"Por është i durueshëm ndaj nesh, sepse nuk do që ndokush të humbasë, por të gjithë të vijnë në pendim." 2 Pjetrit 3:9
Ky është varg fantastik dhe sidomos për ata që janë prindër e kuptojnë shumë mirë se sa e vështirë është të presësh me durim që fëmija yt të kthehet për mbarë. Është vërtet e vështirë kur fëmija ka marrë kot dhe duhet të zgjedhë rrugën e duhur. E njëjta gjë vlen edhe për ty që je bir apo bijë; a ka qenë i duruar babai yt me ty?
Kjo ndodhi te Luka 15 me historinë e djalit plangprishës... Ati ishte i duruar me birin e Tij dhe po e priste, pavarësisht se djali kishte bërë të zezat. Sa për kontekst, djali i vogël kërkoi gjysmën e pasurisë dhe vendosi të largohej nga shtëpia duke u zhytur në shthurje dhe duke i prishur paratë derisa përfundoi në një stallë derrash, aq trokë mbeti. Ati po priste dhe nuk është se shkoi në festë dhe e mori zvarrë që aty duke e qortuar apo nuk është se i çoi para të tjera për ta nxjerrë nga situata; jo!
Babai e deshi aq shumë sa e priti... A mund ta imagjinosh një prind me sytë nga rruga çdo ditë duke pritur që djali të kthehej? Duhet të jetë e vështirë apo jo?
Ati është atje duke të pritur... Ati të do shumë dhe pret që ti të kthehesh tek Ai, ashtu pis, plot gabime dhe plot me budallallëqe... Ai është atje duke të pritur. A je larguar këtë kohë nga Ati? Nëse po, çfarë po të pengon të kthehesh? Ke frikë se do të të qortojë, se nuk do të të pranojë? Se nuk do të të dojë? Nëse je duke u përballur me këto dyshime në kokë, hidhi një sy historisë te Luka 15 dhe këtë vit merre hapin për t'u kthyer në krahët e Atit tënd... Ai është i duruar dhe po të pret...
Pëshpërit një lutje:
Perëndi, Atë, faleminderit që je kaq i duruar me mua... Faleminderit që më jep shanse të reja, ditë të reja, mundësi të reja... Ti je i duruar me mua Perëndi sepse Ti nuk do që unë të humbas, por Ti do që unë të vij në pendim... Atë unë të falënderoj dhe lutem që do të më japësh forcën dhe kurajon për t'u kthyer tek Ti, tek prania Jote, tek dashuria Jote... Lutem dhe kërkoj në emrin Jezus, Amen.
3 Janar