Nëse Perëndia vesh kështu barin e fushës, që sot është e nesër hidhet në furrë, a nuk do të kujdeset shumë më tepër për ju, o besimpakë? Mateu 6:30
A të ka shkuar ndonjëherë në mendje nëse Perëndia kujdeset? Nëse po, si kujdeset? Me siguri mund të kesh patur situata në jetën tënde kur ke menduar kaq ishte për filan gjë, apo mund të kesh humbur shumë dhe të ka shkuar në mendje: "Po Perëndia, pse nuk u kujdes për mua?"
Në fakt Perëndia kujdeset në mënyrën e Tij. Ne shpesh nuk do të mundemi ta kuptojmë por Ai kujdeset gjithsesi. Ai ka në dorë gjithçka dhe vargu më lart na jep një krahasim shumë të bukur duke na kujtuar se Perëndia kujdeset edhe për gjërat më të vogla, për detajet më të vogla dhe si rrjedhojë kur kujdeset për ato, do të kujdeset edhe për ne. Ne thjesht duhet të kemi besim.
A vërtet do që të jesh besimpak apo do që ta shtosh besimin tënd duke i kujtuar vetes se Perëndia është në kontroll dhe se Ai kujdeset për mua në çdo gjë që bëj.
Pëshpërit një lutje:
Perëndi të falënderoj që kujdesesh për mua dhe që je gjithnjë pranë meje. Perëndi lutja ime është që ta kem në mendje këtë gjë dhe ta shtoj besimin tim duke i lënë gjërat në duart e Tua sepse kush më mirë se Ti mund të kujdeset për jetën time?! Lutem dhe i lë gjërat në emrin Jezus, Amen.
24 Janar