tij nuk ndryshon. Pse? Sepse Jezusi + Asgjë = Gjithçka.

Pëshpërit një lutje: 
Atë, të jam mirënjohës dhe falënderues që Ti je i njëjtë, që Ti nuk ndryshon sepse ke qenë i tillë dhe do të mbetesh i tillë. Dashuria jote nuk ndryshon, premtimet e tua gjithashtu. Perëndi, për shkak se Ti je i tillë, unë do të kapem fort pas premtimeve të tua dhe do të ndjek Jezusin, Birin Tënd dhe do ta ndaj mesazhin e Ungjillit, ashtu siç u dëgjua për herë të parë, pa futur asgjë nga vetja sepse ajo që Ti ke Zot, mjafton... Lutem në emrin Jezus, Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>