1 Shtator

Për Lavdinë e Tij!

Vargu i ditës: "Pra, nëse hani, nëse pini, nëse bëni ndonjë gjë tjetër, të gjitha t'i bëni për lavdinë e Perëndisë." 
1 Korintasve 10:31

Kur dikush ikën nga shtëpia dhe shkon në shkollë diku larg apo dikur kur ikin ushtarë, prindërit shpesh u thonin: "Na e zbardh faqen andej..." dhe personi premtonte se do të bënte gjithçka që t'i nderonte prindërit nga gjërat më të vogla e deri të vendimet, sjelljet, reagimet e ndryshme që mund të sillnin situatat e veçanta. 

Kur ne e shohim këtë lloj "urdhërimi" për të bërë gjithçka ose të gjitha për lavdinë e Perëndisë, ndoshta bëhet ndonjëherë konfuze sepse kur themi të gjitha, janë të gjitha. Të ngrënit, të pirët, mënyra si flasim, mënyra si rrimë, si reagojmë, çfarë themi, si i përballojmë situatat, si inkurajohemi e shumë të tjera si këto...

Dikush ka thënë:
 "Në sytë e prindit, ne jemi 'çfarë' themi. Në sytë e botës, ne jemi 'çfarë' bëjmë!”

Konteksti i këtij vargu është që disa Korintas ishin duke bërë çdo gjë sipas qejfit të tyre. Ishin duke e "jetuar jetën!" E megjithatë Pali është duke u thënë që sjellja e tyre po i afron ose i largon njerëzit. Nuk ka rëndësi ku je apo në çfarë pozicioni je në shoqëri; ti i ndikon njerëzit me jetën tënde. Njerëzit ose do të tërhiqen nga stili yt i jetesës; një baba i përkushtuar, një bashkëshort i mirë, një bir i bindur dhe i dashur, një burrë me parime dhe një njeri gati për ta çarë jetën me parime të pakundërshtueshme dhe që nuk mund të bëjë asnjëherë kompromis. Këto gjëra do i tërheqin njerëzit e tjerë ose minimalisht do të pyesin edhe të thonë: "Ore, seç ke një gjë ndryshe ti!" Sa e bukur është kjo shprehja... Sa duhet të gezojë kur e dëgjon. Por nëse je njëlloj me rrjedhën dhe bën të njëjtat gjëra që bën bota jashtë, kjo nuk tërheq më asnjeri sepse ashtu po bëjnë të gjithë, por Jezusi është të ofron diçka më të madhe se kaq, diçka që do të ndryshojë ty dhe njerëzit rreth teje, sepse ti do të jesh ajo drita e vogël në një errësirë kaq të madhe dhe ti je aty për të sjellë ndryshim dhe ndryshimi do të vijë! 

Pëshpërit një lutje:
Perëndi, çfarëdo që të jem duke bërë të lutem më ndihmo ta bëj për lavdinë Tënde. Kur jam duke folur me të tjerët, le të jetë për lavdinë tënde. Kur jam duke punuar, le të jetë për lavdinë tënde. Kur jam duke kaluar kohë me familjen apo miqtë, le të jetë për lavdinë tënde. Në të gjitha ato që bëj dhe që them, le të jetë vetëm për ty Zot. Në emrin Jezus, Amen.


Etiketa


Gjithashtu mund të lexoni

{"email":"Email address invalid","url":"Website address invalid","required":"Required field missing"}

Abonohu me Email

>